Pas nderimeve dhe homazheve në Prekaz, aktivitetet e tij Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i vijoi në qytet të Mitrovicës, ku mori pjesë në përurimin e investimeve në Kampusit Universitar që përfshinë disa objekte dhe hapësira të Universitetit të Mitrovicës, “Isa Boletini” pikërisht në 11-vjetorin e themelimit të këtij Universiteti.
Në këtë ngjarje të rëndësishme Kurti ishte i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku u mirëpriten nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza dhe Rektorja e Universitetit të Mitrovicës, Nurten Deva, përcjell Arbresh.info.
“Ndërtimet në këtë Kampus kanë filluar që nga viti 2013. Sot u finalizua faza e katërt e investimeve, të cilat kapin vlerën 6 milionë euro, nga mbi 20 milionë euro sa ishte vlera totale e investimeve. Këto investime të realizuara dhe të përfunduara, përfshijnë mensën e studentëve e cila ka kapacitet të ushqejë deri në 500 studentë në të njëjtën kohë, me një hapësirë prej 2920 metra katrorë dhe konviktin me një hapësirë prej 7896 metra katrorë, i përshtatshëm për akomodimin e 279 studentëve”, thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Kryeministrit.
Me këtë rast, Kurti, shprehu falënderimet e tij për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit, stafin e universitetit, si dhe ekipet e përfshira në ndërtimin e këtyre hapësirave, për jetësimin e këtij projekti të madh.
Fillimisht ky institucion u themelua si Shkollë e Lartë Teknike, në vitin 1961, si një dëshmi e vendosmëri e popullit për arsimim e edukim, ndërsa pas 13 vitesh punë dhe angazhim, u themelua Fakulteti i Xehtarisë dhe Metalurgjisë, i cili ngriti dhe zhvilloi kuadro inxhinierie që u angazhuan në industrinë dhe ekonominë e Kosovës, kombinatin elektroenergjetik të Kosovës dhe atë xehetaro-metalurgjik “Trepça”.
“Universitetet përveçse hapësira studimi, janë vende ku mendjet formohen dhe idetë kultivohen”, tha kryeministri Kurti.
Ndër prioritetet kyçe, siç potencoi kryeministri, është mbështetja dhe angazhimi i Qeverisë së Republikës, për nxënësit dhe studentët e vendit tonë, duke ofruar bursa për studentët me notë mesatare të lartë, për studime brenda dhe jashtë vendit, për studentët e komuniteteve e me aftësi të kufizuara, si dhe bursa për vajzat në fushën STEM, si dhe lirim nga pagesa e studimeve 43 mijë studentë të universiteteve publike në vend.
“Cilësia në arsimin e lartë në Kosovë qëndron lart mes prioriteteve të Qeverisë sonë”, u shpreh kryeministri.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Kurti, i inkurajoi të rejat e të rinjtë që të studiojnë, të angazhohen, e të punojnë, për arritjet akademike, për zhvillimin individual e profesional, sepse vetëm në këtë mënyrë i kontribuojnë të ardhmes së Kosovës.
Me këtë rast edhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, u shpreh se ky Universitet është unik në llojin e vet dhe si i tillë e ka vëmendjen e veçantë. Më tej, ajo shtoi se do të vazhdojë që të ofrohet mbështetja e nevojshme nga ana e Qeverisë, përkatësisht nga ana e Ministrisë së Arsimit siç tha ajo dyert janë gjithmonë të hapura në angazhimin dhe përpjekjet e përbashkëta për të përmirësuar përformancën në arsimin e lartë.
“Një Qeveri që ofron mbështetjen e merituar për secilën e secilin, një shtet që krijon mundësi që secili të arrijë dhe të realizoj potencialin e tij të plotë, këto janë zotimet që po na prijnë në punën tonë të përditshme”, ishin fjalët e ministres Nagavci, teksa shprehu urimet dhe përgëzimet e saj për Kampusin universitar.
Kryeministri Kurti së bashku me ministren Nagavci dhe ministrin Sveçla të shoqëruar edhe nga Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza dhe Rektorja e Universitetit të Mitrovicës, Nurten Deva, vazhduan me ceremoninë e prerjes së shiritit dhe vizituan hapësirat e reja të Mensës dhe Konviktit./Arbresh.info
Alex Iwobit iu zbulua dikur paga në internet dhe kishte shif...
Tentohet të vidhet banka në Korçë, policia në vendin e ngjar...
Aksident te Dheu i Bardhë, lëndohen shtatë persona
Pacolli për sulmin në Gjermani: Këta njerëz që ndryshojnë fe...
Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lin...
Blerësit ankohet për çmimet, tregtarët: Ka vështirësi në fur...