Haradinaj dha dorëheqje… dhe vazhdoi punën si kryeministër

08:13 | 22 Korrik 2019
Arbresh.info

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme të premten, kur tha se është ftuar në Hagë si i dyshuar për krime lufte. Tha se atje do që të dëshmojë si qytetar e ish-luftëtar e jo nga posti i kryeministrit. Por të dielën Haradinaj vazhdoi punën e kryeministrit në Rahovec, ku si shef i Qeverisë e bëri zbulimin e shtatores së Shejh Muhedin Shehut.

Madje, në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit në lidhje me ngjarjen, nuk ka asnjë referencë rreth dorëheqjes e cila të premten u prezantua si e parevokueshme, ndërsa vetë Haradinaj para gazetarëve foli si një kryeministër në detyrë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Derisa në aspektin juridik gjithçka është brenda ligjeve të vendit, pasi që Kushtetua nuk kufizon kompetencat e Qeverisë në dorëheqje, përderisa as kjo Qeveri si ato parapraket nuk arriti që Kosovën ta bëjë me Ligj për Qeverinë, jo të gjithë e shohin si të pranueshme situatën e tillë. Madje, ka vëzhgues që e cilësojnë gjithë situatën si një manipulim politik.

Analisti Behlul Beqaj thotë se ky është “manipulim propagandistik nga Haradinaj për ta forcuar rolin e tij”. Megjithatë, ai ka sqaruar për Koha.net se derisa dorëheqja e tij të miratohet zyrtarisht nga Parlamenti, ai mund ta shfrytëzojë këtë vakuum për qëllimet e tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme