Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti i shoqëruar nga dy zëvendësguvernatorët Sokol Havolli dhe Lulzim Ismajli, shpalosi të dhënat në lidhje me zhvillimet e fundit në sektorin financiar pas masave të reja anti-Covid 19.
Me këtë rast, Guvernatori tha se me gjithë situatën në të cilën ndodhet vendi që nga muaji mars dhe kur të hyrat nga sektori i jashtëm kanë shënuar rënie, ekonomia e Kosovës ka vazhduar të përfitojë nga rritja e vazhdueshme e kreditimit të sektorit bankar të Kosovës, raporton arbresh.info.
Gjithashtu vuri në dukje se sektori bankar është më stabil se kurrë, likuid, mirë i kapitalizuar dhe me afarizëm pozitiv.
“Gjithsej vlera e kredive aktive në sektorin bankar të Kosovës në shtator 2020 ishte 3.2 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 7.6%. Vlera e kredive të reja të lëshuara për periudhën janar-gusht 2020 është 912.5 milionë euro, krahasuar me 959 milionë euro apo rënie prej 5 përqind, krahasuar me një vit më parë”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Megjithatë, gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti kemi të dhëna premtuese, ku kreditë e reja të lejuara nga sektori bankar janë në vlerë prej 320.7 milionë euro krahasuar me kreditë e reja të lëshuara në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 260 milionë, apo një rritje prej 23 përqind.
Rritjen e kreditimit padyshim që e kanë lehtësuar masat rregullatore dhe mbikëqyrëse të BQK-së, të cilat kanë pasur për qëllim lehtësimin e barrës së pagesës së borxhit për huamarrësit dhe po ashtu lehtësimin e kërkesave rregullatore për bankat.
“Depozitat vazhdojnë të përfaqësojnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar dhe shënuan rritje vjetore prej 8.6 përqind në shtator 2020, ku 67% e totalit të përgjithshëm janë depozita familjare dhe që kanë shënuar rritje për 7 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.
Ngjashëm me vitet paraprake, norma efektive e interesit në kredi është 6.4 përqind sa ishte edhe në shtator të vitit 2019, derisa norma e interesit në depozita është 1.5 përqind, e njëjtë sikur në shtator të vitit të kaluar.
Norma e kredive joperformuese mbetet në nivele të ulëta prej 2.7 përqind, përderisa mbulueshmëria e tyre me provizione është 137.8 përqind.
Zhvillime pozitive kemi edhe te sektori i sigurimeve, i cili megjithëse deri në shtator 2020 pati rënie të lehtë të aktivitetit, arriti të kishte një performancë pozitive financiare, si dhe me përmirësim të pozitës së likuiditetit.
Institucionet mikrofinanciare dhe ato financiare jobankare (IMF-IFJB) gjithashtu vazhduan të kenë rritje të konsiderueshme të aseteve, gjegjësisht aktivitetit kreditues.
Në konferencën për media, Guvernatori Mehmeti prezantoi masat e ndërmarra brenda BQK-së.
“Ne në vazhdimësi i kushtojmë rëndësi kontrolleve të brendshme, që kanë për qëllim parandalimin e humbjeve dhe raportimin e besueshëm financiar, andaj edhe kemi bërë regjistrimin ad-hoc të gjendjes së parasë së gatshme në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Duke u bazuar në rezultatet e këtij regjistrimi kemi konstatuar se raportimi i gjendjes së parasë së gatshme në pasqyrat financiare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është i pasqyruar saktë, drejt dhe me kohë, si dhe në përputhje të plotë me gjendjen fizike të parasë së gatshme. Kjo dëshmon për sistem efektiv të kontrolleve të brendshme në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës duke zvogëluar mundësinë e mashtrimeve, shpërdorimeve dhe veprimeve të gabuara.
Duke pasur parasysh vazhdimin e pandemisë dhe rrjedhimisht edhe efektet e mundshme negative për ekonominë, Guvernatori Mehmeti tha se BQK-ja është e përkushtuar që të ndërmarrë masa të mëtejme në mbështetje të ekonomisë përmes lehtësimit të rrjedhës së kreditimit drejt sektorit privat.
“Ne po planifikojmë ndërmarrjen e një mase të re, të ngjashme me masat e ndërmarra nga Banka Qendrore Evropiane, përmes së cilës do të ulet përkohësisht kërkesa rregullatorë për kapital ndaj bankave, gjë e cila pritet të lirojë një pjesë të konsiderueshme të kapitalit që mund të përdoret për kreditimin e ekonomisë. Kërkesa rregullatore për kapital do të rikthehet pastaj gradualisht në nivelin e kërkuar në kushte normale në përputhje me ritmin e kthimit të ekonomisë drejt normalitetit. Në diskutimet fillestare me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe përfaqësuesit e bankave, kjo qasje e jona kundrejt pandemisë është mirëpritur dhe vlerësuar lart, gjë që na bënë të besojmë se do të jetë efektive në arritjen e qëllimit tonë për ta mbështetur ekonominë e vendit”, tha Guvernatori.
Ai përsëriti edhe njëherë rëndësinë që e ka miratimi sa më i shpejtë i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike në Kuvendin e Kosovës, duke pasur parasysh faktin se një pjesë e konsiderueshme e pakos së rimëkëmbjes ekonomike bazohet në masat për lehtësimin e qasjes në financa.
“Subvencionimi i normave të interesit dhe garantimi i kredive pritet të kenë rol shumë të rëndësishëm në rritjen e financimit kreditor në ekonominë tonë. Sidoqoftë, këtu duhet të përkujdesemi që këtë skemë të mbështetjes ekonomike ta bëjmë sa më efektive duke përcaktuar me kujdes kriteret kualifikuese për përfituesit. Me këtë rast, duhet pasur parasysh faktin se pozita financiare e një pjese të konsiderueshme të bizneseve dhe individëve është prekur negativisht nga kriza, por kjo nuk duhet t’i përjashtojë ata nga përfitimi i lehtësimeve të qasjes në financa për shkak se mund të jenë kategorizuar si kredimarrës jo të mirë. Nëse Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të pranonte vetëm garantimin e kredive të klientëve që nuk kanë pasur ndonjë problem me kthimin e kredisë, atëherë do të përfundonim duke përkrahur klientët që edhe pa një skemë të tillë do të mund të siguronin qasje në kredi, ndërsa do të përjashtonim ata që më së shumti kanë nevojë për një skemë të tillë për t’i ndihmuar në rimëkëmbjen e tyre”, tha Guvernatori Mehmeti.
Bazuar në parashikimet e BQK-së dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, sugjerojnë se ekonomia e Kosovës në vitin 2020 do të shënojë rënie ekonomike.
Sipas parashikimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 do të shënojë një rënie prej rreth 7.2%. Sidoqoftë, këto parashikime mund të rishikohen përsëri duke i pasur parasysh pasiguritë e shumta që kanë të bëjnë me zhvillimin e pandemisë gjatë muajve në vijim dhe rrjedhimisht, masat që mund të ndërmerren nga autoritetet përgjegjëse për ta menaxhuar situatën e pandemisë.
Guvernatori shtoi se shkaktarët mbrapa rënies ekonomike kryesisht lidhen me masat e ndërmarra për pengimin e shpërndarjes së pandemisë, të cilat ndikuan negativisht edhe në nivelin e konsumit, edhe në nivelin e investimeve në vend. Përveç faktorëve të brendshëm që ndikuan në rënien e konsumit, siç janë kufizimet e zhvillimit të aktivitetit për shumë biznese, humbja e mundshme e vendeve të punës e kështu me radhë, ndikim të rëndësishëm në rënien e konsumit në vend kishte edhe rënia e vizitave të diasporës në Kosovë gjatë kësaj periudhe, të cilët zakonisht paraqesin një burim shumë të rëndësishëm të rritjes së kërkesës së përgjithshme në Kosovë.
Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në korrik 2020, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin rreth 300 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 643 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Një faktor që ka ndikuar shumë në zbutjen e krizës sipas Guvernatorit Mehmeti kanë qenë remitencat, të cilat deri në gusht të këtij viti arritën në vlerën e 608.6 milionë euro dhe që paraqesin një rritje vjetore prej 10 përqind.
Sipas tij, rënia e konsumit në Kosovë gjatë këtij viti u reflektua në një vlerë më të vogël të importit të mallrave, i cili deri në korrik 2020 shënoi vlerën 2.03 miliardë euro apo një rënie vjetore prej 9.9 përqind, gjithashtu deri në korrik, investimeve të huaja direkte arritën në 202.6 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 147.7 milionë euro të regjistruar deri në korrik 2019./arbresh.info/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...