Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është kusht për Serbinë që të anëtarësohet në BE.
Ai po ashtu thotë se blloku po e ndihmon Kosovën që të përgatisë terrenin për anëtarësimin e ardhshëm.
Përparimi i Serbisë drejt Bashkimit Evropian varet padyshim nga dialogu me Kosovën. A do të thotë kjo se pranimi i Serbisë në BE do të përputhet me përfundimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën?
Johannes Hahn: Jo. Është e kundërta: normalizimi me Kosovën është parakusht për Serbinë që të bëhet anëtare e BE-së.
Në muajin shkurt ju do të paraqisni një strategji për Ballkanin Perëndimor. Nga fjalimi i presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, “për gjendjen e BE-së”, ka dalë 2025-a si vit kur Serbia dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE. A do të thotë kjo se këto dy shtete, si udhëheqëse në rajon, do të ndahen nga të tjerat?
Johannes Hahn: Jo, nuk është kështu. Nëse i kushtoni vëmendje fjalimit të Junckerit, ai nuk i ka përmendur vetëm udhëheqëset në rajon, edhe pse këto dy shtete përmenden në letër. Kjo qartë tregon për faktin se këto dy vende, Serbia dhe Mali i Zi, tashmë po negociojnë. Për këtë, ato dallohen nga shtetet e tjera. Unë personalisht përmbahem nga çdo kualifikim. Ajo që ka rëndësi, është zhvillimi i secilit vend.
Mendoj se secili vend përparon kah integrimi evropian: disa më shpejt, disa duhet të angazhohen më shumë dhe t’i kryejnë detyrat e shtëpisë. Në parim, mendoj se gati të gjitha vendet janë në rrugë të duhur.
Në Bosnje dhe Hercegovinë mendoj se duhet bërë më shumë. Shpresoj se shumë shpejt do t’i marrim përgjigjet në pyetësorin tonë. Kjo është diçka që qytetarët e atij vendi presin nga udhëheqësit e tyre politikë – të shohin që udhëheqësit politikë kanë kapacitet dhe gatishmëri për të vendosur. Ata duan perspektivë evropiane.
Vendet e tjera, do të thosha se janë në rrugë të duhur. Kjo strategji do të mbulojë perspektivën evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Është shumë e rëndësishme të theksohet se kjo është një perspektivë evropiane për të gjitha vendet, jo vetëm për dy ose tre.
Kur flasim për Kosovën, ajo e ka të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por në anën tjetër janë zhvillimet në Katalonjë dhe problemi me pesë vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e saj. A mendoni se ka rrezik që Kosova të ngec?
Johannes Hahn: Natyrisht se nuk mund t’i shpërfill ngjarjet gjeostrategjike dhe gjeopolitike, por ajo që mund të bëjmë ne si Komision – dhe që po e bëjmë me përkushtim – është ta ndihmojmë Kosovën të përgatisë terrenin për anëtarësim në BE, duke përmirësuar strukturën ligjore, efektin ekonomik, rritjen e të hyrave – gjë që është e rëndësishme në rastin e Kosovës, sepse një e treta e të hyrave vijnë nga dogana që nuk do të ekzistojë në tregun e përbashkët.
Një e treta e të ardhurave kombëtare nuk mund të zëvendësohet brenda natës, kështu që duhet të merremi me to shumë më herët. Mendoj se në këtë mënyrë mund ta mbështesim konkretisht Kosovën në përgatitjen e terrenit për anëtarësimin e ardhshëm në BE.
Kosova është pjesë e të gjitha këtyre përgatitjeve që çojnë në hapësirën ekonomike rajonale. Kjo është një tjetër dëshmi e angazhimit tonë të fuqishëm ndaj perspektivës evropiane të Kosovës.
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...