Të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kanë dështuar të mbahen gjithsej 147 seanca gjyqësore, ndër to edhe tri të raste të korrupsionit, e krejt kjo për shkak të grevës së personelit administrativ të gjykatave dhe prokurorive, të cilët po kërkojnë rritje të pagave prej 100%.
Numrin e seancave që kanë dështuar të mbahen gjatë së martës, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënsja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Kurse, gjatë ditës në një konferencë për media, kryetari i këshillit grevist Naim Shala, ka thënë se që nga 4 korriku kur edhe ka filluar greva, qindra seanca kanë dështuar të mbahen, ku veç të martën, sipas tij, kanë qenë plotë 147 seanca gjyqësore që nuk kanë arritur të mbahen si pasojë e grevës.
Ndërkaq, përparësi kanë pasur vetëm rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave, rastet e paraburgimit si dhe të dhunës në familje.
Rasti i parë i natyrës korruptive që ka dështuar të mbahet të martën, është rasti i ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Bajram Uka, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi per Drejtesi”.
Uka akuzohet se nga viti 2006 e deri në vitin 2013, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Pallatit të Rinisë, kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke keqpërdorur pasurinë e Qeverisë së Kosovës, e cila pasuri ishte nën përkujdesen e tij.
Prokuroria pretendon se këtë e kishte bërë me qëllim që të përfitojë institucioni shkollor “American School of Kosova”. Sipas prokurorisë, i pandehuri e kishe lejuar shkollën amerikane, përkatësisht pronarin e saj ta shfrytëzojë amfiteatrin në sipërfaqe prej 483 m2, sipërfaqe e cila nuk ka qenë në ofertë publike që të lëshohet me qira.
Një tjetër rast që ka dështuar të mbahet është rasti i nëntë të akuzuarve për krim të organizuar që lidhet me korrupsionin.
Të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, dyshohen se cigaret në vlerë prej 2.931.929.08 euro nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por u kishin shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke i shkaktuar evazion fiskal buxhetit të Kosovës, në shumë prej 2,441,927,71 euro.
Ndërsa, ndaj të akuzuarit Lulzim Gashi, në seancën e mbajtur me 28 maj 2018, është veçuar procedura për shkak se gjykata nuk ka mundur ta sigurojë prezencën e tij.
Sipas aktakuzës, Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu, Arben Jashari, Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, që nga data 08.09.2006 deri më datën 09.10.2007, kanë kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale e me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it kanë keqpërdorur detyrat zyrtare.
Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkon me veprat penale “krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.
Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, i ngarkon me veprën penale “krim i organizuar” lidhur me veprën penale “shmangie nga pagesat e detyrimeve”.
Rasti i tretë i korrupsionit që për shkak të grevës ka dështuar të mbahet është rasti ndaj drejtorit të Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH), Abdylkadër Muçaj.
Mucaj, dyshohet se në cilësinë e drejtorit të Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të ARH-së, kishte lëshuar një vendim në kundërshtim me ligjin.
Ky vendim i 31 marsit 2014, ka të bëjë me revokimin e licencës për transport hekurudhor të mallrave për ndërmarrjen “Railtrans” L.L.C., me seli në Prishtinë.
Sipas prokurorisë, ky veprim i kundërligjshëm i Muçajt, i kishte sjellë përfitime operatorit të vetëm publik dhe monopolist “Trainkos”, duke e dëmtuar kështu kompaninë “Railtrans”, me vlerë prej 1.2 milion euro./Betimi për Drejtësinë/
Uria në mes të natës – arsyet shëndetësore pse ndodh
Pse yjet shkëlqejnë më fort në male?
Frutat e thata ndihmojnë me kancerin e gjirit?
Tifozët mendojnë se kanë gjetur ‘arsyen e vërtetë’ pse Vinic...
Hakerët kinezë vënë në objektiv familjen Trump dhe këshillta...
Protesta e opozitës, Berisha: Shqipëria u paralizua, për tri...