Google ADS

Gucati: Specialja e ka zbehur festën për Ushtrinë

18:12 | 12 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se festa për formimin e Ushtrisë së Kosovës është zbehur për shkak të ftesës që Gjykata Speciale u ka bërë disa ish-luftëtarëve.

Pakoja e ligjeve për Ushtrinë pritet të votohet të premten, ndërsa, sipas Gucatit, festa pa ushtarët që janë ftuar nga Gjykata Speciale është më e zbehtë.

“Erdhi gëzimi për Ushtrinë, e pas dy dite po dalin ftesat nga Specialja, po përzihen gëzimi me hidhërim. Pa këta komandantë e pa çlirimtarët nuk e kemi edhe gëzimin sa duhet. Na është pre në mes gëzimi. E kemi anuluar një manifestim për atë ditë për shkak se disa shokë tanë u ftuan nga Specialja”, ka thënë Gucati për KTV.

Gucati ka thënë se Gjykata Speciale mbetet e papranueshme për ish-luftëtarët e UÇK-së, teksa ka shtuar se veteranët janë në pozicionin “mat”.

“Ne organizatat e veteranëve të luftës kemi mbet në pozicionin ‘mat’ sikur në shah, sepse parlamenti e ka sjellë. E fajësojmë Parlamentin për këtë gjykatë. Për ne është e padrejtë sepse është e njëanshme. Kjo nuk është dashur të ekzistojë. Nuk ndihemi mirë, por kanë dhënë dëshminë edhe më herët që dolën të pafajshëm në Gjykatën e UNMIK-ut, në Hagë e me të EULEX-it. Kemi dhënë prova se kemi luftuar për të drejtën e popullit tonë”, ka thënë ai.

Gucati ka kujtuar tentativën e dhjetorit të vitit të shkuar për zhbërjen e Speciales duke thënë se pasi që nuk u zhbë atë kohë, tash është vonë për të marrë aksione të ngjashme.

“Patëm siguruar gati 16 mijë nënshkrime. I patëm dërguar në Parlament, ia kemi drejtuar kryetarit që me mbi 10 mijë nënshkrime të bëhet seanca. E dini natën e famshme ku disa ambasadorë e cilësojnë si natë tragjike. Ne tentuam me disa deputetë dhe patëm rastin që të hyjnë në histori që ta shfuqizojnë atë gjykatë. Tash është vonë. Nuk mund të bëjmë aksion të tillë. Tashmë kanë nisur procedurat”, ka thënë ai.

Duke e quajtur raciste këtë gjykatë, Gucati ka thënë se ajo erdhi si shkak i klasës politike në vend.

Ai ka kritikuar qeverinë e Kosovës se nuk ka bërë mjaftueshëm për të shfaqur Serbinë si agresore. Ka shtuar se do të jenë në përcjellje të çdo lëvizje politike lidhur me Specialen. “Serbia ka bërë krime në Kosovë e ka ngrit aq shumë aktakuza sa ne po dukemi agresorë. Ne jemi shumë mbrapa me dosjet ndaj tyre. Qeveria jonë e institucionet tona janë shumë prapa. Kanë bërë shumë pak. Jo sa është dashtë”, ka deklaruar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme