Google ADS

Grupi për reformën në drejtësi, vazhdim i kulturës së pandëshkueshmërisë

08:20 | 26 Korrik 2020
A Z

Partnerët politikë që po udhëheqin me vendin nuk kanë interes për të forcuar sundimin e ligjit në Kosovë dhe qeverisjen e mirë, por më shumë janë të interesuara të vazhdojnë me institucione të drejtësisë të nënshtruar ndaj politikes.

Kjo për faktin, se sipas  drejtorit ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, duan që të vazhdohet me kulturën e pandëshkueshmërisë.

“Në bazë të veprimeve të deritanishme është bërë e qartë se kjo qeveri nuk ka vullnet dhe interes për të zhvilluar një proces të tillë andaj edhe pritjet duhet të jenë jashtëzakonisht të ulëta”, ka thënë Miftaraj.

Lidhur me këtë proces ka folur edhe avokati Tahir Rrecaj.

Rrecaj e ka parë të domosdoshëm formimin e grupit të ekspertëve të procesit të vettingut.

“Nuk besoj që vettingu mund të zbatohet shumë shpejtë. E në grupin e ekspertëve do të duhej të ishin  edhe ekspertët ndërkombëtar, jo vetëm vendor”, ka thënë avokati Rrecaj.

Në shkurt të këtij viti u themelua një grup i ekspertëve që do të merrej me këtë proces, kryesisht i përbërë nga pjesëtarë të shoqërisë civile, dhe me përfaqësues të Këshillit Prokurorial edhe Gjyqësor. Por, këta të fundit asnjëherë nuk i kishin dërguar emrat e përfaqësuesve të tyre. Grupi i shoqërisë civile ka dhënë dorëheqje më 8 korrik, mbi arsyetimin se qeverisja aktuale ka ndryshuar koncpet sa i përket procesit.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën ka themëluar Grupin Punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështjet e Reformës në Sistemin e Drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke mos e përjashtuar edhe Vettingun.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka deklaruar se ky grup deri ne fund të tetorit do të përgatis raportin final në sistemin  e drejtësisë.

“Ky raport do të përdoret si bazë dhe do të procedojë tutje për vetting”, ka thënë ministri Selimi.

Ministria e Drejtësisë ka sqaruar për arbresh.info se  Grupi Punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e Drejtësisë me qëllim të adresimit të Llogaridhënies duke përfshirë edhe Vettingun, do të përbëhet nga përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues nga KGjK dhe KPK, përfaqësues të mekanizmave të sigurisë, Përfaqësues nga Grupit të mëparshëm të themeluar sipas vendimit nr. 08/04 të datës 28.02.2020, hisedarë tjerë të sistemit të drejtësisë, ndërsa në rolin vëzhgues do të jenë përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e ShBA-së dhe ambasadat e shteteve të Quint-it./E.Ballazhi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme