Google ADS

Haradinaj e Muhaxheri shmangin përballjen në gjykatë

14:41 | 5 Qershor 2018
Arbresh.info
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, procesin gjyqësor e kanë nisur duke iu shmangur përballjes së tyre në gjykatë.
As kreu i AAK-së, e as zyrtari i lartë i LDK-së, nuk janë paraqitur të martën në Gjykatën Themelore në Pejë, ku me pretendimet për fyerje dhe shpifje ndaj tij, Haradinaj në vitin 2015, e kishte paditur Muhaxherin.

Padia ndaj Muhaxherit, ka ardhur me pretendimet se kryetari i Pejës, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, kishte thënë se Haradinaj po bënë para duke kontrolluar biznesin e naftës dhe lojërave të fatit.

Këto deklarata të Muhaxherit, Haradinaj i kishte cilësuar si shpifje, me ç’rast edhe kishte ushtruar padi, duke kërkuar dëmshpërblim në shumë prej 250 mijë eurosh.

Pikërisht, kjo padi ka nisur të shqyrtohet në Gjykatën Themelore në Pejë, ku të martën është mbajtur seanca përgatitore në këtë rast.

Në këtë seancë, nuk ka marr pjesë as kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe as kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhri.

Haradinaj, është përfaqësuar nga avokati Arianit Koci, ndërsa në këtë seancë ka munguar edhe avokati i Muhaxherit, Besnik Berisha, shkruan Betimiperdrejtesi.com.

Gjykatësja Ganimete Puka, ka deklaruar se i padituri Muhaxheri, e ka njoftuar gjykatën se ai nuk ka pasur mundësi të vijë në seancë për arsye objektive.

Gjatë seancës përgatitore, përfaqësuesi i paditësit, Ramush Haradinaj, avokati Arianit Koci, deklaroi se i padituri Gazmend Muhaxheri në prononcimin e tij në gazetën austriake “Der Standard”, më 11 prill 2015, ka shpifur ndaj paditësit Ramush Haradinaj, me ç’rast sipas tij, është dëmtuar reputacioni i paditësit Haradinaj.

“I padituri duke iu referuar disa ngjarjeve që asnjëherë nuk janë zbardhur dhe të cilat kanë ndodhur pas luftës, i ndërlidhë ato me paditësin. I padituri Muhaxheri përmend përleshje të përgjakshme, dukë iu referuar atyre në mënyrë shpifëse dhe aluduese, si përleshje në mes ‘klanit Haradinaj’ dhe luftëtarëve të FARK-ut. I padituri nuk ndalet me kaq vazhdon me deklarimet shpifëse, duke shtuar se ‘shefi i AAK-së Ramush Haradinaj dhe njerëzit e tij ende bëjnë para me benzinë dhe lojëra fati”, ka deklaruar Koci.

Kurse, në përgjigjen në padi të paditurit Muhaxheri, të dhënë me 21 janar 2018, theksohet se konteston në tërësi padinë dhe kërkesën e saj si të pabazuar dhe përmes përgjigjes ka propozuar të dëgjohet në cilësinë e dëshmitares gazetarja e gazetës austriake “Der Standard”, Adel Heit Volf.

Përfaqësuesi i paditësit Ramush Haradinaj, avokati Koci lidhur më përgjigjën në padi deklaroi se pretendimi i të paditurit Gazmend Muhaxheri se është keqkuptuar dhe keqinterpretuar në atë artikull është një tentim i pasuksesshëm për tu shfajësuar.

“A po i bien sipas të paditurit Muhaxheri se gazeta austriake “De standard” paska shpifur dhe fyer për zotin Haradinaj. A mund dikush të besoj se një gazetë prestigjioze të merret me gënjeshtra kaq brutale”, ka thënë Koci.

Kurse gjyqtarja e çështjes, Puka, mori aktvendim me të cilën aprovoi propozimin e të paditurit për leximin e artikullit të gazetës “De Standard” , po ashtu edhe artikullin e publikuar në portalin “Dialog Plus”.

Ndërkaq, refuzoi propozimin e të paditurit Gazmend Muhaxheri që në cilësinë e dëshmitarit të procedohet gazetarja Adel Heit Volf, me arsyetimin se dëshmia e saj është irrelevante.

Seanca e radhës u caktua me 9 korrik 2018, në ora 10:00

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 3 nëntor 2015, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj si paditës, pretendon se është fyer dhe i është cenuar personaliteti dhe prestigji i tij, nga i padituri Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, në intervistën e dhënë në gazetën austriake “De Standard”.

Sipas pretendimeve të padisë, i padituri Muhaxheri gjatë një interviste të dhënë në të përditshmen austriake “Der Standard”, me një gjuhë denigruese për Haradinajn ka shpifur duke e ndërlidhur të njëjtin më biznese të pompave të benzinës dhe me lojërat e fatit, po ashtu edhe me disa përleshje që kane ndodhur pas luftës në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme