Haliti, VV: Hoti bashkë me ekipin ka shkuar në Uashington pa e ditur agjendën e takimit, kjo është e frikshme

20:19 | 1 Shtator 2020
L G

Të premten me 4 shtatorit pritet që në Shtëpinë e Bardhë në Washington të takohen delegacioni i Kosovës i kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe ai i Serbisë në krye me presidentin Aleksandar Vuçiq.

Enver Haliti deputet nga Lëvizja Vetëvendosje,  ka vlerësuar se një ‘Qeveri jolegjitime’ nuk mund ta përfaqësojë Kosovën, në kësolloj takimesh që sipas tij janë të nivelit të lartë.

“Kemi një qeveri që niset për takime të nivelit, ku ekziston mundësia që të jetë që edhe presidenti Trump prezent, por pa sjellë një platformë dhe një ekip i cili ka marrë bekimin e parlamentit të Kosovës. Çdo marrëveshje kërkohet që të ketë mbështetje të deputetëve. As qytetarët dhe as parlamenti që kontrollon punën e Qeverisë, nuk ka  as informatën më të vogël se çka do të diskutohet në ato takime , ose që do të arrihet një marrëveshje siç po thuhet ekonomike”.

Haliti në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që Vetëvendosje nuk është bërë pishman që ka refuzuar të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në Uashington.

“VV nuk ka ndërruar qëndrim sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës në bisedime me Serbinë, pasi konsideron që kjo Qeveri nuk është legjitime dhe shkon në takime dhe i vazhdon ato në Bruksel dhe Uashington, pa sjellë një platformë në Kuvendin e Kosovës; nuk ka informata për agjendën e takimit që do zhvillohet”.

“Si t’i besojmë fjalëve kur nuk kemi as platformë, ose tekstin e marrëveshjes. Kemi ftuar edhe në interpelancë kryeministrin Hoti dhe ai në asnjë moment nuk ka treguar se cilat janë pikat e takimit dhe kërkesat e Kosovës. Hoti, bashkë me ekipin e tij kanë udhëtuar në Uashington pa e ditur agjendën e takimit. Vetë zëvendëskryeministri Tahiri e ka konfirmuar para mediave se  as vet qeveria nuk e di agjendën e takimit dhe kjo është e frikshme”, ka thënë Haliti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme