Haradinaj e ka të vështirë të krijojë koalicion të qëndrueshëm qeverisës

12:40 | 14 Korrik 2017
Arbresh.info

Dy subjektet politike shqiptare, koalicioni LAA dhe Vetëvendosja e refuzuan Ramush Haradinajn, që të bisedojnë për formimin e qeverisë. Alternativa e Haradinajt mbeten pakicat, por numrat nuk mjaftojnë.

I mandatuari i koalicionit fitues të zgjedhjeve PAN, Ramush Haradinaj, në këtë fazë duket se e ka të vështirë të bindë dy subjektet politike shqiptare, LAA dhe Vetëvendosjen, që të ulen dhe bisedojnë së bashku, për koalicion qeveritar. Këto dy subjekte politike i refuzuan ftesat e Haradinajn për bisedime rreth koalicionit. Ato theksuan shumë qartë se nuk duan të hyjnë në koalicion me PAN-in, ku është pjesë Partia Demokratike e Kosovës (PDK). I ndodhur në këtë situatë, Ramush Haradinaj, thotë se ka filluar të konsultohet me deputet veç e veç, në përpjekje për t’i bindur ata që ta votojnë qeverinë e tij.

“Kam pasur takime me LAA-në, apo më mirë të them me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partnerët. Kam pasur kontakte dhe komunikim edhe me Vetëvendosjen, pra me deputetë të zgjedhur, me njerëz të tyre dhe njëkohësisht kam pasur takime e konsulta me komunitetet, në këtë rast serbët e Kosovës, me Listën Serbe, si dhe komunitetet tjera”, thotë Haradinaj, duke mos saktësuar se nga cili deputet shqiptar i krahut kundërshtar e ka marrë përkrahjen.

Mbështetja e pakicave

Pakicat jo-serbe thotë Haradinaj, do ta votojnë qeverinë e tij. Parlamenti i Kosovës i ka 120 vende dhe për tu votuar qeveria nevojiten të paktën 61 vota. Koalicioni PAN, në zgjedhjet e 11 qershorit mori 39 vende. Me 20 vende të pakicave që zoti Haradinaj po pretendon t’i ketë, arrihet shifra e 59 deputetëve. Por kjo nuk mjafton për të formuar qeverinë, sepse i duhen edhe dy vota të tjera. Haradinaj pohon se i ka siguruar numrat e mjaftueshëm për qeveri, por nuk e ka shpjeguar se kush do ta votojë kabinetin e tij qeveritar.

Vetëvendosja dhe LAA refuzojnë

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, nuk pranoi ta takoi zotin Haradinaj, me shpjegimin se në letrën drejtuar Vetëvendosjes, Haradinaj nuk e bënte të qartë qëllimin e takimit. “Prej letrës së tij, kuptohej që Ramush Haradinaj dëshironte takim, por nuk ishte i qartë qëllimi i këtij takimi. Nëse është fjala për koordinimin e mbledhjes së parë të Kuvendit, ky nuk është roli e as detyra e z. Haradinaj. Duke qenë vetëm njëri prej deputetëve të legjislaturës së gjashtë z. Haradinaj nuk e ka rolin e koordinimit dhe konsultimit për mbledhjen e parë. Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje, ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK dhe pasi Haradinaj të dalë prej koalicionit PAN”, thotë në reagimin e tij, Visa Ymeri.

Edhe Avdullah Hoti, i nominuari për kryeministër nga koalicioni LAA, thotë se lista e deputetëve të koalicionit të tij nuk do ta votojnë qeverinë Haradinaj. “Koalicioni jonë është unik, qëndrojmë mbrapa marrëveshjes që kemi mbërritur me AKR, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi. Kemi filluar diskutimet e brendshme për pjesëmarrjen në seancën konstituive të kuvendit. Tani po presim që presidenti të ftojë seancën e parë konstituive të kuvendit dhe të fillojë procesi i konstituimit të institucioneve të reja të dala nga këto zgjedhje”, thotë Avdullah Hoti.

Zyrtarë të AAK-së, partisë nga vjen Ramush Haradinaj, thonë se ata akoma nuk kanë pranuar përgjigje formale nga dy subjektet politike shqiptare të cilave ju bë ftesë për bashkëpunim.

“Ne u kemi bërë ftesë formale dhe presim përgjigje formale. Propozimet e para ua bëjmë partive parlamentare, që të jenë pjesë e qeverisjes. Nëse kemi refuzim, atëherë do të shikojmë mundësinë e ndërtimit të partneritetit me deputetë, jashtë grupeve parlamentare”, është shprehur Avni Arifi, anëtar i kryesisë së AAK-së.

Lista “Srpska” të gatshëm për bisedime me Haradinajn dhe Kurtin

Përfaqësues së listës serbe “Srpska”, kanë thënë se ata janë të gatshëm të bisedojnë me secilin udhëheqës politik shqiptar që mund ta formojë qeverinë e Kosovës, qoftë ai Ramush Haradinaj apo Albin Kurti. Sllavko Simiq, kryetar i listës serbe, ka thënë për mediet lokale serbe se për të prioritet mbetet pjesëmarrja në qeveri dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne do të marrim pjesë në të gjitha konsultimet politike, pavarësisht se a është ai Ramush Haradinaj, Albin Kurti apo Isa Mustafa. Për ne është shumë me rëndësi që të që të zbatohet e gjithë ajo që është arritur në Bruksel, para së gjithash formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thotë Sllavko Simiq.

Analistët për përpjkejet e Haradinajt

Burim Ramadani, njohës i rrethanave politike në Kosovë, thotë se komunikimi i përbashkët politik mes partive dhe udhëheqësve, mes institucioneve dhe mekanizmave shtetërorë, duhet të ndodh në vazhdimësi. “Tri vitet e fundit një prej qasjeve më të gabueshme ka qenë “arroganca e numrave” dhe “disiplinimi i kundërshtuesve”. Kjo nuk duhet të përsëritet dhe në këtë frymë e shoh ftesën që Haradinaj i ka bërë partive politike. Diçka ndryshe. Pra, Ramushi e nisi ndryshe këtë proces. Bashkëpunues dhe komunikues, sepse e tillë duhet të jetë qasja. Pozitë e opozitë të komunikojnë, pavarësisht dallimeve në synime, ide apo platforma politike”, thotë Burim Ramadani.

Ndërsa Ramush Tahiri, ftesën e zotit Haradinaj drejtuar dy subjekteve politike kundërshtare për të diskutuar mundësinë e formimit të qeverisë, e cilëson “propagandë mediatike të zotit Haradinaj”.

“Oferta për takime drejtuar partive politike duhet të bëhet në mënyrë zyrtare, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Në këtë rast duhet që bartësi i listës së koalicionit PAN, që është kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ta bëjë ftesën e jo kandidati për kryeministër këtij koalicioni Ramush Haradinaj, për faktin që ky i fundit akoma nuk është nominuar nga Presidenti i Republikës për ta formuar qeverinë, transmeton Deutsche Welle.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se ai e ka konfirmimin nga mandatari i koalicionit fitues se Qeveria e Kosovës do të formohet pa vonesa. Presidenti pohon se lidhur me mandatarin për formimin e qeverisë, ai do të respektojë Kushtetutën e Kosovës. Presidenti akoma nuk e ka caktuar datën e konstituimit të parlamentit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka çertifikuar rezultatet dhe nuk ka më asnjë pengesë për konstituimin e legjislaturës së re.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme