Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mbajti sot konferencën e fundvitit për medie përgjatë të cilës shpalosi të arriturat dhe suksesin e Ministrisë për vitin 2023.
Ajo falenderoi gazetarët për punën e tyre në mbulimin e aktiviteteve me qëllim të informimit të publikut, duke u zotuar se bashkëpunimi me ta do të jetë edhe më i ngushtë e afërt për vitin që po vjen, përcjell Arbresh.info.
Ajo përmendi edhe progresin e evidentuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian.
“E kur flasim për progres, nuk kemi si të mos përmendim raportin e fundit të Komisionit Evropian, i cili përveç shumë arritjeve të Qeverisë, në veçanti e vlerëson si progres të dukshëm plotësimin e kornizës legjislative, në përputhje me direktivat e BE-së, të hartuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e poashtu vë në pah përmirësimin e dukshëm të mbikëqyrjes së tregut, si dhe rritjen e performancës së Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA-së, duke e quajtur si përmirësim të fuqishëm.”, tha Hajdari.
Sipas saj, gjatë këtij viti janë miratuar 7 ligje, 12 udhëzime Administrative dhe 3 rregullore.
Ndër të tjera, ministrja Hajdari tha se gjatë periudhës janar – nëntor 2023 , kemi 797.7 milion euro eksporte.
“Gjatë periudhës janar – nëntor 2023 , kemi 797.7 milion euro eksporte, me rritje në peshë të mallrave për eksport, për 35,000 ton ose 4.5% rritje krahasuar me periudhën paraprake. Kurse vendet në të cilat është rritur eksporti gjatë këtij viti janë: Gjermania, Austria, Belgjika dhe Franca. Rritje të eksporteve kishte edhe në Zvicërr, vlera e mallrave të eksportuar 56.5mil/€ rritje për 13.8%, që mbulon 8.8% të eksporteve të përgjithshme.”, u shpreh ajo.
Fjalimi i ministres Hajdari në konferencën e fundvitit për medie
Të nderuar përfaqësues të mediave, gazetarë, kameramanë, të dashur qytetarë, më lejoni që si fillim të shprehë mirënjohjen time për angazhimin tuaj e në veçanti për interesimin mbi punën dhe zhvillimet në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Po e mbyllim një vit gjatë të cilit jemi ballafaquar me sfida, por që ka rezultuar dhe shënuar edhe shumë arritje e suksese, si rezultat i vullnetit dhe punës me përgjegjësi, për të qenë korrekt përballë kompetencës që na u besua nga qytetarët.
E kur flasim për progres, nuk kemi si të mos përmendim raportin e fundit të Komisionit Evropian, i cili përveç shumë arritjeve të Qeverisë, në veçanti e vlerëson si progres të dukshëm plotësimin e kornizës legjislative, në përputhje me direktivat e BE-së, të hartuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e poashtu vë në pah përmirësimin e dukshëm të mbikëqyrjes së tregut, si dhe rritjen e performancës së Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA-së, duke e quajtur si përmirësim të fuqishëm.
Për të plotësuar kornizën ligjore, vetëm gjatë këtij viti janë miratuar 7 ligje, 12 udhëzime Administrative dhe 3 rregullore.
– Ligji për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve;
– Ligji për Parqet Industriale dhe Teknologjike;
– Ligji për Investime të Qëndrueshme;
– Projektligji për Regjistrin e Pronarëve Përfitues (në fazën e shqyrtimit në Kuvend);
– Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Metrologji (në fazën e shqyrtimit në Kuvend);
– Projektligji për Mbrojtjen e Konsumatorit (i miratuar nga Qeveria);
– Projektligji për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (i miratuar nga Qeveria).
– Projektligji për Tregti të Brendshme i cili është i hartuar dhe i ka kaluar të gjitha fazat e konsultimit publik; dhe
– Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili poashtu ka kaluar të gjitha fazat e konsultimit publik.
Ndërsa gjatë gjithë mandatit qeverisës, sollëm reformat e shumëpritura nga marrëveshja e MSA-së, me miratim të 20 ligjeve, ku prej tyre shumica janë në fuqi, dhe 5 prej tyre në proces të shqyrtimit në Kuvend dhe 39 U.A. për fushat e ndryshme në mandatin e MINT.
Me kënaqësi ju njoftoj, se gjatë vitit 2023 kemi hartuar dhe miratuar Politikën Industriale: “Strategjia për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030’’, e cila është pritur për shumë vite radhazi nga bizneset tona.
Kjo politikë, është e përkushtuar për të mbështetur sektorin e prodhimit, për të shpalosur potencialin e tij, për të kontribuar në mënyrë më efektive si një shtytës i zhvillimit social, ekonomik dhe mjedisor të Kosovës dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit.
Vizioni i kësaj politike me strategjinë ambicioze, është që deri në vitin 2030, industria e Kosovës të transformohet në një industri më të integruar globalisht dhe të jetë në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë, përmes zgjerimit (shtrirjes) të prodhimit industrial, reduktimit të deficitit tregtar industrial, gjenerimit të punësimit më të mirë dhe gjithëpërfshirës, lehtësimit të industrisë qarkore dhe të gjelbër dhe maksimizimit të rritjes të vlerës së brendshme.
Nën ombrellën e kësaj strategjie, janë finalizuar dhe tani janë në pritje për miratim edhe programi për Pronësinë Industriale 2024 – 2026, kurse në proces të finalizimit edhe Politika Tregtare.
Është finalizuar Strategjia e Turizmit 2023-2030 dhe është në procedurë të miratimit.
Gjate këtij viti, Kosova u bë pjesë e njërit nga programet më të mëdha të BE-së, programi “Tregu i Përbashkët”, në vlerë prej 4.2 miliard euro, përmes negociimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian.
Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetës që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar.
Kjo do të thotë se bizneset dhe organizatat e Kosovës mund të ndërveprojnë me bizneset dhe organizatat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve jo anëtare, që janë pjesëmarrëse të pjesshme ose të plota në këtë program.
Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik, me fokus të veçantë nxitjen e investimeve gjatë këtij viti, nënshkruam protokolle për bashkëpunim ekonomik, me synim rritjen e shkëmbimeve tregtare me Çekinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Hungarinë dhe tjera shtete në proces të hartimit të protokolleve.
Gjatë periudhës janar – nëntor 2023 , kemi 797.7 milion euro eksporte, me rritje në peshë të mallrave për eksport, për 35,000 ton ose 4.5% rritje krahasuar me periudhën paraprake.
Kurse vendet në të cilat është rritur eksporti gjatë këtij viti janë: Gjermania, Austria, Belgjika dhe Franca. Rritje të eksporteve kishte edhe në Zvicërr, vlera e mallrave të eksportuar 56.5mil/€ rritje për 13.8%, që mbulon 8.8% të eksporteve të përgjithshme.
Ndërsa bilancin tregtar e përmirësuam nga 9:1 sa ishte më parë, në 6:1 që është tani.
Për shkak të potencialit që ka ky vend dhe vendet e tjera të EFTA-së, jemi në finalizim të marrëveshjes për tregti të lirë me këto shtete: Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Islanda, me synim intensifikimin e bashkëpunimeve në fushat ekonomike me interes reciprok me këto vende.
Gjatë vitit 2023, në kuadër të aktiviteteve inspektuese, janë realizuar gjithsejt 3079 inspektime në teren. Ky numër i inspektimeve është më i madhi që ka ndodhë ndonjëherë në historinë e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, që reflekton prezencën e shpeshte të inspektorëve në treg dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në zbatimin sa më efektiv të të gjithë mandatit ligjor që ky institucion ka.
Inspektimet e realizuara gjatë vitit kryesisht kanë qenë në sektorin për derivatet e naftës, në sektorin për sigurinë e produkteve, si dhe në sektorin për mbikëqyrjen e përgjithshme të tregut.
Për herë të parë në Republikën e Kosovës janë regjistruar Treguesit Gjeografik, si emërtime të mbrojtura të origjinës. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia Për Pronësi Industriale, gjatë vitit 2023, ka nxjerrë vendimin e parë për emërtimin gjeografik për mbrojtjen e një produkti vendor, “Djathi i Sharrit”, e më pas edhe vendimin e dytë për emërtimin gjeografik për mbrojtjen e produktit “Verërat e Rahovecit”, të cilat ishin në proces të aplikimit për këtë emërtim prej një dekade e më shumë.
Këto regjistrime janë ndër vendimet më të rëndësishme që Ministria ka marr në ruajtjen dhe mbrojtjen e produkteve vendore dhe promovimin e traditës sonë kombëtare.
Pronësinë Industriale e fuqizuam përmes miratimit të 5 ligjeve në harmoni me direktivat e BE-së.
Janë zgjidhur 500 lëndë të kundërshtimeve të markave tregtare që ishin në pritje që nga viti 2013 dhe sillnin konflikte në mes të kompanive dhe me humbje të tregut.
Regjistruam 30 patenta, 4915 marka tregtare, 80 dizajne industriale.
E sa i përket infrastrukturës së cilësisë, ndër të tjera arritje, përmes agjencisë për metrologji, standardizim dhe akreditim:
– Janë marrë 17 vendime për akreditim të laboratorëve testues;
– Janë adoptuar 535 standarde EN dhe ISO/IEC, si standarde kosovare;
– Kemi emëruar 8 Trupa Inspektuese për vlerësimin e konformitetit të mjeteve matëse, nga këta për herë të parë janë emëruar dy Trupa Inspektuese për verifikimin e taksimetrave dhe gjashtë Trupa Inspektuese për verifikimin e tahografëve;
Për herë të parë gjatë vitit 2023, MINT ka nxjerrë udhëzimin administrativ për “Kushtet, kriteret dhe procedurat e regjistrimit dhe ushtrimit të veprimtarisë së udhërrëfyesve turistik”.
Kjo do të thotë se për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik, personi fizik duhet të bëhet pjesë e Regjistrit të Turizmit sipas kritereve dhe procedurave në këtë udhëzim administrativ, në mënyrë që historia, kultura e trashëgimia jonë kulturore të prezantohet nga ciceronë të certifikuar dhe regjistruar në Republikën e Kosovës e jo siç ndodhte që ajo prezantohej nga persona qoftë edhe nga rajoni e që kulturën tonë mund ta prezantonin ndryshe nga realiteti.
Janë nënshkruar marrëveshje në fushën e turizmit me Kroacinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraelin;
Është krijuar platforma e përbashkët Kosovë-Shqipëri për promovimin e turizmit.
Gjatë këtij viti, përkrahja për industrinë prodhuese me eksporte është rritur ndjeshëm përmes KIESA dhe përmes masave tjera të Qeverisë.
Ne si Qeveri e Kosovës, kemi mbështetur Fondin Kosovar për Garanci Kreditore me 22.6 milionë euro, në përkrahje të ndërmarrjeve me potencial eksporti, ndërmarrjeve në pronësi të grave dhe ndërmarrjeve fillestare (start up);
Janë garantuar 705 kredi të 638 bizneseve, në vlerën e 45.9 milionë eurove. Nga këto biznese, 12% prej tyre janë gra, e ndërsa sa i përket shpërndarjeve të kredive, 58% janë në sektorët industrial prodhues me potencial eksporti, të cilat kanë shtuar edhe 1,322 vende pune të reja, dhe kanë kontribuar në rritje të qarkullimit vjetor me 43 milionë euro.
Ndërkaq, në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, me masën 2.1 për subvencionim të kredive investive, mbështetëm 218 biznese në vlerë prej 6.6 milionë euro në këtë vit, kurse në dy vitet e fundit, janë subvencionuar gjithsej 450 biznese në vlerë prej 12.4 milionë euro.
Përmes Agjencisë KIESA, janë mbështetur 81 biznese mikro, të vogla dhe të mesme, me grante në vlerën prej 2.1 milion euro; për blerje të makinerive prodhuese/përpunuese dhe certifikim të produkteve, me qëllim të rritjes së eksportit;
Po ashtu, me mbështetje nga KIESA, 119 ndërmarrje kanë marrë pjesë në 18 panaire ndërkombëtare, që janë mbajtur në vendet si: Gjermani, Holandë, Itali, Greqi, Angli, Amerikë, Kanada, Izrael dhe Turqi, ku janë promovuar mbi 920 produkte Kosovare të mallrave, shërbimeve dhe aktiviteteve të turizmit në vlerë prej rreth 1 milion euro;
Përmes Agjencisë KIESA është nënshkruar edhe marrëveshja me ECIKS për projektin “Iniciativa për Fuqizim Digjital”, ku financues janë ADA Austriake dhe MINT/KIESA, përmes së cilës planifikohet të përfitojnë 100 biznese mikro, të vogla dhe të mesme, në vlerë prej 344,000 euro;
Me reformat e reja për zonat ekonomike, përmes Ligjit të ri për Parqet Industriale dhe Parqet Teknologjike, gjatë këtij viti, kemi punuar në konsolidimin dhe sjelljen në funksion të zonave ekzistuese të certifikuara, si dhe identifikimin e zonave të reja, me synim që t’i shndërrojmë të gjitha në parqe efektive industriale dhe parqe efektive teknologjike.
Investimet gjatë këtij viti përfshijnë:
– Punimet në ndërtimin e infrastrukturës fizike në Parkun Industrial në Qylagë të Lipjanit me buxhet nga KIESA prej 600,000 euro;
– Ndërtimin e infrastrukturës fizike të Parkut Industrial në Opterushë të Rahovecit, me investime gjatë këtij viti, rreth 1 milion euro;
– Ndërkaq, javën e shkuar kemi inauguruar Parkun Industrial në Budrikë të Vitisë, në vlerë 1.7 milione euro.
Me buxhetin e zotuar me 33 milion euro investime kapitale për 3 vitet në vijim, MINT/KIESA ka marrë iniciativën për themelimin e Parkut Industrial në Drenas 2, i cili planifikohet të ndërtohet përballë parkut të biznesit aktual dhe i cili ka një sipërfaqe prej 36 ha;
Është duke u punuar për krijimin e zonës ekonomike/parkut industrial në Bernicë, me qëllim të krijimit të hapësirave për vendosje të bizneseve vendore dhe të huaja dhe parqe tjera të reja industriale sipas politikës industriale dhe ligjit përkatës.
Përmes Politikes Industriale dhe Ligjit të Ri për Parqet industriale dhe Teknologjike, synojmë të zhvendosim fokusin nga zonat me shumë aktivitete/veprimtari të ndryshme biznesi, drejt parqeve industriale të specializuara që synojnë zhvillimin ose përmirësimin e industrive specifike, parqeve industriale të gjelbra dhe parqeve teknologjike dhe të Inovacionit, bazuar në Treguesit Kryesorë të Performancës të përcaktuara qartë.
Përveç ligjit në finalizim, për më shumë hapësirë për inovacion, kemi investuar në:
– Parkun e Inovacionit dhe Teknologjisë me 3 milion euro gjatë këtij viti, që finalizon investimin e përgjithshëm prej 12 milion euro me bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës me 8 milion dhe Qeveria Gjermane me 5 milion. Ky park, nxit bashkëpunimin në një komunitet aktiv për inovacionin e ndërmarrësi, zhvillimin e biznesit dhe aftësive, dhe do të shërbejë si vend/burim idesh inovative dhe të suksesshme.
– Kemi dhënë në shfrytëzim Inkubatorin e Biznesit në Bërnicë, me sipërfaqe të përgjithshme prej 3930 m2, që do të shfrytëzohet nga STIKK për periudhën 5 vjeçare, me qëllim që të kontribuoj dhe lehtësojë krijimin e bizneseve potenciale të qëndrueshme, të cilat ofrojnë shërbime të përbashkëta në ndërmarrësi, shërbime përkrahëse të biznesit, avancim të shkathtësive dhe teknologjisë si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me inkubator.
– Kanë përfunduar punimet në ndërtimin e infrastrukturës fizike të Inkubatorit të Biznesit në Malishevë, me fazën e fundit të investimit prej 32,000 euro;
– Është finalizuar investimi në shumën e përgjithshme 1,000,000 euro, me fazën e fundit të investimeve gjatë këtij vitit, në vlerë 150,000 euro në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me hapësirë 1000m2, në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, përmes marrëveshjes së bashkëpunimit në mes MINT dhe UP, për investime në adaptimin e hapësirës së përbashkët për ndërmarrësit e rinj, si dhe për krijim të bashkëpunimeve të strukturuara në mes akademisë dhe industrisë.
– Dhe më shumë parqe teknologjike dhe të Inovacionit, bazuar në Treguesit Kryesorë të Performancës për më shumë inovacion dhe transformim socio ekonomik, në vitet në vijim.
E kur jemi te bizneset, ato po shtohen çdo ditë, vetëm që nga janari deri në dhjetor janë regjistruar 10, 652 biznese të reja.
Të nderuar gazetarë, duke ju falënderuar për prezencën tuaj, ju ftoj për nga një kafe së bashku!
Dhe poashtu të gjithëve ju, dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju uroj Vitin e Ri 2024, duke ju dëshiruar prosperitet, shëndet e të gjitha të mirat!/Arbresh.info/
”Ti je ma rrugaçe se unë”, Përplasen sërish Driloni e Xhenet...
Aksident mes tri automjeteve në Prishtinë, lëndohen dy perso...
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...