Google ADS

Haki Abazi mirëpret propozim e Isa Mustafës që VV të merr një ministri më shumë në këmbim të postit të presidentit

21:21 | 18 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Lidhja Demokratike e Kosovës, është e gatshme të heq dorë nga një ministri dhe të udhëheq vetëm katër ministri, në mënyrë që të arrihet marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje, marrëveshje kjo ku do të jetë e përfshirë edhe pozita e presidentit.

Kështu ka deklaruar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie. I pari i LDK-së, tha se janë të interesuar për koalicion të qëndrueshëm më LVV-në, dhe që nuk do të sfidohej për gjatë mandatit.

E, këtë propozim të LDK-së, e kanë mirëpritur në Lëvizjen Vetëvendosje. Deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Haki Abazi në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se ky propozim është hap i rëndësishëm drejt arritjes së marrëveshjes.

“Sapo e dëgjova propozimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, është zhvillim pozitiv drejt arritjes së marrëveshjes së përbashkët qeverisëse. Mirëpo, sigurisht është një ndër hapat drejt marrëveshjes, siç kam thënë për me arrit një marrëveshje të qëndrueshme dhe duhet me i shqyrtu me kujdes, dhe ky është hap i rëndësishëm”, ka thënë Abazi.

Ai tha që pas këtij zhvillimi, beson se kreu i LVV-së, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa do të takohen dhe do të diskutojnë për propozimin.

Abazi i cili do të jetë deputet i ri i LVV-së, tha se gjithmonë ka qenë optimist për arritjen e koalicionit LVV-LDK, dhe se për këtë fjalën e ka thënë sovrani.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur që Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ta thërras më datën 26 dhjetor, në orën 15:00.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme