Google ADS

Hamiti: Humbja e Erdoganit, mësim për sivëllezërit e tij autokratë, te ne e gjetiu

23:34 | 1 Prill 2019
Arbresh.info

Ish-ambasadori i Kosovës në Britani, Muhamet Hamiti, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve lokale në Turqi, që u mbajtën të dielën.

Presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përkatësisht kandidatët e partisë së tij, kanë pësuar humbje në qytetet më të mëdha turke, Stamboll, Ankara dhe Izmir.

Duke analizuar humbjet e Erdoganit, Hamiti ka thënë se ato përbëjnë “mësim për sivëllezërit e tij autokratë, te ne e gjetiu”.

“Gjatë disa viteve të fundit, presidenti Rexhep Taip Erdogan dhe qeveria e tij ia kanë zënë frymën disidencës, kanë mbajtur nën kontroll gjyqësorin dhe kanë neutralizuar shtypin, duke kufizuar atë që ka mbetur nga demokracia e Turqisë në kutinë e votimit. Në zgjedhjet komunale [në Turqi] më 31 mars 2019, kundërgodtija erdhi nga kutia e votimit. Përkundër pluralizmit të votimeve në nivel vendi, partia e z. Erdogan AK (Partia për Drejtësi e Zhvillim) pësoi humbje në pesë nga gjashtë qytetetet më të mëdha të Turqisë, duke përfshirë Stambollin, makinën ekonomike të vendit, si dhe kryeqytetin, Ankaranë”, ka shkruar Hamiti në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, në internet.

“Kështu shkruan revista prestigjioze “The Economist” në fillim të artikullit të sotë m për situatën pasgjedhore në Turqi, për të shpjeguar se kandidati për kryetar bashkie në Stamboll, Binali Yildirim, ish-kryeministër dhe ish –kryetar i Kuvendit të Turqisë, kishte mbështetjen e mediave të kontrolluara nga tajkunë proqeveritarë, makinerinë në dukje të pandalshme të partisë së tij (AK) dhe të Presidentit Erdogan, që angazhohej për kandidatët e vet sikur të bëhej fjalë për vetë të ardhmen e tij politike. Megjithatë, kundërkandidati, z. Imamoglu, relativisht i panjohur, me mbështetje nga një parti e përçarë, me resurse shumë më të vogla se kandidati i Erdoganit, duket se ka fituar, ndonëse me një shumicë shumë të vogël”, vijon shkrimi i Hamitit.

Sipas diplomatit kosovar, “turqit janë duke dhënë mësim demokracie – pa marrë parasysh a fiton kanidati i opozitës në Stamboll apo jo – sepse regjimi në Ankara do të bëjë çmos që të përmbysë rezultatin me makinacione përtejelektorale. Pushteti autokratik i Erdoganit është kundërshtuar fuqishëm”.

“Situata e Erdoganit duhet të jetë mësim për sivëllezërit e tij këtu, kudo. Poashtu për popujt që duan të kundërshtojnë pushtetin mujshar të autokratëve të sojit të Erdoganit. Edhe te shqiptarët”, ka vlerësuar Hamiti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme