Hapja e një ambasade në Jerusalem të Izraelit po kundërshtohet nga grupi parlamentar 6 plus, i cili përfaqëson pakicat në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Deputeti i 6 plus, Fikrim Damka gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit ka thënë se ata do të shqyrtojnë mbështetjen për Qeverinë Hoti, nëse vendoset që të hapet ambasada e Kosovës në Jerusalem.
Damka po ashtu ka thënë se kërkojnë që një përfaqësues nga 6 plus të jetë pjesë e delegacionit për dialogun Kosovë-Serbi.
“Dua ta bëj të qartë këtu, se ne do të shqyrtojmë përkrahjen tonë për këtë Qeveri, nëse kjo Qeveri vendos të hap ambasadë në Jerusalem. Po ashtu dua të theksoj se tash e tutje duhet të ketë përfaqësues të 6 plus në delegacion, veçanërisht për çështje që kanë të bëjnë më komunitete dhe tërë Kosovën”, tha Damka.
Deputeti Damka tha se çështja më e ndjeshme e marrëveshjes është njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.
“Megjithëse njohja e Kosovës nga Izraeli është një zhvillim i rëndësishëm për Izraelin dhe thelbësore për ligjin, mirëpo njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, nga ana e Kosovës në arene ndërkombëtare, ku sapo ka filluar të prezantohet, bazuar në Ligjin e miratuar nga kongresi amerikan, në vitin 1995, deklarata e presidentit të SHBA-ve që Jerusalemi është kryeqyteti i Izraelit, është qartë kundër rregullave të së drejtës ndërkombëtare të përcaktuara nga rezoluta e Kombeve të bashkuara”, u shpreh Damka.
Ai madje tha se ky vendim është në kundërshtim me vendimin e asamblesë së Kombeve të Bashkuara, të cilin e respektojnë shumica e vendeve të botës.
“Mbi çfarë baze, një shtet i vogël si Kosova guxon të marrë një hap të tillë, që është krejtësisht i kundërt me vendimin e asamblesë së Kombeve të Bashkuara të vendimit të datës 21 dhjetor 2017, për mos njohjen e Izraelit si kryeqytet i Jerusalemit, të cilin e respektojnë shumica e vendeve të botës në përjashtim të dy shteteve. SHBA-të mund të mbështeten në fuqinë e saj, por fakti që Kosova e bën atë që është e dëshirueshme për SHBA-të, tregon qartë se është një gabim i madh”, tha Damka. /Telegrafi/
Kasanof takim me Ramën: Mbështetje Shqipërisë për çështje ky...
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë