Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka folur për marrëveshjet për normalizim ekonomik që Kosova dhe Serbia nënshkruan dje në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit Donald Trump.
Në një prononcim për Telegrafin, Haradinaj tha se versioni i parë i marrëveshjes nuk ka qenë siç duhet sa i përket çështjes së Ujmanit, pasi në dokument shkruhej që të dy palët ndajnë Liqenin e Ujmanit/Gazivodes për furnizim me ujë dhe energji.
Ai thotë se ka insistuar që kjo të ndryshohet, në të kundërtën AAK-ja ka qenë gati për të dalë nga koalicioni me LDK-në.
Kjo pikë, sipas tij, më pas ishte ndryshuar për t’u zëvendësuar me studimin e fizibilitetit nga Departamenti për Energji i SHBA-ve.
“Versioni i parë i dokumentit ka qenë jokorrekt sa i përket Ujmanit dhe kjo për neve ka qenë e papranueshme. Për këtë kemi mbajtur qëndrim. Pas kërkesës tonë, pika ku flitej për Liqenin e Ujmanit është ndryshuar. Nëse nuk ishte marrë parasysh kërkesa jonë, ne kemi qenë të gatshëm për ta lëshuar koalicionin me LDK-në. Ministrat tanë i kanë pasur dorëheqjet e përgatitura”.
Kreu i AAK-së u shpreh se e ka mbajtur barrën e marrëveshjes pasi tha se varej nga ai se çka do të ndodhte në Washington.
Barra e marrëveshjes ra mbi mua, nuk ka qenë e lehtë. Andaj duhet të jemi vigjilent në të ardhmen që të mësojmë nga përvojat jo të mira që kemi pasur na mësojnë se nuk duhet të entuziazmohemi në raste të tilla”.
Ndërkaq i pyetur për lëkundjen e koalicionit, Haradinaj konfirmoi se kanë kaluar tensionet dhe koalicioni është i qëndrueshëm.
Sa i përket 16 pikave të marrëveshjes, Haradinaj ka thënë se Kosova ka fituar.
“Kosova më 4 shtator në Washington ka fituar, nuk është humbëse. Për këtë e kam mbështetur marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë. Ne ende kemi vështirësi, por duhet punojmë”.
“Për arritjen e kësaj marrëveshjeje, shpreh falënderim ndaj SHBA-së, presidentit Donald Trump, Emisarit Special për Dialog Richard Grenell dhe të tjerë që kanë punuar në këtë në vazhdimësi”./ Telegrafi
Fermerët francezë në protesta mbi marrëveshjen tregtare BE-M...
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...
Amorimi sot mban seancën e parë stërvitore me Unitedin
Vendimi i Biden për raketat/ Kremlini: SHBA po i hedh benzin...