Haliti thotë se KEDS-i po gënjen në lidhje me mënyrën e pagesës së borxhit

13:52 | 1 Prill 2016
Arbresh.info

Bislim Haliti nga fshati Dvorishtë, komuna e Podujevës i cili i kishte pasur borxh KEDS-it 1279.43 euro, gjë për të cilën portali arbresh.info kishte shkruar disa ditë më parë, ka demantuar reagimin e kompanisë KEDS ku thotë se kishte shkuar vullnetarisht ta paguaj borxhin.

Haliti për portalin arbresh.info ka treguar edhe njëherë në detaje rastin, ku sipas tij kishte qenë i detyruar të bënte disa gjëra që kompania KEDS t’ia zhbllokonte asistencën sociale.

“Në fillim nuk më kanë paralajmëruar vetëm ma kanë sjellë thirrjen nga përmbaruesi privat. Pastaj kam shkuar në Gjykatën Themelore kam bërë kërkesë dhe ankesë më kanë thënë që nuk munden me bë asgjë. Po ashtu kam qenë edhe tek kryetari Agim Veliu por edhe ai më ka thënë që nuk mund të më ndihmojë asgjë”, është shprehur Haliti.

Sipas tij zyra ligjore në KEDS ia kishte marrë librezën e socialit.

“Zyra ligjore në KDS ma ka marr librezën e socialit. Kam qenë dhe jam ankuar tek kjo zyrë duke  iu treguar që s’kam mundësi ta paguaj sepse jetoj në gjendje të vështirë ekonomike po ashtu jam i sëmurë. Ata kanë thënë se nuk mund të bëjnë asgjë, kështu është për të gjithë, kështu ma kanë marrë socialin dhe e kanë qit në llogari të tyre. Pastaj unë kam shkuar edhe tek përmbaruesi privat përmes së cilit ata ma kanë dërguar kërkesën, i kam bërë lutje Eset Muratit (Përmbaruesi privat) ai më ka thënë që nuk mund të më ndihmojë asgjë pasi që KEDS-i e ka nisur këtë punë”, është shprehur ai.

Haliti kishte shkuar edhe në stacionin policor në Podujevë për të kërkuar ndihmë, e këta të fundit i  kishin sugjeruar disa gjëra.

“Kam qenë në stacionin policor në Podujevë por  më kanë thënë se nuk mund të më ndihmojnë asgjë. Ata kanë thënë se si Polici asnjëherë nuk do të vijnë të më marrin asgjë, pasi që në vendimin e përmbaruesit shkruante që do të më konfiskojnë pasuri të luajtshme e unë nuk kam pasur ndonjë gjë përveç lopës pasi që jam i varfër. Por ata më kanë sugjeruar se duhet borxhin ta paguaj sepse mund të shkoj në burg. Unë kam qenë i sëmurë, nuk mund të shkoja në burg. Ata kanë ardhur e kanë parë gjendjen time dhe dokumentet e përmbaruesit dhe më këshilluan që lopën ta dërgoj diku se mund të ma marrin për një vlerë të vogël parash mirëpo unë nuk kisha ku ta dërgoja sepse atë lopë na e kishin dhuruar që t’i mbaj fëmijët pasi që jetoj në gjendje të vështirë”, është shprehur ai duke nënvizuar se nuk kishin mundur t’i ndihmojnë as zyrtarë nga qendra për punë sociale në Podujevë pasi që sipas tyre nuk kishte qenë rasti i vetëm ai.

Ai kishte shkuar disa herë në zyrën ligjore në KEDS t’iu bëjë lutje që të mos ia bllokojnë socialin dhe t’ia falin borxhin mirëpo kishte qenë e pamundur një gjë e tillë.

“Ata kanë thënë nuk mundemi assesi ta falim dhe përmbaruesi privat më ka dënuar me 8% kamatë. Kështu nuk më kanë lënë rrugë tjetër pasi që ma morën socialin, e kam shitur lopën 1000 euro dhe kam marrë hua edhe 300 euro dhe pastaj kam shkuar ta paguaj borxhin. Ndërsa kur kam shkuar për ta kryer këtë obligim, pra t’i paguaj 1300 euro borxh iu kam treguar se si më kanë detyruar t’i bëj këto gjëra. Ata më kanë thënë se nuk iu intereson kjo gjë dhe e kanë cekur se nuk janë vetëm 1300 euro që duhet t’i paguaj por janë edhe disa tjera pra 250 ose rreth 300 euro shtesë ku një shumë janë taksa të KEDS-it e me të tjerat duhet ta paguaj përmbaruesin”, thotë ai i cili kishte mbetur habitur kur kishte dëgjuar këtë.

“Unë mezi i bëra ato 1300 që ta paguaj borxhin e kur ma thanë që është edhe një pjesë tjetër mbeta i habitur sepse nuk kisha ku t’i merrja. Prapë hyra borxh dhe i mora mirëpo e falënderoj në këtë rast përmbaruesin i cili më tha se mund të më pres disa ditë deri sa t’i bëjë paratë”, tregon Haliti duke i quar gënjeshtra ato që ka thënë KEDS-i.

“KEDS-i mund të gënjejë çka të dojë mirëpo unë kam qenë i detyruar t’i bëj këto gjëra, nuk kam shkuar vullnetarisht ta paguaj atë borxh sepse nuk kisha para se po të kisha do ta paguaja. Por pasi ma bllokuan socialin isha i detyruar, po e përsërisë sepse nuk kam se me çka t’i mbaj fëmijët”, ka theksuar ai për arbresh.info.

Në anën tjetër nga Musa Demiri nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Socialë ka thënë për portalin arbresh.info se MPMS në bashkëpunim me MF dhe KEDS-in për familjet me asistencë sociale dhe kategoritë e dala nga lufta ua paguan rreth 400kw në orë.

“Ne kemi atë marrëveshje me Ministrinë e Financave dhe KEDS-in ku 400 kw në orë ua paguajmë ndërsa pjesën tjetër e paguan familja sepse ashtu siç e kanë llogaritur ata nëse një familje harxhon më shumë se 400kw nuk llogaritet skamnore. Ndërsa për  mospagesë të borxhit kjo kryhet përmes përmbaruesve privat dhe njëjtë ndodh edhe me pensionistë. Po shprehem shumë thjesht ia marrin lopën në grazhd”, ka thënë ai duke shtuar se MPMS nuk ka asgjë këtu që mund të ndryshojë.

“Ne i qesim në bankë ato të holla pastaj është procedurë e bankës qysh procedon me mjetet por këtu Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk mund të ndryshojë asgjë”, tregon ai.

Portali arbresh.info ka kontaktuar edhe kompaninë e KEDS-it për të marr një përgjigje lidhur me akuzat që Haliti ia bënë kësaj kompanie.

Viktor Buzhala nga KEDS-i ka thënë se nuk është e vërtetë se xhirollogaria e konsumatorit në fjalë është bllokuar dhe se sipas tij KEDS-i nuk bllokon xhirollogari për borxhe.

“Kjo nuk është e vërtetë. Xhirollogaria e tij nuk është bllokuar asnjëhere. Për me tepër, KEDS-i nuk bllokon ndonjë llogari për borxhe. Kjo është shpjeguar edhe në sqarimin e djeshëm, ku ceket se KEDS-i e ka dërguar këtë rast te përmbaruesi. Ky është veprim në përputhje të plotë me ligjin dhe çdo konsumator që nuk paguan borxhin, dërgohet tek ta. Pra, inkasimi i borxheve po bëhet përmes përmbaruesve e jo përmes KEDS-it. Prandaj, ata e monitorojnë, kontrollojnë dhe komunikojnë me konsumatorin”, ka thënë Buzhala.

Poashtu sipas tij Halitit nuk i është përë presion për ta paguar borxhin dhe sipas tij taksa që Haliti thotë se i kanë thënë që duhet ta paguaj është e përmbaruesit.

“Atij nuk i është bërë presion fare. Pagesën e ka bërë në mënyrë vullnetare. Taksa që ju përmendni është e përmbaruesit dhe taksa që duhet të paguhet në rastet e tilla. KEDS-i e ka dokumentin e vulosur nga përmbaruesi privat ku ceket se konsumatori ka paguar në mënyrë vullnetare. Por, për shkak të ruajtjes së privatësisë KEDS nuk mund ta publikojë atë. Përmbaruesit privat e kanë të lejuar dhe aprovuar në bazë të ligjit që njëjtë si gjykata të caktojnë taksen statutore dhe ta inkasojnë atë”, është shprehur ai duke ftuar përfaqësues të portalit arbresh.info që nëse dëshirojnë mund të shkojnë në zyrën për informim të KEDS-it dhe ta shohin dokumentin e përmbaruesit që sipas tij konsumatori në fjalë ka paguar në mënryë vullnetare.

“Ligji e parasheh që të paguhet interesi prej 8 për qind, por kjo nuk është aplikuar për rastin në fjalë. Pra, ai ka paguar vetem borxhin e jo edhe ndonjë kamatë”, ka përfunduar Buzhala.

Në anën tjetër portali arbresh.info  ka kontaktuar edhe me përmbaruesin privat Eset Murati për të marr një përgjigje nga ai mirëpo ky i fundit ka hapur telefonin mirëpo nuk ka dashur të komentojë asnjë gjë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme