Haradinaj: Daçiqi po vendos gjithkund mina për Kosovën

22:57 | 4 Prill 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një emision në RTV Dukagjini ka thënë se vetëm AKI ka qenë në dijeni se cili është avioni me të cilin janë deportuar gylensitët.

Sipas tij, avioni nuk mund të identifikohet nga pamja dhe nëse bëhet kërkesë për një avion privat.

“Avioni nuk dallon kur të shihet se për çka është. Nuk mund ta identifikosh në pamje. Janë kërkesat për leje për një aeroplan privat dhe kaq. Për atë kanë mundur ta dinë vetëm AKI se çka është, asgjë më shumë. Sa i përket gylensitëve, nuk kam pasur informata të detajuara për ta, pasi ka ndodhur ngjarja kam marr informacione të detajuara. Kam reaguar menjëherë por nuk kam mundur të marr vendim menjëherë vetëm kam paralajmëruar për veprime. Tërë natën kemi qëndruar duke u marr me rastin dhe të nesërmen, në 8 të mëngjesit kemi marr vendim dhe dy veta kanë shkuar në shtëpi”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket deklaratës së një zyrtari të qeverisë se “tërheqja e njohjes nga Republika e Burundit nuk ka rëndësi”, Haradinaj ka thënë se një gjë e tillë nuk duhet të merret shumë e rëndësishme.

Sipas tij, e gjithë kjo është propagandë e Serbisë.

“Është një agresivitet i madh i politikës së Serbisë. Vuçiqi shkon në Bruksel duke thënë se donë të merret vesh me Kosovë, ndërsa Daçiqin e ka qitur për të vendosur mina gjithkund për Kosovën. Behgjeti është duke u marrë me këtë punë dhe po punon përkundër sfidave të mëdha”, ka shtuar ai.

Ndërsa sa i përket formimit të Asociacionit, ai ka thënë se çdo gjë do formohet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Kushtetues. Sipas tij, në rast se nuk ndodh kjo, Kosova ka një Gjykatë Kushtetuese e cila është kredibile, siç ka qenë edhe herën e kaluar kur ka gjet parregullsitë në marrëveshjen e Asociacionit.

“Ky asociacion bëhet në bazë të ligjeve të Kosovës, në bazë të Kushtetutës. Të gjithë janë të interesuar të lëvizin në këtë proces. Sa do e keqe ajo marrëveshje, ajo e ka një qelës të mirë që mund ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur nëse në Kosovë mund të ketë bosnizim, ai është përgjigjur se gjithçka është e mundur, por duke përjashtuar ndarje të Kosovës.

“Çdo gjë është e rrezikshme dhe duhet të jemi të kujdesshëm në çdo hap. Nuk ka ndarje, është “përrallë me tupan” shkëmbimi i territoreve. Nëse e ki gjykatën kushtetuese kredibile, nuk mund të ketë asgjë që mund të dal jashtë kushtetues”, ka shtuar Haradinaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme