Mbrëmë në Muzeun e Kosovës, u hap një ekspozitë me fotografitë e disa fëmijëve të cilët kanë zgjedhur ti shesin ato fotografi. Pamje të qytetit, të luleve, të ndërtesave e arkitekturës, pamje të peizazhit të qytetit nga perspektiva të ndryshme, e rrumbullakuan ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë” e cila solli freski e buzëqeshje në fytyrat e këtyre fëmijëve.
Shoqëruar me fotografin Ridvan Slivova, fëmijët kanë krijuar diçka magjike me fotografitë e tyre, duke i futur ato në gurë dhe në dru, duke i kthyer në kopertina librash, duke luajtur me formë e drurit dhe përzierjes së fotografisë. Mbrëmë, ekspozita shitëse erdhi me qëllimin që paratë e mbledhura nga shitja e fotografive të futen në fondin e Down Syndrome Kosova.
Slivova tregoi sa i rëndësishëm ishte për të personalisht një mision i tillë, një bashkëpunim me këta fëmijë.
“Kemi punuar për gjashtë muaj, me këta të rinj të cilët janë të sjellshëm por edhe kanë prodhuar fotografi shumë kreative. Ju do ta shihni vetë ekspozitën, ndërsa unë jam tejet i kënaqur me veprat dhe produktin që ka dalë si përfundim. Jam i nderuar për këtë mundësi” tha Slivova në fjalën e hapjes së ekspozitës.
Ekspozita erdhi mbrëmë në kuadër të muajit tetor, muajit ndërgjegjësues për Sindromën Down.
“Për mua çdo muaj duhet të jetë një muaj ndërgjegjësues, prandaj më mirë po e konsideroj si fillimin e ndërgjegjësimit dhe jo fundin e tij, fundin e tetorit. Kjo ekspozitë le të shërbejë si nisje për ndërgjegjësim për më shumë dashuri për këta fëmijë” vazhdon Slivova.
Dorontina Luma, Eloida Alija e Donik Berisha, dhe të gjithë fëmijët e të rinjtë e tjerë të përfshirë në këtë projekt, morën edhe mirënjohje për pjesëmarrjen e tyre.
Ivo Silhavy – Ambasador i Çekisë në Kosovë, foli para të pranishmëve duke çmuar guximin dhe entuziazmin e këtyre të rinjve për të krijuar art dhe për ta paraqitur atë para publikut, shkruan KultPlus.
“E falënderoj secilin prej këtyre pjesëmarrësve, sepse kanë treguar guxim e po na japin dashuri me fotografitë e tyre. Askush nuk duhet të jetë i përjashtuar, dhe ne nuk do të lejojmë që ata të përjashtohen. Kjo ekspozitë sonte është një projekt për të ndihmuar këta fëmijë dhe për ta rritur kreativitetin e tyre” tregoi mes tjerash Silhavy.Sebahate Hajdini-Beqiri – drejtoreshë e Down Syndrome Kosova, tregoi se është punuar me zell të madh për një ekspozitë të tillë, ndërsa ka shfrytëzuar rastin të përmend edhe njëherë skandalin e librave mësimorë të cilët përdorin edhe sot, në shekullin 21 në Kosovë, terminologji pezhorative kur flasin për këtë komunitet.
Së fundmi, në tekste shkollore në Kosovë, personat me këtë sindromë janë quajtur “Idiot mongoloid”, saktësisht në lëndën e biologjisë.
Në anën tjetër, nuk justifikohet një shkrim akademik katastrofal apo një ndjellje e urrejtjes nga ana e atyre që i shkruajnë këta libra.
Sindroma Down është kusht gjenetik. Trupi i njeriut është i përbërë nga qelizat. Çdo qelizë në trupin e njeriut ka 46 kromozome, 23 kromozome të trashëguar nga njëri prind dhe 23 të tjera të trashëguar nga tjetri prind. Në rastin e sindromës Down, në çiftin e 21-të bashkëngjitet një kromozom shtesë si pasojë e një ndarjeje anormale qelizore, dhe si rezultat individi ka 47 kromozome në çdo qelizë ose në një pjesë të qelizave të trupit të tij.
Sindroma Down është sindroma më e hasur në botë, 1 në 691 lindje. Në bazë të të dhënave të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në Kosovë brenda vitit lindin rreth 35-40 foshnja me sindromë Down, ndërsa numri i përgjithshëm i individëve me sindromë Down në Kosovë është mbi 920.
Xheneta kritikon ashpër Gjestin, ky i fundit fillon të qajë
Zelensky: Macron po na ndihmon në konsultimet lidhur me misi...
Cambridge largohet nga Trepça, mitrovicasit kanë një emër pë...
Struktura fetare e Kosovës: 93.49 % të besimit islam, 2,31 %...
Rriten rastet e braktisjes së shkollës në Kosovë
Profesori Koser: Kosova shembull që duhet ndjekur nga shtete...