Google ADS

Gucati sot pritet të dëshmojë para trupit gjykues në Hagë

09:26 | 6 Dhjetor 2021
Arditë Shkodra

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, pritet të paraqes dëshminë e tij  i akuzuar nga ZPS-s, Hysni Gucati.

Kështu kanë bërë të ditur nga DHSK, pas përfundimit të deklaratës hyrëse nga mbrojtja, raporton arbresh.info

Në seancën e mbajtur më 3 dhjetor, mbrojtja ka thënë se procedimi që po u bëhet të akuzuarve është procedim prej frikacaku nga një zyrë prokurorie frikacaku.

“Përkundrazi, ZPS synon Hysni Gucati dhe bashkë të akuzuarin e tjerë me këto akuza të sajuara në një procedim pa viktima. Kjo është për mendimin tonë një procedim prej frikacaku nga një zyrë prokurorie frikacake, përkundrazi nga ana e tij Hysni Gucati nuk është frikacak, ai është, ka qenë gjithnjë i hapur, i ndershëm dhe transparent dhe të hënën ai do të japë dëshmi dhe do t’i përgjigjet çdo pyetje që do t’i bëhet”, ka thënë avokati Jonathan Elystan Reese.

Kujtojmë që gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ka filluar në muajin tetor të këtij viti, kurse Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka mbyllur çështjen e saj në nëntor të këtij viti.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Akuza ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës e UÇK-së Hysni Gucati dhe ndaj nënkryetarit të saj Nasim Haradinaj është konfirmuar më 14 dhjetor 2020. Ajo mbështetet në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj kanë zbuluar pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./ArditëShkodra/arbresh.info/

Të ngjashme