Google ADS

Haradinaj dhe Kurti përshëndeten “ftohtë” në tubimin e minatorëve

15:29 | 20 Shkurt 2024
L G

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ka “injoruar’ kryeministrin Albin Kurti, gjatë ceremonisë së shënimit të 35-vjetorin e Grevës së Minatorëve, mbajtur sot në Stantërg.

Haradinaj ia ka zgjatur dorën “ftohtë” Kurtit, duke mos u ngritur nga vendi, sikur shihet në pamjet e Ekonomia Online.

Më pas në një postim në Facebook, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar Qeverinë Kurti se po i mashtron minatorët.

Ai ka thënë se menaxhimi i dobët i Trepçës dhe mungesa e investimeve serioze, këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit.

“Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të “Trepçës” e regjistruam si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Ky ishte një hap kyç për t’i dhënë këtij aseti fuqinë e nevojshme për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave, për punësim dhe për ta rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit dhe shtetit të Kosovës, si dhe për të mbështetur vetë minatorët, duke i bërë hisedarë me 20% të aksioneve”, ka shkruar Haradinaj.

“Fatkeqësisht, kur jemi 5 vjet nga votimi i Statutit të Trepcës, menaxhimi i dobët dhe mungesa e investimeve serioze, këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit. Nëse nuk intervenohet shpejt, gjendja do bëhet edhe më serioze. Është turpëruese retorika mashtruese e pushtetarëve e cila nuk e mbulon mungesën e financave, situatën me borxhe e prodhim material. Ndërkaq, punëtorët përballen me kushte të rënda pune, të ardhura tejet minimale e pa sigurim shëndetësor. Trepça ka potencial ta rikthejë shkëlqimin e dikurshëm dhe të jetë krah i fortë i ekonomisë sonë”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme