Gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me barriera të shumta në punë apo gjatë ushtrimit të profesioneve të tyre, por vetëm një numër i vogël nga to vendosin të ankohen për shkeljet e të drejtave në punë.
Sh.Hasani, është një grua u largua nga puna katër muaj pasi ngeli shtatzënë me arsyetimin se performanca e saj ishte e ulët.
“Unë kisha filluar punën në një kompani private, nuk po e them emrin kush ka qenë. Ne atë kohë edhe u martova dhe planifikoja të bëj fëmijë. Mbeta shtatzënë dhe pas 4 muajve kur kuptuan që jam shtatzënë më larguan nga puna. Më thanë se për shkak te performancës së dobët, por ishte shtatzënia ime. Më larguan dhe mbeta pa punë në kohën kur kisha nevojë më së shumti për para”, rrëfen ajo për Radion Evropa e Lirë.
“Për këtë nuk u ankova askund pasi që ishte kompani private dhe ata nuk respektojnë Ligjin e punës u largova nga puna dhe edhe tani jam e papunë. Nuk kam arritur të gjej punë nuk mund të punësohesh lehtë kur je shtatzënë apo nënë e fëmijëve, për shkak të obligimeve familjare. Ky fenomen duhet të luftohet nga institucionet. Nuk është në rregull vetëm se je femër e me më shumë obligime të mos të punësohesh”, tha ajo.
Raportimi i rasteve të tilla apo edhe shkeljeve të tjera që iu bëhen grave në vendin e punës, mbetet sfidë thonë përfaqësues të mekanizmave që merren me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Nga rastet e raportuar në këtë mekanizëm thuhet se shkeljet më të theksuar janë mungesa e kontratave të punës, orari i stërzgjatur i punës, mohimi i pushimit të lehonisë, pagesa jo e rregullt dhe largimi nga puna për shkak të shtatzënisë.
Kryetarja e Rrjetit të Grave në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Shukrije Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka shkelje të shumta që iu bëhen grave në vendin e punës, por që ankesat që u drejtohen atyre janë të pakta dhe në të shumtën e rasteve janë anonime.
Ajo thotë se grave që u shkelen të drejtat në vendin e punës hezitojnë të paraqesin ankesë, pasi siç thotë Rexhepi, ato frikësohen se mund të ndëshkohen dhe të përballen me pasoja.
“Së fundi kemi një ankesë e cila është dorëzuar tek ne dhe ne e kemi dërguar në Inspektoratin e Punës. Ankesa në fjalë ka të bëjë me shkëputjen e kontratës. Këtë grua e ftova që ta bëjë publike këtë shkelje, por, përgjigja e saj ka qenë se nuk guxoj se jam në moshën 45-vjeçare dhe nëse unë sot flas frikësohem se nuk do të më pranoj nesër askush në punë”, thekson Rexhepi.
Ligji i punës në Kosovë ka hyrë në fuqi tetë vjet më parë, por si i tillë nuk ka arritur të gjejë zbatim të duhur, në veçanti në sektorin privat.
Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë për Radion Evropa e Lirë se fatkeqësisht femrat hezitojnë të paraqesin shkeljet që iu bëhen në vendin e punës.
“Gjatë inspektimeve tona nuk kemi pasur ankesa nga gjinia femërore se gjatë kohë së punësimit ka pasur ndonjë shkelje të drejtave të tyre për si femra. Ne jemi të vetëdijshëm që gjithsesi se mund të ketë edhe diskriminim, por fatkeqësisht nuk kemi ndonjë të dhënë të tillë. Arsyeja se pse nuk ka ankesa mund të jetë çështje e mentaliteti patriarkal apo edhe frika nga pasojat që mund t’i kenë”, thotë Ibrahimi.
Në Kosovë gratë përfaqësojnë gjysmën e popullatës së përgjithshme, por pavarësisht kësaj, në tregun e punës, sipas shifrave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vetëm 12 për qind e tyre punojnë.
Derisa, sipas disa hulumtimeve të organizatave joqeveritare thuhet se rreth 80 për qind e grave që punojnë në sektorin privat, nuk kanë kontrata të punës, kurse në sektorin publik 12 për qind nuk e gëzojnë këtë dokument që siguron qëndrueshmëri në punë.
Rreth 31 për qind e grave, që punojnë në sektorin privat kanë punuar për 10 ose më shumë orë të vazhdueshme në ditë. Kurse 46 për qind kanë punuar gjatë festave zyrtare dhe 66 për qind e tyre kanë punuar gjatë fundjavës.
Po ashtu, rreth 60 për qind, thuhet se nuk kanë marrë asnjë lloj kompensimi për punën jashtë orarit./REL
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...
Vrau Martin Canin gjatë një sherri dhe plagosi shokun e tij,...
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe