Hamza: Kurti e Osmani nuk na kërkuan t’iu ndihmojmë për zgjedhjen e presidentit

21:07 | 18 Mars 2021
L G

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se lideri i VV-së, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk iu kanë kërkuar ndihmë apo bashkëpunim për t’i përkrahur për zgjedhjen e presidentit.

Hamza thotë se nëse PDK-së iu ishte kërkuar që t’i përkrahnin në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata do bisedonin për këtë.

“Nuk kanë kërkuar një ndihmë apo bashkëpunim direkt apo të hapur rreth zgjedhjes së presidentit të vendit. Nuk ka qenë kërkesë e tyre që PDK-ja ti përkrahë në zgjedhjen e presidentit apo presidentes. Një diçka çka s’ta kërkojnë është vështirë për me bisedu dhe me dhënë një qëndrim të caktuar”, tha Hamza.

Ai madje tha se nuk ka pasur ftesë për takim të dytë nga VV-ja dhe Vjosa Osmani.

“Nuk ka pas ftesë për një takim të dytë, dhe është diskutuar në Kryesi dhe në këshillin derejtues që PDK-ja nuk ju ka kërku një gjë e tillë, dhe normalisht që nuk ka votë për zgjedhjen e presidentit të vendit”, thotë Hamza në Klan Kosova.

Ai nuk bëri të ditur se a do të qëndrojnë në sallë apo jo në momentin kur të votohet presidenti, por tha se nuk e përkahin Vjosa Osmanin si kandidate për presidente.

“Ne nuk e përkrahim kandidaten e propozuara, zonjën Osmani për presidente, sepse nuk është kërku. Nëse do të kërkonin do të ishte çështje e bisedave”, tha Hamza.

Të ngjashme