Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në orët e vona të mbrëmjes ka vizituar mihjen sipërfaqësore në fshatin Shipitullë, pas arritjes së marrëveshjes me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade të Komunës së Obiliqit.
Në mihjen sipërfaqësore, Haradinaj pa nga afër rifillimin e punës së eskavatorëve të KEK-ut, të cilët punën e tyre e kishin ndërprerë para 14 muajsh, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet banorëve të asaj zone dhe KEK-ut.
“Pas gjithë konsultave që i kemi pasur me banorët e Shipitullës dhe të Hades, menaxhmentin e KEK-ut, ministritë e Ambientit dhe të Zhvillimit Ekonomik, dhe pas një pune voluminoze kemi ardhur deri te zgjidhja. Eskavatorët kanë filluar punën dhe ende jemi në kohë që të mos ndalet prodhimi i energjisë”, tha Haradinaj.
Ai ka përmendur humbjet që do t’i shkaktoheshin vendit, po që se nuk do të arrihej kjo marrëveshje. “Kosova do të humbte rreth 500 mijë euro në ditë, sipas kalkulimeve të përafërta. Pra kemi qenë afër një situate e cila do të na kushtonte shumë“, ka deklaruar kryeministri.
Gjatë qëndrimit në mihje, Haradinaj u shpreh i bindur se furnizimi me energji elektrike do të jetë në nivel gjatë sezonit të dimrit.
Ai tha po ashtu se si model për kompensim për shtëpitë e banorëve të Shipitullës kanë marrë modelin e mëhershëm që e ka përdorur Qeveria për lagjen Shala të Hades. “Është gjetur një zgjidhje që është e dinjitetshme jo vetëm për banorët, por edhe tregon përkujdesin e Qeverisë, shtetit të Kosovës për banorët e zhvendosur të Shipitullës, por edhe për banorët e Hades“, tha Haradinaj.
Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, ka falënderuar kryeministrin për angazhimin e pandërprerë në adresimin e kësaj çështjeje. “Rifillimi i ekskavatorëve sot nënkupton një siguri të furnizimit. Falë kësaj marrëveshje ne mund të konfirmojmë se kemi evituar një gjendje katastrofike për banorët dhe për gjithë vendin”, është shprehur Gjukaj.
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...