Google ADS

Haliti: PDK-ja s’i ka numrat

16:27 | 11 Gusht 2017
Arbresh.info

Me gjithë deklarimet që janë bërë së fundi nga zyrtarë të PDK-së, se i kanë numrat për ta votuar kryetarin e Kuvendit, anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka deklaruar se ata nuk i kanë numrat, pasi po t’i kishin do të merrnin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Haliti në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se ende nuk dihet nëse PAN, do të marrë pjesë në seancën e së hënës, derisa ka shtuar se është në interes të vendit koalicioni me LDK-në.

“Është një situatë, nuk e di saktë se çfarë mund të ndodhë nesër, çfarë mund të sjellë e hëna, çfarë mund të sjellë java që po hyjmë, ndoshta mund të bëhen 61 vota. Mund të kaloj dikush këndej. Ne presim që të jemi të sigurt në zgjedhjen e kandidaturave tona, edhe për parlamentin, edhe për qeverinë….Ne sikur t’i kishim votat të gjitha, ne do të futeshim në seancë të zgjidhnim kryetarin e Kuvendit dhe do ta caktonim seancën për ta zgjedhur kryeministrin, respektivisht Qeverinë. Ne kemi pasur një marrëveshje në bazë të informatave që kam dhe ka lëviz puna, dikush është tërhequr nga marrëveshja dhe tani po punohet të kemi një marrëveshje të re dhe t’i qëndrojmë asaj marrëveshje.. Nuk kam informacion kush me kënd bisedon sepse unë s’jam i ngarkuar dhe s’jam pjesë e grupit që zhvillon bisedime për koalicione”, tha ai.

Kurse, sa i përket pjesëmarrjes në seancën e së hënës, të thirrur nga kryesuesi, Adem Mikullovci, pa takimin konsultativ të cilin e ka kërkuar PDK-ja, Haliti thotë se ende nuk ka vendos partia nëse do të marrin pjesë, por thekson se është e drejtë e kryesuesit që të thërras seanca.

Ndërsa e quan të padrejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, ku kryesuesi është i vetmi person që e udhëheq parlamentin, duke përjashtuar kryesinë e vjetër.

“Në qoftë se bazohemi në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili unë mendoj padrejtësisht ose jo sipas kushtetutës, i jep mundësi kryesuesit dhe përcakton kryesuesin si të vetmin institucion që e udhëheq Parlamentin e Kosovës, duke e spostuar kryesinë e vjetër. Tani seancën e thirrë kryesia e vjetër e mëparshme dhe Adem ka ngel tash edhe kryetar edhe kryesi dhe komision dhe të gjitha”, tha ai.

Haliti thotë se Kosova institucionet e saja mund t’i ketë shpejtë, por se interesat politike dhe të grupeve parlamentare tani për tani janë të pozicionuara kundër njëra-tjetrës dhe se është e vështirë që të jepet një vlerësim real.

Ai shtoi se është në interes të vendit koalicioni me LDK-në, e cila sipas tij, është interesuar ta zvarrit këtë proces deri pas zgjedhjeve lokale, atëherë dhe kur kjo parti mund të ndërrojë dhe qëndrim.

Haliti thekson se kandidati i vetëm i PDK-së për kryetar të Kuvendit, mbetet Kadri Veseli. Ndërsa kundërshtimin e partive tjera për ta votuar atë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme