Google ADS

Guvernatori Mehmeti jep sqarime pas deklaratave të kryetarit të Bordit të BQK-së

20:30 | 1 Mars 2023
K.B

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti të mërkurën ka dhënë një sqarim të gjatë pas deklaratave të kryesuesit të Bordit, Bashkim Nurboja para anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere lidhur me integritetin dhe arsyetimet për mos përfshirjen në listën e emrave të kandidatëve të parin e këtij institucioni.

Guvernatori Mehmeti me anë të një reagimi publik thotë se nga data 28 mars të vitit 2022, Bordi i BQK-së është njoftuar se për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, kompetencat e guvernatorit i janë deleguar zëvendësguvernatorit.

“Gjatë kohës që kam qenë në pushim mjekësor, një sigurues, i cili ka rezultuar në mungesë të kapitalit, ka plotësuar këtë mungesë me injektim të kapitalit dhe ushtruesi i detyrës të guvernatorit ka lëshuar komunikatën lidhur me përputhshmërinë e sektorit të sigurimeve me kërkesat ligjore të BQK-së”, shkruan Mehmeti.

Mehmeti përmend edhe raste të tjera lidhur me aktivitetin e tij në këtë institucion.

“Veprimet e panelit në raport me procesin e përzgjedhjes janë tendencioze dhe konflikt të hapur të interesit, ngase njëri nga kandidatët është i afërm në baza shoqërore me njërin nga anëtarët e panelit. Rrjedhimisht, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, paneli hapur është duke tentuar që të shfrytëzojë pozitën zyrtare dhe kompetencat ligjore për t’i krijuar hapësirë vetvetes marrjen e kompetencave ekzekutive të Guvernatorit, përkatësisht Bordit Ekzekutiv të BQK-së. Në këtë mënyrë, ekziston dyshim i bazuar se paneli është në konflikt të hapur të interesit dhe në shkelje të dispozitave të ligjit për parandalimin e interesit duke vepruar në dobi të anëtarëve të panelit, të cilët janë edhe anëtarë të Bordit të BQK-së”, vazhdon Mehmeti.

Në reagimin publik, Guvernatori shkruan se përveç shkeljeve të cekura më lartë, ekziston dyshimi i bazuar se anëtarët e panelit për përzgjedhjen e guvernatorit kanë bërë edhe shkelje të Nenit 219 Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

“Unë si guvernator i Bankës Qendrore kam kryer me integritet të lartë dhe me përgjegjësi punën time gjatë mandatit tim. Integritetin tim të lartë e dëshmon edhe Arbitrazhi ndërkombëtar, i cili i dha të drejtë Vendimit të BQK-së, kryesuar nga unë (rasti JuteCredit). Po ashtu edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës i dha të drejtë Vendimit të BQK-së (rasti Monego) duke konstatuar të drejtë Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili është në favor të BQK-së”, shton ai.

Sa i përket ruajtjes stabilitetit financiar, ai thotë vlen të përmendet se nën udhëheqjen e tij si guvernator, BQK-ja ka arritur të siguroj një sistem financiar të qëndrueshëm, stabil, të mirë kapitalizuar dhe likuid.
Reagimi i plotë:
Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka dhënë sqarime në lidhje me deklarimet e anëtarit të Panelit përzgjedhës për Guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), njëkohësisht edhe anëtarit të Bordit të BQK-së z. Nurboja, para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere lidhur me integritetin dhe arsyetimet për mospërfshirjen në listën e emrave të kandidatëve për Guvernator, ani se pikët janë të njëjta.

Nga data 28 mars të vitit 2022, Bordi i BQK-së është njoftuar se për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, kompetencat e Guvernatorit i janë deleguar Zëvendësguvernatori, e ku përjashtim bëjnë pjesëmarrja në mbledhjet e Bordit të BQK-së dhe Bordit Ekzekutiv, pjesëmarrjes në panelin për intervistimin e kandidatëve për zëvendësguvernator dhe ndonjë çështje që domosdoshmërisht kërkon praninë e Guvernatorit.

“Gjatë kohës që kam qenë në pushim mjekësor, një sigurues, i cili ka rezultuar në mungesë të kapitalit, ka plotësuar këtë mungesë me injektim të kapitalit dhe ushtruesi i detyrës të Guvernatorit ka lëshuar komunikatën lidhur me përputhshmërinë e sektorit të sigurimeve me kërkesat ligjore të BQK-së. Siç mund të shihet, kjo komunikatë nuk është lëshuar nga Bordi Ekzekutiv, pasi që në këtë kohë, për shkak të mungesës time në punë, nuk ka pasur takim të Bordit Ekzekutiv, për të cilën edhe mund të evidentohet lehtë. Aktiviteti i sektorit të sigurimeve, dhe jo vetëm, është dinamik dhe mund të ndryshojë nga tremujori në tremujor, për shkak të ndodhjes së një apo më tepër dëmeve eventuale me vlerë të lartë që mund të ngarkojë shpenzimet e siguruesve”, ka thënë Guvernatori.

Megjithatë, kjo temë është diskutuar në takimet e Bordit të BQK-së, gjatë muajve prill, maj dhe qershor 2022 për të cilat anëtarët e Bordit të BQK-së janë informuar në detaje dhe kjo çështje është mbyllur, si diskutim.

“Ndërkohë, çështja e komunikatës është aktualizuar sërish në mbledhjen e muajit janar 2023, me qëllim të përdorimit kinse si “arsye”, për të atakuar kandidaturën time për Guvernator të BQK-së. Duke marrë parasysh mungesat e vazhdueshme të kapitalit të këtij sektori dhe masave administrative dhe mbikëqyrëse të ndërmarra nga ana e BQK-së, gjatë periudhës sa kam ushtruar funksionin e Guvernatorit, sektori i sigurimeve ka injektuar mbi 20 milionë euro kapital. Andaj, nëse ka ndonjë gjë për të cilën ndihem krenar, është pikërisht zgjidhja e problemit të sektorit të sigurimeve dhe marrja e masave për përmirësimin dhe pajtueshmërisë së këtij sektori me kërkesat ligjore, duke marrë parasysh se që nga themelimi dhe funksionimi i tij, nuk është marrë askush me këtë sektor dhe zgjidhjen e pajtueshmërisë së tyre me kërkesat ligjore”.

Si pjesë e angazhimit në ruajtjen e likuiditetit të sektorit financiar në vend, janë revokuar licencat, si vullnetare ashtu edhe të detyrueshme, të trembëdhjetë institucioneve të ndryshme financiare, prej të cilave revokime më të rëndësishme ishin dy (2) sigurues, Insig dhe Kosova e Re; si dhe dy revokime/regjistrime për IMF/IFJB, përkatësisht IuteCredit dhe Monego.

Gjithashtu, BQK-ja ka arritur të fitoj rastin e iniciuar nga IuteCredit, e cila kishte paditur Kosovën në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Siç është njoftuar publiku, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka hedhur poshtë secilin pretendim të IuteCredit lidhur me ligjshmërinë e vendimit të Bordit Ekzekutiv të BQK-së, me çka ka vërtetuar se vendimet e BQK-së kanë qenë të drejta dhe sipas ligjeve në fuqi.

“Sa i përket ruajtjes stabilitetit financiar, vlen të përmendet se nën udhëheqjen time si Guvernator, BQK-ja ka arritur të siguroj një sistem financiar të qëndrueshëm, stabil, të mirë kapitalizuar dhe likuid. Një qëndrim i ngjashëm lidhur me sistemin financiar në vend mund të evidentohet edhe në raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare, si: Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Raporti i Komisionit Evropian, Banka Qendrore Evropiane, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe shumë institucione tjera”.

Sa i përket procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për Guvernator, paneli intervistues ka renditur në pozitën e katërt, dy persona që kanë pikë të barabarta vlerësuese.

“Gjatë renditjes së listës së kandidatëve, për 3 vendet e para, renditja është bërë në mënyrë alfabetike (Kumtesë për Shtyp | Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (bqk-kos.org), përderisa për pozitën e katërt në vend se të përdoret parimi i njëjtë i renditjes alfabetike ku unë do të isha i renditur i pari në pozitën e katërt dhe kandidatja tjetër si e dytë në pozitën e katërt, në mënyrë arbitrare është vendosur që e para në pozitën e katërt të vendoset kandidatja tjetër dhe mua të mos më procedoj në Kuvend. Duke pasur parasysh faktin se kemi pasur pikë të barabarta vlerësuese për pozitën e 4, atëherë do të duhej që të dy kandidatët me pikë të barabarta vlerësuese të dërgoheshin në Kuvend. Ky veprim është në kundërshtim me Ligjin Nr.05/L-020 për Barazi Gjinore, sipas të cilit është i ndaluar diskriminimi gjinor dhe do të duhej të sigurohej barazi gjinore ku do të mundësohej ushtrim i plotë dhe i barabartë i drejtave të njeriut të meshkujve dhe femrave. Gjithashtu, kjo praktikë e përjashtimit është në kundërshtim me Nenet 21, 24 dhe 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Madje, kandidati i renditur si e katërta nga paneli intervistues, nuk ka qenë dashur të ftohet fare në intervistë për shkak të kufizimeve ligjore të parapara me Ligjin për BQK-në. Neni 40 paragrafi 2 nënparagrafi 3 i Ligjit të BQK-së përcakton se: “2. Asnjë person nuk do të kualifikohet për t’u zgjedhur që të shërbejë në organet vendimmarrëse të Bankës Qendrore nëse ai/ajo: 2.3. për arsye të sjelljes personale jo të mirë, ka qenë diskualifikuar apo suspenduar nga një autoritet kompetent për ushtrimin e profesionit ose nuk ka qenë lejuar të jetë drejtor apo zyrtar i një institucioni financiar”.

