Google ADS

Haradinaj fton Listën serbe për votimin e buxhetit të Kosovës

20:29 | 2 Janar 2019
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se është e rëndësishme që në seancën kur do të votohet për buxhetin e Kosovës, të jetë prezentë edhe Lista Serbe.

Haradinaj ka thënë se në hartimin e buxhetit i kanë identifikuar nevojat e komunave ku jetojnë serbët dhe se është e nevojshme që ata të jenë për të votuar për këto projekte.

“Është me rëndësi të jenë atë ditë kur votohet buxheti, unë i kisha lut që ata ta bëjnë këtë, sepse do të thosha është përgjegjësi më e madhe e tyre para popullit. Nëse e merrni ata të zgjedhurit e popullit a duhet të jenë, është e nevojshme të jetë atë ditë ata aty të votojnë, unë nuk e kisha ndërpre koalicionin me ta. Por, është më mirë për ta, për procesin në të ardhmen, për buxhetin”, tha ai.

Ndërsa, i pyetur rreth zbardhjes së vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Haradinaj ka thënë se janë të përkushtuar që të zbardhet e vërteta, por ka thënë se ndoshta përgjigja për vrasjen e tij nuk është në Kosovë.

“Kemi qenë të përgatitur dhe kemi vazhduar të punojmë t’i kryejmë hetimet dhe të dimë të vërtetën. Por, është e vështirë me dhënë përgjigje e plotë, sepse gjërat janë të lidhura, ndoshta nuk është përgjigja në Kosovë. Por, unë nuk mundem tani të them në mënyrë precize ku është përgjigja, ndonjëherë atje ku mendojmë nuk është. Prandaj, unë nuk ngutem të jap propozim, por jemi të interesuar dhe do t’i lusim të gjithë që kanë informata të na ndihmojnë të realizohet drejtësia dhe të gjejmë mënyrën që nëse kanë ndonjë dëshmi në lidhje me atë rast”, tha Haradinaj.

Këto komente kreu i Qeverisë i ka bërë pas takimit që ka pasur me zëvendës presidentin e Parlamentit Evropian Rainer Wieland.

 

Të ngjashme