Google ADS

Hajdari: Mbi 50 persona akuzohen për masakrën e Mejës në Gjakovë, ku u vranë 376 civilë

10:47 | 8 Dhjetor 2023
L G

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale e Kosovës deri tash ka përpiluar aktakuzë për mbi persona, të cilët akuzohen se kanë marrë pjesë në masakrën e Mejës në Gjakovë.

Hajdari përmes një konference për media, bëri të ditur se 11 persona dyshohet se kanë zbatuar planin për masakrën, ndërsa, 37 të tjerë kanë kryer masakrën ose në nodnjë mënyrë tjetër kanë kontribuar në masakrën e Mejës, raporton Arbresh.info.

“Aktakuza është e strukturuar në tri pjesë, përfshin grupin prej 11 të pandehurve të cilët kanë zbatuar planin për masakrën e Mejës. Grupi i tretë prej 37 të pandehur, kanë kryer masakrën ose në ndonjë mënyrë tjetër kanë kontribuar në këtë masakër”, tha Hajdari.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se hetimi për masakrën e Mejës është nisur nga EULEX-i në vitin 2018, ndërsa pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ka marr në kompetencë këto hetime ka vazhduar grumbullimin e provave dhe ka siguruar prova për zgjerim të hetimeve edhe për 35 persona të tjerë.

“Rastin e kemi trashëguar nga Eulex, i cili hetimin për masakër e ka hap në vitin 2018, dhe me pranimin e rastit kemi vazhduar hetimin me grumbullimin e provave, kemi siguruar prova relevante dhe kemi zgjeruar hetimin edhe për 35 persona”, tha Hajrari.

Ndryshe, 376 persona u vranë e masakruan nga forcat serbe në mënyrë mizore, në Mejë të Gjakovës, më 27 prill të vitit 1999.

Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.

Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviçit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Ata masakruan 36 djem nën moshën 18 vjeç.

Eshtrat u gjetën vetëm 15 vjet më vonë në një varr masiv në një qendër trajnimi policor në Batajnica, Serbi.

13 viktima akoma nuk janë gjetur./Arbresh.info/

Të ngjashme