Google ADS

Gruaja e të ndjerit Ruzhdi Shaqiri thotë se u kërcënua nga vëllai i Gani Gecit

16:54 | 26 Shtator 2017
M. A.

Të hënën, menjëherë pas seancës së mbajtur në Gjykatën e Apelit në rastin e ish-deputetit Gani Geci, të dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në Skenderaj, gruaja e të ndjerit, ka deklaruar se është kërcënuar me jetën e fëmijëve të saj, nga vëllai i të pandehurit.

Këtë kërcenim, i cili ndodhi pas daljes së palëve nga gjykatorja, përkatësisht në hollin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e pohoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar në këtë rast, avokati Sokol Dobruna.

Dobruna tha për “Betimi për Drejtësi”, se e përfaqësuara e tij, gruaja e të ndjerit Ruzhdi Shaqiri, Halime Shaqiri, ka marr kërcënime nga vëllai i Gani Gecit.

Ai shtoi se asnjërin nga ta nuk i njeh personalisht, ndërsa Gani Gecin deklaroi se e njeh vetëm përmes mjeteve të informimit.

E këtë kërcënim, Halime Shaqiri, e cila është edhe palë e dëmtuar në rastin ndaj Gani Gecit, thotë se e ka paraqitur në polici.

Rastin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Florie Ahmeti.

“Rastin e kemi pranuar ne ora 11:35, bëhet fjalë për një kanosje pas seancës në Pallatin e Drejtësisë”, tha Ahmeti, e cila shtoi se Policia e Kosovës, do të merret me rastin.

Gjithashtu, pas seancës së sotme të Gjykatës së Apelit, avokati Dobruna u akuzua nga Gani Geci për urdhrat që sa ishte kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, sipas tij, i kishte dhënë për ta vrarë atë.

Por, këto akuza Dobruna tha që nuk qëndrojnë, pasi nuk e ka bërë një gjë të tillë, por urdhri ka pas të bëjë me zgjedhjen mes dy alternativave, t’i dorëzojnë armët apo t’i bashkohen krahut të luftës.

Me 3 qershor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Mitrovicë, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Gani Geci akuzohej se e kishte vrarë Ruzhdi Shaqirin në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme