Që nga janari, 118 raste të fëmijëve të përfshirë në dhunën në familje – 4 prej tyre me aftësi të kufizuara– HANDIKOS bën thirrje për raportim
Me rastin e shënimit të 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, HANDIKOS sot ka lansuar kampanjën ”Bëhu Mburoja ime!’, me qëllim promovimin e raportimit të dhunës tek fëmijët, në çdo ambient. Kampanja u promovua përmes një konference virtuale, një videoje udhëzuese, publikimit të raportit mbi arritjet kyçe të organizatës në fushën e Mbrojtjes së Fëmijëve, si dhe përmes instalacioneve Kukulla Fëmijë.
Përgjatë konferencës, Rijad Mehmeti, avokues për të drejtat e fëmijëve vuri në theks disa nga të drejtat themelore të fëmijëve, duke thënë se ata janë më të margjinalizuarit në Kosovë, veçanërisht fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ai bëri thirrje që dhuna të raportohet në çdo rast.
” Sot dhe jo vetëm, në emër edhe të të gjithë fëmijëve me aftësi të kufizuara unë ju bëj thirrje që të raportoni secilën formë apo dyshim për abuzim ndaj fëmijëve. MOS HARRONI: Asnjë lloj i dhunës ndaj fëmijëve nuk është i justifikueshëm por e gjithë dhuna ndaj tyre është e parandalueshme, dhe koha për të vepruar është tani”, tha Rijadi.
Kurse drejtori i HANDIKOS, Afrim Maliqi tregoi sfidat me të cilat ballafaqohen fëmijët me aftësi të kufizuara çdo ditë në vendin tonë, duke specifikuar mungesën e shërbimeve të nevojshme për ta, e që nuk ofrohen nga shteti.
” Ndër sfidat kryesore vazhdojnë të jenë qasja infrastrukturore, mungesa e shërbimeve sociale për ta e vijimi i shkollimit, që si mungesë kanë edhe mësuesit mbështetës apo asistentët nëpër klasa. Vlerësohet se vetëm 10 për qind prej fëmijëve, marrin shërbime të nevojshme, e që është tepër pak. Për këtë arsye, edhe HANDIKOS në vazhdimësi lobon dhe bën kërkesa që këto shërbime që HANDIKOS ofron me dekada ndonëse të kufizuara e jo afatgjate, të institucionalizohen. Pra kjo është më se e domosdoshme”, shtoi Maliqi.
Kurse Nita Bylykbashi-Deliu nga Save the Children theksoi faktin e mbrojtjes së fëmijëve dhe shërbimet sociale.
”Shoqëria jonë duhet të ketë prioritet mbrojtjen e fëmijëve, jo vetëm prindërit dhe kujdestarët, por të gjithë punëtorët që kanë kontakt me fëmijët. Kur flasim për shërbimet sociale për personat me aftësi të kufizuara, duhet të konsiderojmë se kjo është një kategori mjaft e ndjeshme dhe shërbimet sociale që u ofrohen atyre duhet të jenë të qasshme, miqësore, varësisht prej grupmoshave dhe varësisht prej veçorive të secilit fëmijë”.
Po ashtu, gjatë fjalës së tij, Qazim Gashi nga Departamenti për Politika Sociale dhe Familjen në Ministrinë e Financave, Punës dhe Trasfereve tha se duhet të ketë përmirësime në legjislacionin aktual.
”Niveli qendror, ministria përkatëse e jona e ka për obligim që të krijojë legjislacionin e duhur i cili do të implementohet në nivelet komunale për ofrimin adekuat të shërbimeve”, tha ai.
HANDIKOS gjatë konferencës prezantoi raportin hulumtues me gjetjet kyçe të punës 5-vjeçare të HANDIKOS, në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, i cili u punua në kuadër të projektit ”Promovimi i Raportimit dhe Parandalimit të dhunës ndaj fëmijëve në çdo ambient”, i cili implementohet në partneritet me Save the Children dhe mbështetet nga SIDA suedeze.
Përgjatë katër muajve të fundit (janar-prill), Policia e Kosovës ka regjistruar 118 raste të fëmijëve të përfshirë në dhunë në familje. 84 prej tyre ishin femra e 34 meshkuj. Nga numri total, 4 fëmijë ishin me aftësi të kufizuara.
Si aktivitet simbolik në kuadër të kësaj kampanje ishte edhe vendosja e instalacioneve – Kukulla Fëmijë me thënie të fëmijëve, viktima të dhunës në familje, në sheshin ‘Skënderbeu’ dhe ‘Nënë Tereza’në Prishtinë, po ashtu edhe në sheshet kryesore të komunave Ferizaj, Gjakovë dhe Mitrovicë.
Kampanjës sonë në shesh iu bashkëngjit kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ambasadori i Japonisë në Kosovë, Ogasaëara Mitsunori, prindër, fëmijë e qytetarë të tjerë./arbresh.info/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...