Hamza prezenton programin për arsimin në Ferizaj: 50% rritje të pagave për të gjithë punëtorët e arsimit

12:39 | 14 Dhjetor 2024
E.K

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, i shoqëruar nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka zhvilluar një takim me mësimdhënësit e këtij qyteti, ku ka paraqitur planet e tij për reformat në sektorin e arsimit.

Ai premtoi mbështetje të fortë për fëmijët, familjet dhe mësimdhënësit, duke theksuar rëndësinë e reformave që synojnë përmirësimin e kushteve për të gjithë.

Në fjalën e tij, Hamza theksoi disa prej angazhimeve kryesore, përfshirë një rritje prej 50% të pagave për të gjithë punëtorët e arsimit në Kosovë.

“Një e ardhme e re për arsimin, me nxënës të pajisur me aftësitë e së nesërmes, duke i mbështetur fëmijët, familjet dhe mësimdhënësit. 50% rritje të pagave për mësuesit, arsimtarët, profesorët dhe të gjithë punëtorët e arsimit. 100 euro subvencion mujor për çdo familje që nuk mund t’i regjistrojë fëmijët në çerdhet publike dhe ndërtim të vazhdueshëm të çerdheve të reja. Arsim cilësor, me mësim gjithëditor, me psikologë e zyrtarë të sigurisë nëpër shkolla dhe programe kundër dhunës, bullizmit e abuzimit. Arsim të digjitalizuar fillor dhe të mesëm, me tabela, mjete e materiale mësimore digjitale për çdo klasë dhe me softuer digjital kombëtar për arsimin. Fond Shtetëror të Bursave për studentët. #MaMirë për fëmijët, nxënësit, studentët dhe mësimdhënësit. #MaMirë për arsimin dhe Kosovën.”, ka shkruar Hamza./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme