Google ADS

Grupi i Grave Deputete i Kuvendit pret në takim kryeparlamentaren e Shqipërisë, diskutojnë për përfaqësimin e grave në politikë

21:44 | 11 Shtator 2024
E.G

Grupi i Grave Deputete i Kuvendit të Republikës së Kosovës, udhëhequr nga deputetja Fatmire Kollçaku, priti në takim kryetaren e Kuvendit të Republikës, Elisa Spiropal dhe delegacionin që e shoqëron.

Duke trajtuar me theks të veçantë çëshjen e përfaqësimit të grave në politikë dhe modalitetet e bashkëpunimit që çojnë përpara agjendat për gratë, deputetja Kollçaku falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre dhe kontributin e parreshtur në përfaqësimin sa më të denjë të grave, shkruan Arbresh.info.

Njëherësh kryesuesja Kollçaku uroi kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, për detyrën e saj të re, që, sipas saj i shërben rritjes së përfaqësimit gjinor në insitucione.

Deputetja Kollçaku shpalosi punën e Grupit të Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës si dhe iniciativat e ndërmarra për përfaqësim të grave në politikë dhe përtej.

Po ashtu, ajo shprehu gatishmërinë e plotë për të çuar tutje bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në mënyrë që përfaqësimi i grave të rritet tutje.

Mirënjohen dhe falënderimin e saj e shprehu edhe  Spiropali, e cila potencoi se edhe në Shqipëri beteja ka qenë jo e vogël për të vendosur gruan në qendër. Duke theksuar që tashmë Kuvendi shqiptar përbëhet nga 36 për qind gra, ndërsa qeveria 50 për qind, kryetarja Spiropali the se përfshirja e grave në politikë nuk është çështje e numrave, por është çështje e sigurimit të cilësisë.

Siç theksoi ajo, pjesëmarrja e grave në politikë ka dhënë rezultate pozitive duke kontribuuar fuqishëm në zhvillimin e demokracisë dhe përfaqësimin e ngritjen mbarëinstitucionale.

Si rrjedhojë, kryetarja Spiropali the se bashkëpunimi me Kosovën duhet të zgjerohet tutje, përtej takimeve të komisioneve dhe në takime e organizime të tjera që rolin e fuqizimit të gruas e kanë në qendër.

Takimit i kontribuuan konstruktivisht edhe anëtarët e tjera të Grupit të Grave Deputete në Kosovë, Eliza Hoxha, Vlora Dumoshi e Albana Bytyqi, duke përmendur se Kosova ka shënuar progres në përfaqësimin e grave në sferën politike krahasuar me vitet e mëparshme. Duke iu referuar kuotës për përfaqësim gjinor, anëtaret nga GGD potencuan se duhet punuar sistematikisht në përfaqësimin e grave dhe se shkëmbimi i përvojave mes dy shteteve krijon hapësirë që të dërgohen përpara shumë agjenda progresive për përfshirjen më të lartë të grave në sferën politike dhe përtej saj.

“Bashkëpunimi ndërshtetëror, takimet sistematike mes deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë, raportet kualitative mes shoqërisë civile dhe institucioneve, krijimi i aleancave të grave, krijimi i grupeve formale dhe jo formale, ishin disa prej temave të diskutuara në këtë takim përmbajtësor.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Takimi u përmbyll duke bërë thirrje për të intensifikuar bashkëpunimin dhe duke u mobilizuar në fuqizimin e mëtutjeshëm të grave përmes rezultateve konkrete./Arbresh.info/

Të ngjashme