Kompanitë gurthyese – që llogariten si ndër më fitimprurëset në Kosovë – supozohet se janë të lidhura ngushtë me politikëbërësit.
Organizata joqeveritare kundër korrupsionit “Çohu” ka publikuar në fillim të këtij muaji një raport, në të cilin thuhet se kompani të tilla janë “donatore” ose “të afërta” me përfaqësues të katër subjekteve më të mëdha politike në Kosovë.
Raporti mbulon periudhën 2009-2018.
Nga 279 kompani gurthyese, që kanë marrë licenca pune në këtë kohë, 42 kanë pasur lidhje me anëtarë të partive politike ose i kanë financuar ato, thuhet në raport.
Për më tepër, thekson raporti, në 17 kompani të tilla pronarë janë ish-zyrtarë të lartë publikë ose këshilltarë komunalë.
Nga ta, 13 janë zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, tre të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – të tria këto parti aktualisht në opozitë.
Raporti i “Çohu”-t, organizatë kjo me seli në Prishtinë, gjithashtu nxjerr në pah se 18 kompani gurthyese kanë financuar PDK-në me vlera të ndryshme financiare, pesë Lëvizjen Vetëvendosje – aktualisht në pushtet – dhe dy AAK-në.
Drejtori i organizatës, Arton Demhasaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se afërsia e këtyre kompanive me politikanët në Kosovë është duke vazhduar edhe viteve të fundit.
“Gurthyesit që kemi përmendur në hulumtim, janë të personave të afërt të familjarëve ose vetë politikanëve. Afërsia qëndron ende, sepse gurthyesit janë ende aktivë”, thotë Demhasaj.
Kompanitë gurthyese nxjerrin gurin, i cili më pas përpunohet dhe përdoret për ndërtim – qoftë të rrugëve apo ndërtesave.
Gurthyesit njihen si kompani fitimprurëse, pasi, viteve të fundit, është rritur shumë kërkesa për nxjerrjen e mineraleve ndërtimore dhe industriale nga natyra, që më pas përdoren për ndërtimin e autostradave dhe objekteve – qoftë të banimit apo komerciale.
Sipas Demhasajt, 25 kompani që kanë financuar subjektet politike, janë “shpërblyer” me marrje të licencave për shfrytëzim të guroreve në rajone të ndryshme të Kosovës.
Përfitimet e gurthyesve nga Qeveria
“Lidhjet biznes-politikë nuk krijohen vetëm për një palë zgjedhje, por janë lidhje afatgjate. Bizneset e njëjta kanë dhënë donacione për partinë e njëjtë ndër vite. Prandaj, mendoj se kjo lidhje vazhdon”, thotë ai.
Ramiz Krasniqi, i cili ka shërbyer si drejtor në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), nuk i mohon pretendimet se disa kompani gurthyese mund të kenë lidhje të afërta me zyrtarë të partive politike.
“Këto [kompani] që kanë licencë disa, normalisht që janë të afërta [me disa subjekte politike], sepse Kosova është e vogël. Por, me dokumente janë në rregull. Ato i plotësojnë kriteret dhe e marrin licencën. Kurse, a marrin punë nëpër institucione tjera apo jo, [kjo] nuk është punë e KPMM-së”, thotë Krasniqi, i cili aktualisht ka pozitën e gjeologut kryesor brenda KPMM-së.
Demhasaj: Institucionet pa kontroll mbi gurthyesit
Por, sipas Demhasajt, lidhjet midis gurthyesve dhe partive politike bëjnë që institucione të caktuara shtetërore të mos kenë fuqi të reagojnë ndaj këtyre kompanive, në rast të shkeljeve apo mospërmbushjes së kontratës.
Kontratat apo licencat e hulumtimit dhe shfrytëzimit të hapësirës lëshohen me një afat nga dy deri në pesë vjet, me mundësi vazhdimi.
“Në asnjë rast, ne nuk kemi mundur të gjejmë një gurthyes në Kosovë, i cili e ka përmbyllur veprimtarinë e tij, pasi e ka përmbushur kontratën e paraparë”, thotë Demhasaj.
Në bazë të kontratës, shton ai, parashihet që pas marrjes së gurit të nevojshëm dhe përfundimit të punës, hapësira të mbushet me dhe, si dhe të pyllëzohet. Por, sipas Demhasajt, kjo nuk ndodh asnjëherë dhe kështu shkaktohet “degradim i vazhdueshëm i mjedisit”.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa kompani gurthyese që përmenden në raportin e organizatës “Çohu”, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar se ka lidhje familjare me zyrtarë publikë apo ka financuar subjektet politike, që po ashtu përmenden në raport.
REL-i ka kontaktuar edhe partitë e cekura, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ato nuk i janë përgjigjur kërkesës për të komentuar gjetjet e organizatës “Çohu”.
Sipas të dhënave të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale në Kosovë, numri i përgjithshëm i gurthyesve aktivë në nivel vendi aktualisht është 145.
Vetëm në periudhën 2018-2022, e cila nuk përfshihet në raportin e organizatës “Çohu”, ky komision ka lëshuar 117 licenca për këtë lloj veprimtarie.
Me ligjet në Kosovë, partitë politike janë të obliguara të publikojnë çdo vit raportin financiar, që duhet të përmbajë bilancin e gjendjes dhe pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve të tyre.
Nga buxheti i shtetit, partive u ndahen mbi 4 milionë euro në vit, varësisht përfaqësimit që kanë në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, pas çdo palë zgjedhjeve, subjektet politike garuese duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve raportin financiar të fushatës – deri në 45 ditë pas ditës së zgjedhjeve. KQZ-ja, më pas, i publikon ato raporte në ueb-faqen e saj zyrtare.
Megjithatë, transparenca rreth financimit të partive politike mbetet problematike në Kosovë. Si e tillë është evidentuar edhe pothuajse në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian.
Vrasja e 14-vjeçarit, Rama: Dinamika e tragjedisë nxjerr në ...
Muzika nga “Vëllai i Madh” elektrizon Xuxin
Erdogani e kundërshton vendimin e SHBA-së për armë me rreze ...
Sinani: Organi më i lartë i drejtësisë në Serbi po legjitimo...
Konjufca priti në takim anëtarët e komisionit të Parlamentit...
Rama: Po mendojmë ndalimin e TikTok-ut dhe Snapchat-it