‘Bazuar në kërkesat e ligjit të sipër cekura, vlerësoj se ftesa për intervistë dhe dërgimi në Kuvendin e Kosovës për kandidaten numër 4 paraqet shkelje ligjore, ku paneli intervistues ka vepruar në kundërshtim me nenin 40 paragrafi 2 nënparagrafi 3 të Ligjit për BQK-në e cila dispozitë përjashton nga gara personat që për arsye të sjelljes personale jo të mirë, kanë qenë të diskualifikuar apo suspenduar nga një autoritet kompetent për ushtrimin e profesionit ose nuk kanë qenë lejuar të jenë drejtor apo zyrtarë të ndonjë institucioni financiar, e lere më të ushtrojnë funksionin e Guvernatorit.

Veprimet e panelit në raport me procesin e përzgjedhjes janë tendencioze dhe konflikt të hapur të interesit, ngase njëri nga kandidatët është i afërm në baza shoqërore me njërin nga anëtarët e panelit.

Në të njëjtën kohë, paneli përzgjedhës duke qenë në dijeni të dispozitave të Ligjit për BQK-në, lidhur me funksionet e organeve drejtuese dhe mungesave eventuale apo të vakumit në këto organe, respektivisht kompetencave të Guvernatorit dhe Bordit Ekzekutiv, përkatësisht neni 46 të Ligjit për BQK-në ka përcaktuar se: “Në rast rrethanash të jashtëzakonshme dhe nëse të gjithë anëtarët e Bordit Ekzekutiv mungojnë apo nuk janë në gjendje të veprojnë, posti i Guvernatorit do të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore. Dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore që janë më së gjati në post të tillë si dhe në dispozicion do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve”.

Rrjedhimisht, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, paneli hapur është duke tentuar që të shfrytëzojë pozitën zyrtare dhe kompetencat ligjore për t’i krijuar hapësirë vetvetes marrjen e kompetencave ekzekutive të Guvernatorit, përkatësisht Bordit Ekzekutiv të BQK-së. Në këtë mënyrë, ekziston dyshim i bazuar se paneli është në konflikt të hapur të interesit dhe në shkelje të dispozitave të ligjit për parandalimin e interesit duke vepruar në dobi të anëtarëve të panelit (të cilët janë edhe anëtarë të Bordit të BQK-së).

Institucionet poashtu janë njoftuar nga edhe kryetari i panelit përzgjedhës z. Flamur Mrasori rreth dyshimeve se me veprimet e panelit, është shkelur një nga parimet bazë të Kushtetutës “Barazia para Ligjit” që është një nga parakushtet për funksionim të rendit dhe ligjit në çdo vend.

Dy anëtarët nga paneli gjatë procesit për përzgjedhjen e Guvernatorit, kanë bërë shkelje si në vijim: Nenin 23 (Dinjiteti i Njeriut) dhe 24 (Barazia para Ligjit) të Kushtetutës se Republikës së Kosovës; nenin 38 paragrafi 2 të Ligjit Nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës; nenin 6 të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Gjithashtu, përveç, shkeljeve të cekura më lartë, ekziston dyshimi i bazuar se anëtarët e panelit për përzgjedhjen e Guvernatorit kanë bërë edhe shkelje të Nenit 219 Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Ky nen përcakton se “Kushdo që ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç është përcaktuar me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet”.

Përderisa, njëri nga anëtarët e panelit bëri shpifje kundër meje duke më cenuar integritetin, atëherë si është integriteti i këtij anëtari me gjithë këto shkelje të cekura më lartë.

Unë si Guvernator i Bankës Qendrore kam kryer me integritet të lartë dhe me përgjegjësi punën time gjatë mandatit tim. Integritetin tim të lartë e dëshmon edhe Arbitrazhi ndërkombëtar, i cili i dha të drejtë Vendimit të BQK-së, kryesuar nga unë (rasti JuteCredit). Po ashtu edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës i dha të drejtë Vendimit të BQK-së (rasti Monego) duke konstatuar të drejtë Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili është në favor të BQK-së. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme