Ramush Haradinaj ndonëse pretendon se tashmë i ka 61 votat e nevojshme të deputetëve për t’u zgjedhur kryeministër i Kosovës, ligjvënësit minoritarë ende nuk janë me një zë për ta votuar kandidatin e koalicionit PAN për shef të ri të Qeverisë.
Deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë për “Zërin” se ende nuk kanë biseduar me asnjërën nga partitë shqiptare për koalicion paszgjedhor, por ai është treguar i gatshëm të bisedojë me të gjitha partitë për formimin sa më të shpejtë të institucioneve. Simiq nuk ka treguar nëse Lista Serbe do ta përkrahë kandidatin për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinajn. “Lista Serbe nuk ka mbajtur konsultime me asnjë përfaqësues politik shqiptar. Ne fillimisht presim që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi për t’u formuar dhe për të marrë çdo gjë që na takon ne në komisionet parlamentare si grup parlamentar i mirorganizuar dhe i fortë. Ne jemi të gatshëm të marrin pjesë në konsultime politike me përfaqësuesit e partive shqiptare, në mënyrë që të vendosim për qëndrimet dhe për perspektivat politike. Sigurisht kjo është në interesin tonë që institucionet sa më shpejt të jetë e mundur të fillojnë të funksionojnë me kapacitet të plotë dhe ne presim që partitë shqiptare të kuptojnë se pa një prani të fortë të Serbisë në procesin politik ne nuk mund të kemi vlera evropiane institucionale, sociale dhe standarde në Kosovë”, ka deklaruar Simiq.
Edhe Etem Afiri, nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, ka treguar se megjithëse janë të ftuar nga pretenduesit për kryeministër, akoma nuk kanë vendosur nëse do ta votojnë Haradinajn për kryeministër apo jo. “Përderisa jemi të ftuar nga partitë politike dhe ata pretendues për kryeministër do të bisedojmë, do të marrim një vendim nga kryesia e partisë. Tash për tash akoma nuk e di se nga do të shkoj vota ime. Si parti akoma nuk kemi vendosur nëse do ta përkrahim apo jo”, tha ai për “Zërin”.
Ndërsa Veton Berisha, nga Partia Liberale Egjiptiane, i tha “Zërit” se pa plotësimin e kushteve që kjo parti i ka dhe pa pjesëmarrje aktive në Qeveri nuk do të ketë votë për Haradinajn. “Neve vetë Kushtetuta na jep të drejtën të jemi në qeverisje, por ne shpresojmë dhe besojmë për ndryshime. Në rastin tonë si Parti Liberale Egjiptiane, ne akoma nuk mund të konfirmojmë apo jo pjesëmarrjen tonë në qeverisjen ‘Haradinaj’. Ne i kemi kushtet tona dhe nuk do të hymë pa kushte”, tha Berisha.
Kurse Albert Kinolli, deputet nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, ka shprehur përkrahje për kandidatin e PAN-it për kryeministër, duke thënë se edhe partia dhe vetë ai do ta votojnë Haradinajn për kryeministër. “Partia Rome e Bashkuar e Kosovës është e gatshme dhe e përkushtuar që të japë kontributin e saj për themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse një gjë të tillë e meritojnë qytetarët tanë, andaj PREBK-ja e përkrah koalicionin PAN dhe z. Ramush Haradinajn për kryeministër të vendit”, tha ai për “Zërin”.
Të gjithë deputetët minoritarë i kanë 20 vota në Kuvend. Duke marrë për bazë numrin e votave në Kuvend të koalicionit PAN, 39 dhe 20 vota të minoriteteve koalicionit PAN i duhen së paku edhe dy vota të tjera të deputetëve shqiptarë.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...