Haliti nuk e përjashton krizën nëse ‘PAN’-it nuk i bashkohet ndonjë parti tjetër

13:19 | 13 Qershor 2017
Arbresh.info

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se nëse koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) si fitues të zgjedhjeve nuk i bashkohet ndonjë subjekt tjetër politik, vendi mund të hyjë në një krizë apo zgjatje të kohës së konstituimit të institucioneve të reja.

“Nëse e interpretojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese pas zgjedhjeve të kaluara dhe i llogarisim numrat çfarë i kemi në zgjedhje atëherë vetvetiu arrijmë në një konkluzion që nëse nuk i bashkohet koalicionit të PDK-së një koalicion tjetër ose një grup tjetër parlamentar vetvetiu do të ketë krizë, ndoshta jo krizë, por zgjatje të kohës së krijimit të institucioneve”, ka thënë Haliti për lajmi.net

Ai më tej ka thënë se beson që lideri i koalicionit, Kadri Veseli dhe i nominuari i këtij koalicioni për kryeministër, Ramush Haradinaj do të koordinojnë veprimet edhe me subjektet tjera.

“Sidoqoftë unë po besoj që lideri i koalicionit dhe kandidati për kryeministër do të bashkërendisin veprimet dhe takimet me subjektet politike të cilat kanë fituar deputetë dhe të shohin mundësinë e krijimit të një koalicion të gjerë”, ka deklaruar Haliti.

Ai në fund ka thënë se PDK nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik.

“Ne nuk bisedojmë asnjëherë për vija të kuqe, në politikë është gjithçka e mundshme, vijat e kuqe për institucionet e Kosovës, për njerëzit të cilët i zgjedh populli nuk duhet të ketë askush. Por sidoqoftë, besoj që nëse veprojmë dhe vlerësojmë si evropianë, atëherë duhet t’i ndjekim interesat e vendit dhe jo interesat politike të partive”, ka përfunduar Haliti.

Përndryshe, ende nuk ka përfunduar numërimi i të gjitha votave, por  në bazë të rezultateve aktuale kjo do të jetë përbërja e legjislaturës së gjashtë të Kosovës: koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) 39 deputetë, LVV 31 deputetë, koalicioni LDK-AKR 30 deputetë, kurse pakicat 20 deputetë.

Kështu në bazë të këtyre rezultateve, koalicioni PAN si fitues i zgjedhjeve e ka të pamundur të formoj Qeverinë e re, pasi së bashku me pakicat do të kishin 59 deputetë, ndërsa për konstituimin e institucioneve u duhen të paktën 61 deputetë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme