Hajnat vjedhin para dhe stoli në vlerë mbi 40 mijë euro në një shtëpi private në Ferizaj

21:22 | 3 Janar 2023
E.H

Një vjedhje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:30 në magjistralen Ferizaj-Shkup.

Hajnat janë futur nga dritarja në një shtëpi private dhe kanë arritur ti vjedhin 38 mijë euro kesh, stoli ari me vlerë rreth 4 mijë euro, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie.

Lajmin për arbresh.info e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Veseli tha se janë marrë veprimet e nevojshme dhe po punohet intensivisht për zbardhjen e rastit.

“Më datën 02.01.2023 rreth orës 23:30 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj-Shkup afër “Bau Market” në një shtëpi private ishte një rast i vjedhjes së rëndë. Policët e rendit e më pas hetuesit rajonal së bashku me krim teknikët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga PTH-Ferizaj kanë nisur hetimet. Nga informatat e para është mësuar se rreth orës 17:00, pronari i shtëpisë A.P ( M/) 38 vjeçar së bashku me anètarët tjerë të familjes kishin dalë nga shtëpia dhe me tu kthyer rreth orës 23:00 kanë vërejtur se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë nga dritarja e shtëpisë dhe nga aty, sipas viktimës kanë vjedhur: 38 mijë euro para kesh, stoli ari në vlerë 3 mijë euro , një pistoletë dhe një pushkë gjuetie, për tëcilat posedon leje. Policia i ka marrë veprimet e nevojshme dhe po punon intensivisht për të zbardhur sa më shpejtë rastin”, tha Veseli./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme