Google ADS

Haradinaj flet për marrëveshjen: Ministrat i kanë pasur dorëheqjet e përgatitura, ndryshimi i pikës për Ujmanin qetësoi koalicionin

23:22 | 5 Shtator 2020
Arditë Shkodra

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka ka folur për marrëveshjen e arritur të premten në Uashington, mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin ekonomik.

Në një prononcim për Telegrafin, Haradinaj tha se versioni i parë i marrëveshjes nuk ka qenë siç duhet sa i përket çështjes së Ujmanit, pasi në dokument shkruhej që të dy palët ndajnë Liqenin e Ujmanit/Gazivodes për furnizim me ujë dhe energji!

Ai thotë se ka insistuar që kjo të ndryshohet, në të kundërtën AAK, ka qenë gati për të dalë nga koalicioni me LDK-në.

Kjo pikë më pas ishte ndryshuar, për tu zëvendësuar me studimin e fizibilitetit nga Departamenti për Energji i SHBA-ve.

“Versioni i parë dokumentit ka qenë jo korrekt, sa i përket Ujmanit dhe kjo për neve ka qenë e papranueshme. Për këtë kemi mbajt qëndrim. Pas kërkesës tonë, pika ku flitej për Liqenin e Ujmanit është ndryshuar. Nëse nuk ishte marrë parasysh kërkesa jonë, ne kemi qenë të gatshëm për ta lëshuar koalicionin me LDK-në. Ministrat kanë i kanë pasur dorëheqjet e përgatitura”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i AAK-së u shpreh se ka mbajtur barrën e marrëveshjes pasi tha se varej nga ai, se çka do të ndodhte në Uashington.

“Barra e marrëveshjes ra mbi mua, nuk ka qenë e lehtë. Andaj duhet të jemi vigjilent në të ardhmen që të mësojmë nga përvojat jo të mira që kemi pasur na mësojnë se nuk duhet të entuziazmohemi në raste të tilla”, tha ish kryeministri.

Ndërkaq i pyetur për lëkundjen e koalicionit, Haradinaj konfirmoi se kanë kaluar tensionet dhe koalicioni është i qëndrueshëm.

Sa i përket 16 pikave të marrëveshjes, Haradinaj ka thënë se Kosova ka fituar.

“Kosova me 4 shtator në Uashington ka fituar, nuk është humbëse. Për këtë e kam mbështetur marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë. Ne ende kemi vështirësi por duhet punojmë….”

“Për arritjen e kësaj marrëveshjeje, shpreh falënderim ndaj SHBA-së, presidentit Trump, emisarit special për dialog, Richard Grenell, e të tjerë, që kanë punuar në këtë në vazhdimësi”, ka thënë Haradinaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme