Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dërguar sot kryeministrit të vendit Albin Kurtit një letër, pasi ky i fundit e ftoi për takim të mërkurën në mëngjes, me temën për projektin amerikan të gazit.
“Politizimi dhe njollosja e projektit të Gazit është skandaloz, po rrezikohet projekti më i rëndësishëm ekonomik dhe gjeopolitik për Kosovën”, shkruan Haradinaj në letrën e tij. /arbresh.info/
Letra e plotë:
I nderuar Kryeministër Kurti,
Në maj të vitit 2019, Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga unë si Kryeministër i vendit, miratoi propozimin për të përfituar nga granti i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe për të mbështetur zhvillimin e Programit Kompakt. Si rezultat, ne krijuam dhe mbështetëm një ekip ekspertësh vendor dhe me ç’rast nënshkrova marrëveshjen e Fondit të Zhvillimit Kompakt (CDF).
Si rezultat, programi Kompakt u zhvillua në koordinim të plotë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjencisë MCC dhe politikat e Qeverisë Amerikane, dhe pas shumë konsultimeve me të gjithë akterët në sektorin e energjisë, u identifikuan projekte brenda programit për mbështetje për të cilat janë kryer studime të para-fizibilitetit, siç janë:
Zhvillimi i Sektorit të Gazit -Diversifikimi i Sektorit të Energjisë;
Balancimi i Sistemit të Gjenerimit përmes krijimit të rezervave të energjisë për rrjetin e Transmisionit;
Fuqizimi i Sektorit të Energjisë.
Tani, konsideroj se zhvillimet që kanë pasuar me Qeverinë Kurti, politizimi dhe njollosja e projektit të Gazit, janë skandaloze, shumë të dëmshme dhe rrezikojnë zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme ekonomike dhe gjeopolitike për vendin si dhe partneritetin me SHBA-në.
Zëvendëskryeministri Bislimi e etiketoi dhe e përshkroi Projektin e Gazit si një projekt rus, mohoi vendimet e qeverive të mëparshme dhe dezinformoi publikun me shumë të pavërteta të dëmshme.
Nga ju Kryminister pres distancimin publik dhe thirrje në përgjegjësi të Zëvendëskryeministrit Bislimi, në të kundertën e vlerësoj që qendrimet e Zëvendëskryeministrit dhe të Kryeministrit janë në pajtushmëri të plotë. Prandaj, në keto rrethana kërkesën për një takim konsultativ e konsideroj si të panevojshëm.
Për më tepër, ne presim që qeveria të marrë vendimet e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e projektit të Kompaktit bazuar në studimet e kryera deri më tani nga të gjithë aktorët e përfshirë. Rekomandimet tona janë si më poshtë:
Projekti për Zhvillimin e Sektorit të Gazit të mbështetet nga Qeveria dhe të integrohet në planifikime strategjike.
Revidimi i Strategjisë së Energjisë të mos vonohet dhe të integroj në vetvete zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe kapaciteteve gjeneruese.
Përveç mbështetjes së Kompaktit për këtë projekt, Qeveria e Kosovës duhet të përkushtohet në avancimin e negociatave me BERZH-in dhe BE-në për të siguruar financimin e projektit të gazit.
Qeveria e Kosovës të fillon krijimin e kushteve per krijimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).
Të mbështetet studimet e mëtejshëme për komponentën e prodhimit të gazit në energji për të adresuar nevojat për rezerva dytësore dhe terciare për të balancuar sistemin e rrjetit të transmisionit.
Jam gjithashtu në dijeni që zbatimi i projekteve me interes strategjik për vendin kërkon kohë dhe qasje në financa, prandaj presim që studimet shtesë që janë duke u zhvilluar të ndihmojnë në matjen e këtyre kërkesave.
Në fund, mbështes përpilimin e Programit Kompakt siç rekomandohet në studimin e para-fizibilitetit dhe shpresoj se rezultatet e fizibilitetit do të vlerësojnë kushtet e tranzicionit të prodhimit të energjisë në Kosovë, nga thëngjilli në gaz, dhe potencialisht në burime të tjera që janë më miqësore për mjedisin.
Sinqerisht,
Ramush Haradinaj
Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës /arbresh.info/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...