Gucati fillon dëshminë e tij: Jam i plagosur në këmbën e djathtë, i jam nënshtruar 27 operacioneve

12:29 | 6 Dhjetor 2021
Arditë Shkodra

Ka filluar seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Sot Hysni Gucati po bën paraqitjen e dëshmisë së tij para trupit gjykues, raporton arbresh.info

Me pyetje drejtuar Gucati fillimisht ka filluar mbrojtja, Jonathan Rees.

Rees: A u kyqet ju në UÇK?

Gucati: Në fund të vitit 97.

Rees: Ke qenë ushtar gjatë luftës?

Rees: A keni luftuar në ndonjë betejë në fshatin Morinë?

Gucati: Në ofensivën e 3 gushtit të vitit 98.

Rees: A keni pasur ndonjë humbje të kësaj beteje?

Gucati: Po kemi pasur humbjen, Zenel Mziu është vra një qytetare e Morinës Hajrie Mziu shume e moshuar e paralizuar, i është pre koka me sepatë e kam pa me sytë e mi. Në fshatin Morinë janë të vrarë 13% të qytetarëve, 39 të vrarë, 13 të zhdukur, ku ndër këta të zhdukur e kam edhe djalin e e xhaxhai të babait Halim Gucatin.

Rees: Po ti vet a pësove ndonjë lëndim gjatë luftës?

Gucati: Po unë jam plagos më 2 qershor në ofensivën e fundit në vitin 1999 nga njësiti Frenket në malet e Berishës, në vendin e quajtur guri i vogël në Llapushnik.

Rees: Në cilin vend të trupit i patët këto lëndime?

Gucati: Unë jam i plagosur në këmbën e djathtë, të themurit siç thotë mjekësia dhe unë jam i operuar, 27 operacione i kom gjithsejt.

Rees: Ku keni marrë trajtim?

Gucati: Ditën e parë, në spitalin tonë të improvizuar në bjeshkë në malet e Berishës, dhe trajtimin e dytë e kam marrë në Spitalin Ushtarak në Tiranë më 8 qershor, ku më dërguan forcat angleze. Të cilat kanë pru ndihmë më 8 qershor në malet e Berishës, kanë pru ndihmë, ushqim për banorët që ishin aty, mu dhe dy te tjerë që ishin të plagosur aty, na kanë dërgu në Tiranë.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Akuza ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës e UÇK-së Hysni Gucati dhe ndaj nënkryetarit të saj Nasim Haradinaj është konfirmuar më 14 dhjetor 2020. Ajo mbështetet në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj kanë zbuluar pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./ArditëShkodra/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme