Hapet aplikimi për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cënueshme

12:03 | 16 Tetor 2024
E.K

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar hapjen e aplikimit për Programin e Subvencionimit të Energjisë Elektrike për konsumatorët e cënueshëm.

Në një postim në Facebook, Murati theksoi se rihapja e këtij aplikimi ka ardhur si rezultat i pilotimit të suksesshëm vitin e kaluar, ku mbi 61 mijë familje përfituan subvencione për faturat e energjisë.

Ai sqaroi se të drejtë aplikimi kanë të gjitha familjet rezidente në Kosovë.

Postimi i plotë:

Hapet aplikimi për Programin e Subvencionimit të Energjisë Elektrike për Konsumatorët e Cënueshëm

Pas pilotimit me sukses gjatë vitit të kaluar ku përfituan mbi 61 mijë familje nga subvencionimi i faturave të energjisë elektrike, kemi rihapur aplikimin për programin 2024/2025.

Të drejtë aplikimi kanë të gjitha familjet rezidente në Kosovë, dhe që plotësojnë kushtet si vijon:
– Kanë të ardhura* mesatare mujore prej më pak se 150 euro për anëtar. Pra një familje 4 anëtarëshe duhet të ketë më pak se 600 euro të ardhura mujore, dhe
– Kanë në pronësi më pak se 100,000 euro vlerë të paluajtshmërive.

Për familjet që kualifikohen, subvencioni do të paguhet direkt në faturë, përgjatë 6 muajve të stinës së dimrit, pra për periudhën tetor 2024 deri mars 2025.

Lartësia e subvencionit do të varet nga numri i anëtarëve dhe niveli i të ardhurave mesatare të familjes, por nuk mund të tejkalojë 50 euro në muaj.

Aplikimi mund të bëhet në eKosova, tek shërbimi “Grante dhe subvencione”, dhe do të jetë i hapur në vazhdimësi përgjatë programit.

Në mënyrë që të përfitoni që nga muaji i parë, duhet të aplikoni më së largu deri më 31 tetor. Aplikimet që bëhen pas fundit të muajit, mund të përfitojnë
vetëm nga muaji pasues e tutje.

* në llogaritjen e të ardhurave nuk përfshihen të ardhurat nga pensioni për aftësitë e kufizuara (verbër, para/tetraplegjikë), pensioni për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës, pensioni për viktimat civile të luftës, pensioni për invaliditet në punë, dhe të ardhurat nga skema e asistencës sociale./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme