Google ADS

Gucati thotë se do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e popullit të tij deri në ditën e fundit të jetës

17:50 | 17 Mars 2022
L G

Hysni Gucati, në fjalën e tij përmbyllëse, ka thënë se do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e popullit të tij, deri në ditën e fundit të jetës së tij dhe se e ardhmja e Kosovës e motivon atë.

Gucati ka thënë se është qytetar shumë krenar i Republikës së Kosovës dhe është krenar me atë se ku janë sot si komb dhe me plot shpresë për atë që do të bëhet në të ardhmen.

Ai tha se në vitin 1997, bashkë me moshatarët e tij i janë bashkëngjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për të mbrojtur atdheun dhe popullin e tij.

“Kam qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve të tmerrshme gjatë kësaj kohe, kam qenë dëshmitar edhe i luftës, janë gjëra që nuk kisha dashur t’i shoh më kurrë dhe nuk kam dëshirë të përsëriten në asnjë vend të botës”, tha ai.

Tutje, tha se çdo viktimë e krimit gjatë luftës apo paqes e meriton të drejtën që personat që kanë kryer krime ndaj tyre të hetohen dhe ndiqen penalisht.

Gucati ka thënë se vet ka qenë viktimë e krimit siç kanë qenë edhe shumë shokë të tij të UÇK-së dhe qytetarë të Kosovës dhe ato krime duhet të ndiqen aty ku është e mundur.

“Vet si viktimë e krimit e kuptoj çka kanë vuajtur viktimat tjera të krimit, e ndjej vuajtjen që kanë vuajtur”, tha ai.

Ai tha se nuk mund të jetë e drejtë që një grup të shpallet përgjegjës për akte kriminale, kur krijimi i këtij grupi ka qenë për të ndaluar akte kriminale.

Tutje, tha se i është bashkuar UÇK-së me qëllimin e vetëm që të ndalohej vuajtja e bashkëqytetarëve të tij dhe të parandalohej vuajta që mund t’iu shkaktohej atyre.

“Do isha i fyer nëse do të shihej veprimtaria ime si diçka tjetër, përveç se një akt i drejtë”, ka thënë ai.

Ai tha se e drejtë e popullit të Kosovës dhe çdo vendi është që gjithë kohës të jenë në gjendje të jetojnë në paqe, të shprehin mendimin e tyre përmes lirisë së shprehjes, të jetojnë pa frikë.

“Këto të drejta duhet të respektohen dhe garantohen gjithandej botës”, ka thënë Gucati.

Tutje, tha se do t’i qëndrojë pranë kujtdo që kërkon t’i mbrojë këto vlera dhe se është bërë kryetar i OVL- UÇK-së për të garantuar këto të drejta për anëtarët e saj dhe se gjithmonë ka vepruar në interesin e tyre më të mirë dhe për të siguruar të ardhme të sigurt për ta e familjet e tyre.

“Gjatë gjithë kohës kur kam vepruar për anëtarët e OVL- UÇK pa frikë dhe pa favorizime nëse kam menduar se diçka është thënë, është bërë ose krijuar e që ka qenë kundër interesave të tyre më të mirë, ashtu si e kam parë, ka qenë obligim i imi t’i mbroj dhe shërbej atyre”, ka thënë Gucati.

I njëjti tha se në shtator të 2020-ës është ballafaquar me një marrje të vendimi si kryetar, pas arritjes së dokumenteve dhe ka marrë vendimin me anëtarët e këshillit të OVL-UÇK, i cili ka qenë në interes më të mirë të anëtarësisë.

“Më 25 shtator 2020 jeta ime ndryshoi dhe ajo e familjes time, asnjëherë nuk kam tentuar të fshihem nga këto vendime, jam ballafaquar me pasojat e arrestimit tim duke respektuar ndjenjën e njëjtë të përgjegjësisë që gjithmonë e kam pasur”, ka thënë ai.

“Unë vazhdoj të pohoj se jam i pafajshëm sa i përket akuzave penale ndaj meje. Kam vepruar siç kam bërë gjatë gjithë jetës nga ndjenjat e sinqerta, obligimin për të tjerët”, ka thënë Gucati.

Ai tha se është krenar që është shqiptar dhe se Kosova kurrë nuk ka qenë agresor ndaj asnjë vendi dhe se kanë të drejtë të mbrojnë të drejtën ndaj atyre që kundërshtojnë të drejtën që të jetojnë në paqe.

“Dëshiroj të them se çdo sugjerim që është bërë ndaj UÇK që është organizatë e përbashkët kriminale është absurde, e pavërtetë dhe fyerje e dëshmorëve dhe të rënëve në luftën për Kosovën”, ka thënë ai.

Në fund, tha se UÇK ka qenë, është dhe vazhdon të jetë simbol i lirisë dhe demokracisë së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme