Google ADS

“Greva pa afat dhe mënyra si po shfrytëzohet në arsim, përben shkelje të rëndë të Kushtetutës”

09:15 | 1 Tetor 2022
A. B.

Janë bërë një muaj që kur është dashur të niste zyrtarisht mësimi në të gjitha shkollat e Kosovës, por kështu nuk ndodhi.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK), më datën 25 gusht mori përfundimisht vendimin që të hynin në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre për rritje page.

Njohës të fushës së arsimit pohojnë se greva pa afat dhe mënyra si po shfrytëzohet e drejta për greva në arsim, përben shkelje të rendë të Kushtetutës.

Njohësja e arsimit, Salie Osmankaq për arbresh.info thotë se mësimi duhet të fillojë të hënën (3 tetor), pasi nëse ndodh e kundërta, shumëçka do të jetë ndryshe.

“Sepse në emër të shfrytëzimit të një të drejte ligjore, po shkelet një e drejtë Kushtetuese. Pra, duke u shfrytëzuar e drejta për greva, po shkelet e drejta për arsimim, si e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe me Konventa Ndërkombëtare”, u shpreh Osmankaq.

Tutje Osmankaq theksoi se edhe Këshilli i Prindërve është duke bërë çmos që të sigurohet fillimi i procesit mësimor.

Ajo pohon se nuk përjashtohen as protestat e as format tjera të veprimeve në rast se nuk fillon mësimi të hënën.

Njohësi tjetër i arsimit Xhavit Rexhaj mendon se greva në arsim tashmë ka dal nga çdo kornizë e të menduarit logjikshëm.

“Greva ne arsimin kosovar tashmë ka dal nga çdo kornizë e të menduarit  logjikshëm dhe çdo prononcim racional për ketë temë tingëllon absurd dhe i pa kuptimtë. Për shembull, para dy a tre muajsh (para fillimit te grevës) në media jam deklaruar se, për shkak të gjendjes së renduar në arsim, qeveria dhe parlamenti do të duhej të shpallin gjendje të jashtëzakonshme ose gjendje mobilizimi në arsim për një periudhë tri vjeçare, me qellim që të shpëtohet e sotmja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”, u shpreh ai për arbresh.info.

Rexhaj tregon se ka propozuar që SBASHK t’a ndërprenë grevën për nivelin e shkollimit fillor – klasat 0 deri 5 për shkak të efektit tepër të rendë në zhvillimin e fëmijëve.

Ai ka përmendur edhe për testin PISA, i cili është studimi ndërkombëtar më i madh në botë për arsim, që mbahet për vlerësim ndërkombëtar i aftësive dhe njohurive të 15-vjeçarëve.

Ai mendon se rezultatet e testit PISA, nuk do të jenë aspak të volitshme për cilësinë e arsimit në Kosovë.

“Po ashtu, me një veprim të tillë do t’i paraprinim momentit kur të shpallen rezultatet e testit PISA – të cilat nuk do të jenë aspak të volitshme për ne. Në vend të kësaj faktorët kryesorë  arsimor të kësaj greve njëmuajshe së cilës nuk po i dihet fundi, Çfarë mund te deklaroje njeriu në ketë situate. Është e kotë, kjo është një lojë më e madhe ku arsimi është preokupimi i fundit”, pohon Rexhaj.

Osmani: Greva në arsim një e keqe e domosdoshme, qeveria nuk i ka marr asnjëherë seriozisht kërkesat e mësimdhënësve

Ndërsa njohësi tjetër i fushës së arsimit, Argjend Osmani, arsyeton grevistët, duke pohuar  se greva në arsim ka qenë një e keqe e domosdoshme, për shkak se qeveria nuk i ka marr asnjëherë seriozisht kërkesat e mësimdhënësve.

“ Mendojë se mënyra se si qeveria e kanë menaxhuar grevën shpërfaqë një anomali të përgjithshme se sa pak përgjegjësi shoqërore, kanë kjo kastë politike, paramendoni sikur Kosova të përballej me ndonjë fatkeqësi natyrore, ose diçka tjetër, Qeverisë me këtë mendësi që kanë, nuk do t’i bëhej vonë dhe do pritnin me muaj për të gjetur ndonjë zgjidhje”, u shpreh Osmani për arbresh.info.

Ai shton se SBASHK-u, nuk duhet të heq dorë nga kërkesat e arsyeshme të cilat i kanë, por mund të ndryshojë mënyra se si ata janë duke bërë rezistencë.

“Mendojë se SBASHK-u kurrsesi nuk bënë të heq dorë nga kërkesat e arsyeshme që kanë, kurse forma e rezistencës edhe mund të ndërrojë”, shton ai.

Ndërsa sa i përket orëve të humbur, Osmani mendon se është një dëm shumë i madh dhe pasojat më pas do të jenë të rënda në cilësinë e arsimit.

Ndryshe, të mërkurën e 28 shtatorit, Sindikata e Bashkuar për Arsim e Kosovës (SBASHK) kërkoi nga drejtorët e shkollave që të japin mendimin për pezullimin e mundshëm të grevës deri në janar dhe nisjen e procesit mësimor të hënën e parë të tetorit.

Por, sindikatat e disa shkollave njoftuan se pajtim unanim nuk ka. Në shkollat e vendit është votuar pro ose kundër pezullimit të grevës, disa mësimdhënës janë shprehur pro ndërprerjet së grevës, e të tjerët kundër.

Më shumë se 300 mijë nxënës kanë mbetur në shtëpi për katër javë, pasi sindikatat dhe Qeveria nuk arritën ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund grevës.

Përndryshe sot pritet të ketë një vendim përfundimtar për ndërprerjen ose vazhdimin e grevës, të nisur tash e një muaj në arsimin parauniversitar në vend./Kujtesë Berisha/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme