Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, është duke bërë hetime lidhur me rolin e Zyrës së Qeverisë së Kosovës (në Ministrinë e Drejtësisë) për mbrojtjen juridike të të akuzuarve potencialë pranë Dhomave të specializuara, si dhe drejtuesin e kësaj zyre, Driton Lajçi, për pengimin e mundshëm të drejtësisë, përfshirë edhe pretendimet për shkelje të neneve të Kodit Penal të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e provave ose procedurave zyrtare dhe frikësim gjatë kryerjes së procedurës.
Kjo është pjesë e një dokumentit që ka të bëjë me kërkesën e avokatit të Lajçit, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit të intervistimit.
Lajçi është marrë në pyetje në Hagë, më 17 tetor, duke u mbrojtur në heshtje, ndërkaq që avokati i tij, Toby Cadman, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që pranë Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me seli në Hagë, ka paraqitur kërkesën lidhur me kushtetutshmërinë e procedurës gjatë intervistimit, që është edhe pjesë e dokumentacionit publik.
Megjithatë, në këtë moment, ai nuk ka mundur të flasë më shumë për përmbajtjen e asaj kërkese ose për çfarëdo aspekti tjetër të rastit, “marrë parasysh që kjo është çështje ‘sub juridice’”, gjegjësisht, një çështje që është në gjykatë.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në kërkesën publike, e cila për disa orë ka qenë e publikuar në faqen e internetit të Dhomës së Specializuar, por që më pas është larguar nga aty.
Siç ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Dhomave të specializuara Angela Griep, kërkesa mund të tërhiqet nga faqja e internetit në rast se ekziston brengosja e palëve dhe më pas, pas shqyrtimit nga Dhoma kompetente, mund të publikohet sërish ose të klasifikohet si konfidenciale.
Megjithatë, në kërkesë thuhet që Lajçi, ndonëse ka insistuar, nuk ka qenë i informuar paraprakisht se për çfarë vepra penale specifike bëhet fjalë, për bazën e provave për dyshim se ka kryer vepër penale, ndërkaq që për pretendimet specifike nuk është njoftuar as gjatë intervistimit. Për këtë arsye, avokati i tij, Cadman, ka kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së procedurës së intervistimit, duke thënë se bëhet fjalë për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve relevante.
Cadman, në kërkesën e tij, insiston edhe në vendosjen e praktikës, e cila do të mundësojë që të gjitha intervistimet e ardhshme “të jenë në përputhje me ligjin” dhe që intervistimi i Lajçit, më 17 tetor, të konsiderohet i paligjshëm dhe i papranueshëm.
Dhoma e Specializuar e Kushtetutës së Kosovës në Hagë është instanca e fundit për interpretimin e Kushtetutës lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me punën e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar. Cadman, në emër të Lajçit, i është drejtuar Dhomës së Specializuar të Kushtetutës së Kosovës, duke u thirrur në nenin e Kushtetutës së Kosovës, i cili thotë që “individët mund të nisin procedurë, në rast se të drejtat dhe liritë e tyre që ua garanton Kushtetuta, shkelen nga ana e organeve publike, kur të gjitha mjetet juridike janë shterur”.
Ai, gjithashtu, konsideron që procedurat e miratuara për intervistimin, në përputhje me ftesën, nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me Rregulloren e procedurës dhe dëshmive të Dhomave të Specializuara, si dhe me obligimet e Kosovës dhe që Dhomat të veprojnë në përputhje me të drejtat ndërkombëtare të njeriut.
Në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, Prokuroria e Specializuar ka refuzuar të japë çfarëdo komenti.
Krimet kundër zbatimit të drejtësisë, gjegjësisht, krimet e kryera gjatë proceseve gjyqësore, siç janë: shkatërrimi i provave, frikësimi i dëshmitarëve dhe të tjera, janë ndër kategoritë, mbi të cilat Gjykata Speciale ka kompetencë, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe veprat tjera penale sipas ligjeve të Kosovës e që ndërlidhen me pretendimet në raportin e eurodeputetit Dick Marty, më 2011.
Siç thuhet në kërkesën e dorëzuar të avokatit Cadman, drejtuesi i Zyrës së Qeverisë së Kosovës, Driton Lajçi, në fund të shtatorit kishte marrë ftesën që më 17 tetor të paraqitet në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në lidhje me “hetimin zyrtar kriminalistik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar”, për shkak që “ekzistojnë arsye për të besuar se ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale nën kompetencat e Dhomave të Specializuara të Kosovës”.
Pyetjes së Lajçit për prokurorin, se për çfarë pretendimesh specifike bëhet fjalë, si dhe ndaj kërkesës së tij që para intervistimit në Hagë të jetë i informuar për veprat penale të pretenduara, në mënyrë që të jetë i vetëdijshëm për përgjigjet që do të kërkohen nga ai lidhur me bazën e pretendimeve, Prokuroria e Specializuar, përmes postës elektronike, i është përgjigjur që “me ligj nuk është e paraparë që në këtë moment të japin detaje lidhur me provat, të cilat i disponon Prokuroria”.
Megjithatë, në këtë përgjigje thuhet që Prokuroria “po e heton rolin e zyrës(së Lajçit) dhe vetë Lajçin për pengimin e mundshëm të drejtësisë, përfshirë shkeljen e neneve të Kodit Penal të Kosovë, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e provave ose të procedurave zyrtare, si dhe frikësimit gjatë zhvillimit të procedurës”.
Marrë parasysh që prokurori nuk e ka zbuluar materialin e dëshmive, gjë që, siç thuhet në kërkesë, do t’i ndihmonte avokatit që ta këshillojë klientin e tij në mënyrën e duhur, Lajçi ka vendosur që të refuzojë të përgjigjet ndaj pyetjeve në ditën e intervistimit. Për këtë refuzim ka qenë i njoftuar edhe vetë prokurori para intervistimit, kur e kishte kontaktuar avokatin e atëhershëm të Lajçit, Artan Qerkinin, përmes telefonit, të cilin e kishte pyetur se a planifikon Lajçi që të mos ofrojë informacione gjatë intervistimit.
Intervistimi i Lajçit, më 17 tetor, kishte zgjatur rreth një orë dhe ndaj secilës pyetje, ai ishte mbrojtur në heshtje.
Avokati Qerkini, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që edhe më tej mbetet pranë deklaratës së tij që Prokuroria ishte e interesuar për funksionimin e Zyrës për mbrojtjen juridike të të akuzuarve potencialë pranë gjykatës.
Në kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së procedurës së intervistimit, gjithashtu thuhet që gjatë intervistimit, prokurori “në mënyrë të vazhdueshme dhe jokorrekte e ka pyetur Lajçin nëse refuzimi i tij për t’u përgjigjur ndaj pyetjeve bazohet në të drejtën e tij për lirinë ndaj vet-inkriminimit”. Avokati ka shtuar që e drejta për të heshtur dhe e drejta për lirinë ndaj vet-inkriminimit, janë të drejta të ndara.
Avokati i Lajçit, Cadman, thotë që në rast se merret parasysh Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar, si dhe sipas dokumenteve tjera relevante“gjatë përcaktimit të akuzave, i akuzuari ka të drejtë që me kohë dhe në mënyrë të detajuar të jetë i informuar për natyrën dhe arsyen e akuzës ndaj tij”. Gjithashtu, sipas tij,edhe në nenin e Rregullores së Procedurës thuhet që gjatë intervistimit, i dyshuari ka të drejtë të jetë i informuar se ekzistojnë bazat e dyshimit se ka bërë vepër penale nën kompetencën e Dhomave të Specializuara.
Prandaj, avokati i Lajçit, ka theksuar që intervistimi i këtij të fundit nga prokurori, nuk mund të jetë i pranueshëm në procedurat në rast të një aktakuze.
Zyra për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë pranë gjykatës në Hagë, funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Qeverisë së Kosovës dhe është formuar në përputhje me Ligjin për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare për personat e akuzuar pranë Dhomave Speciale.
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Driloni, Anisës: Po tutem që të shikoj
Zelensky kërkon më shumë sisteme për mbrojtje ajrore të Ukra...
Rama në Britani e Madhe: Emocion kuqezi pak minuta përpara t...
Tenderët njëburimor, Murati: Përqindja më e madhe ka qenë më...