Në 24 vjetorin e rënies së luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani i njohur si Katana, bashkëshortja e tij, Shukrija e kujton me mall takimin e fundit në Zvicër, datë kur Agimi e mori rrugën për në Koshare për të veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gruaja e njërit ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, thotë se Agimi dhe dëshmorët tjerë ëndërronin për një Kosovë tjetër, e jo atë të sotme që po zbrazet për çdo ditë të rinjtë.
“Së pari e përjashtoj vetminë nga loja dhe pa praninë tënde të vërtet t’i puthë këmbët dhe sytë, dhe e shpallë veten perandor dhe rob të zemrës sate…”
Janë vargje të Agimit, Agim Ramadanit, shokut të klasës e të zemrës. Gjithmonë e deshën njëri-tjetrin, por u lidhën vetëm pas përfundimit të shkollës së mesme. Dashuria i bashkoi e me fëmijët u detyruan të mërgojnë në Zvicër në vitet e 90-ta.
Pos Shukrijes, Agimi që më vonë do të njihet si Katana, kishte edhe një dashuri tjetër, Kosovën, të cilën e donte të lirë – për çka gruan dhe tre fëmijët i la në mërgim dhe mori rrugën e pa kthim.
Takimin e fundit e kujton me mall, gruaja e njërit prej hartuesve të planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare.
“Më tha ti më ke thënë çdo herë se të dua, më pyeti prapë a më do shumë. I thash së të dua shumë o Agim, i thash edhe sa vite duhet me ta dëshmu se të du. Ma ktheu a nuk më do pjesë të historisë, u ndala mendova thash jo, të dua për vete.”, ka deklaruar Shukrije Ramadani, bashkëshortja e Agim Ramadanit.
Fizikisht Agimin e pa 3 muaj para se të bie dëshmor, ndërkaq në telefon folën më 8 prill 1999, një ditë para se të nisë ofensiva e UÇK-së.
Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, bie komandant Katana.
Shukrijës i thuhet se është plagosur, lajm që nuk e besonte. Nga Tirana në Bajram Curr, ajo niset me qëllimin që ta hapë varrin e të përshëndetet për së vdekuri me njeriun që e dashuroi me zemër.
“Dhe i kam parë aq shumë varre të reja, aq shumë djem nën moshën 20 vjeçare, 20 vjeçar, 22-23 vjeçar, djem të ri që nuk e kishin aty as gruan as nënën, askënd. Dhe jam stepur dhe kam thënë s’kam të drejtë, nuk e kam këtë të drejtë, se as Agimi nuk ma kish dhanë këtë të drejtë”, ka thënë ajo.
Në 24 vjetorin e rënies, Shukrije Ramadani thotë se Kosova e sotme nuk është ajo për të cilën ëndërronte Agimi.
“Nuk është kjo Kosova që e ka dashtë as Adem Jashari, e as Agim Ramadani, as Sali Çekaj, as mijëra Agima e Adema që kanë rënë në luftën e Kosovës. Ata e kanë menduar një liri pak më ndryshe se kjo, një liri që njeriun e vet e ka në radhë të parë rininë. Mua më tmerron më së shumti ikja e rinisë, nga Kosova. Nëse Kosova zbrazet se di për kë luftuan për kë ranë ata djem”, ka thënë Shkukrije Ramadani.
Agim Ramadani, ishte poet, piktor, madje edhe akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit e kishte përfunduar në Zagreb të Kroacisë. Në vitin 1998 ai pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.
Përkundër se jetonte në Zvicër, Agim Ramadani në vitin 1998 iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës