Hadergjonaj: Jam e bindur që në Kukës s’ka pasur krime, nuk i dëgjoj thashethemet e kësaj Gjykate

11:46 | 23 Nëntor 2023
A Z

Dëshmitarja Safete Hadergjonaj, gjatë dëshmisë së saj të enjten në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka thënë se është e bindur që në Kukës nuk ka pasur krime.

Deklarata e saj, erdhi pasi mbrojtësi i viktimave, Simon Laws i tha dëshmitares që ai përfaqëson viktimat e krimeve që kanë ndodhur në Kukës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Këtë që thua e kuptoj, por nuk e kuptoj që në Kukës ka pas krime dhe jam e bindur që aty nuk ka pas krime”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.

Ajo tha se nuk i intereson të dëgjojë sajesa nga Shërbimi Sekret Serb e po ashtu sipas saj edhe thashethemet e Gjykatës Speciale.

“Unë arrij në përfundimin që sapo thash se nuk kam dëgju kurrë nga askush që ka pas gjëra të tilla në Kukës dhe unë kam të drejtë ta ruaj mendimin tim të bazuar në këtë që ajo çka po thoni ju ndalesë në Kukës është sajesë e Shërbimit Sekret Serb, prandaj nuk me interesojnë gjërat e tilla t’i lexoj. Unë nuk kam dëgju kurrë që ka pas gjëra të atilla aty. Sikur ta kisha dëgju prej dikujt, unë do të ua thosha me sinqeritetin më të madh, por unë nuk kam dëgju. Nuk kam informatë që aty ka pas diçka. Nuk i dëgjoj dhe as nuk i lexoj thashethemet e kësaj gjykate që kanë shqitë nga ajo për të cilën është formu”, tha Hadergjonaj.

Këtë deklarim, ish-deputetja e bëri pasi avokati Laws e pyeti nëse për rastin në Kukës ka ardhur në këtë përfundim, për shkak se nuk i ka lexuar materialet e kësaj çështjeje.

“Po e them, edhe dje, po e them edhe sot materialet e kësaj çështje nuk i lexoj sepse janë sajesa të Shërbimit Sekret Serb dhe nuk dua as me i lexu. Zotri avokat, unë që jam ulë këtu si dëshmitare jam viktimë e regjimit gjenocidal të Serbisë dhe kërkush nuk po merret me të drejtat dhe jetën time këtu. Kurrkush nuk po më mbron mua…okej”, tha Hadergjonaj, derisa ia ndërpreu fjalën kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veld-Foglia.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme