Haradinaj: Dialogu ka kuptim vetëm me Kosovën e pavarur

15:17 | 28 Nëntor 2017
Arbresh.info

Populli i Kosovës pret nga Serbia që në fund të dialogut Beogradi të njohë pavarësinë e Kosovës. Kështu i ka thënë DW-së kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. “Dialogu për ne ka kuptim vetëm nëse ndodh kjo”, është shprehur ai.

Sipas kryeministrit, dialogu kishte ecur përpara deri kur u nënshkruan marrëveshjet në Bruksel, më 2013.

“Më tutje dialogu nuk pati domethënie të vërtetë. Jemi të shqetësuar, meqë nuk duhet të jetë dialog sa për dialog, por dialog për përparimin e shoqërisë sonë, në të dy vendet. Jam përpjekur që si Qeveri të përgatisim platformën për fazën e ardhshme të dialogut dhe ajo do t’i propozohet Kuvendit tonë ku të gjithë do të kenë mundësinë të japin kontributin”, tha Haradinaj.

I pyetur nëse më fund do të formohet Asociacioni i Komunave m e shumicë serbe, Haradinaj u përgjigj se formimi i Asociacionit edhe më tutje ka mundësi të formohet sipas Kushtetutës së Kosovës, e cila formimin e një asociacioni të tillë e sheh si “si organ koordinues, por kurrsesi ekzekutiv”.

Kryeministri i Kosovës për mundësinë e ndarjes së Kosovës ka thënë “Loja me kufijtë është e rrezikshme për Ballkanin, pavarësisht se kush luan me ta”.

“Nuk besoj se ato janë tregime serioze dhe nuk do të doja që për këtë të flas ndonjëherë, meqë e di se çfarë do të pasojë nëse bëjmë lojë me to. Do të pasonin tragjeditë të cilat na kujtohen sot e kësaj dite dhe nuk më duket mençuri të flasim për to. Është shumë gjë e rrezikshme”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Haradinaj ka thënë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi do të zgjidhet dhe Kosova përfundimisht të marrë liberalizimin e vizave.

Për Gjykatën Speciale për krimet e UÇK-së, që do të fillojë punën në Hagë, Haradinaj ka thënë se bëhet fjalë për diskriminim “meqë nuk kërkohet e drejta për të gjitha viktimat, por vetëm për disa sipas seleksionimit kombëtar, që nuk është rruga më e mirë për drejtësi”. Ndonëse ka kundërshtuar më herët këtë gjykatë, tash thotë se Kosova do të përmbushë detyrimet e marra dhe do të bashkëpunojë me gjykatën, raportohet t’i ketë thënë Haradinaj DW-së.

Të ngjashme