Haradinaj i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit

13:02 | 29 Gusht 2022
arbresh.info

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrin Albin Kurti, për takim me liderët opozitarë.

“I jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel. Për mua dhe Aleancën, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit. Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interesit nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre”, shkruan Haradinaj në rrjetet sociale.

Sipas tij, kryeministri Kurti këtë herë i kishte përjashtuar nga çfarëdo konsultimi, apo edhe më keq, informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel.

“U jam mirënjohës të dërguarit amerikan Escobar,  ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, si dhe përfaqësuesit të BE Lajçak, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në baza ditore na kanë mbajtur të informuar për krejt çfarë ka ndodhur në Bruksel”, deklaron Haradinaj.

Kryeministri Kurti ka ftuar në takim liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ende nuk dihet nëse do të jenë të pranishëm dy liderët tjerë në takimin e thirrur për të martën./arbresh.info/

​Kurti i thërret për takim nesër Abdixhikun, Krasniqin e Haradinajn

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme