Sektori i arsimit përbën një prej fushave kryesore të punësimit të grave në Kosovë. Gratë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dominojnë në sektorin e arsimit parashkollorë, atë të arsimit të ulët dhe të mesëm.
Sipas vjetarit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mësimdhënës të arsimit fillor të mesëm të ulët janë gjithsej 10,475 gra mësimdhënëse, derisa janë 7,780 burra.
Ndërkaq, në arsimin parafillor janë 580 edukatore gra, ndërkaq asnjë burrë.
Jehona Oruqi, është drejtoreshë e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Oruqi thotë për Radion Evropa e Lirë se në shkollën që ajo e udhëheq, dominojnë gratë në edukimin e gjeneratave të reja.
“Në shkollën tonë janë 63 mësimdhënës, prej tyre 56 janë mësimdhënëse dhe vetëm 7 mësimdhënës, pra të gjinisë mashkullore. Gjinia femërore është shumë e rëndësishme të jetë në procesin arsimor, por ne do t’i inkurajonim gjeneratat e reja që të mos jenë vetëm në mësimdhënie, por edhe në pozita vendimmarrëse”, thotë Oruqi.
Sebahate Canolli , mësimdhënëse e lëndës së Artit Muzikor, punon qe 27 vjet në arsim. Në vitin 1993 ajo ka filluar punën në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Ajo thotë se në vitet kur ka filluar të punojë, gjendja nuk ka qenë siç është sot.
“Nëse e marrim parasysh kohën para 27 vjetësh, kur unë kam filluar të punojë, ka dominuar gjinia mashkullore, ndoshta kanë qenë kushtet rrethanat dhe situata e cila ka ndikuar që numri i meshkujve të jetë më prezentë. Ndërkaq, pas luftës ka ndryshuar situata. Tash kemi më shumë gra që dominojnë në edukimin e gjeneratave të ardhshme. Bashkëpunimi është në nivel, sikur atëherë, por edhe tash”, tha Canolli.
Ndërsa niveli i ulët i arsimit po dominohet nga gratë e punësuara, qoftë si edukatore, mësuese apo arsimtare, Dea Ferati, studente, thotë se profesioni nuk ka gjini dhe se ajo ka vendosur që të zgjedhë për studime Teknologjinë Informative.
“Kur e kam kryer shkollën e mesme, familja ma ka dhënë si opsion që të zgjedhë arsimin si profesion. Mirëpo mua ai drejtim, jo që nuk më pëlqen, por nuk e kam gjetur veten aty. Arsyeja kryesore pse kanë thënë ashtu (familja), është se shumica në këtë profesion janë femra, gjithashtu ka pushim të zgjatur, e arsye të tilla”, thotë Ferati.
“Por, unë kam zgjedhur Fakultetin e Teknologjisë Informative, për shkak se më pëlqen. Edhe pse shumica në këtë profesion janë të gjinisë mashkullore, kjo nuk më ka ndalur mua që të vazhdojë ëndrrën time. Tash jam në vitin e dytë dhe tashmë kanë filluar ofertat e punës”, tha ajo.
Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, tha për Radion Evropa e Lirë se mentaliteti i ndarjes së profesioneve duhet të ndryshojë. Ajo e konsideron diskriminim gjinor punësimin e grave vetëm në sektorë të caktuar.
“Kjo tregon shumë se ky vend nuk është marrë seriozisht që të ndryshojë rolet edhe të vendosë ndoshta për burra mësues dhe gra në profesione tjera. Kjo duhet të ndryshojë, fillimisht në familjet tona”, thotë Demolli.
“Numri më i madh i mësueseve gra…, kjo ka mbetur për shkak se mësueset e luajnë një zgjatim të rolit të nënës që e kanë në shtëpi me fëmijët dhe kjo i ka konvenuar shoqërisë sonë sepse ndihen më komod që fëmijët e tyre të jenë në duart e grave, pasi edukimi vazhdon ashtu dhe nuk ka ndonjë dallim me shtëpinë”, tha Demolli.
Statistikat për vitin 2019 tregojnë se në Kosovë, vajzat dhe gratë janë të interesuara për shkollim dhe punësim po aq sa djemtë dhe burrat. Megjithatë, shkalla e punësimit të tyre, sidomos në pozita të larta udhëheqëse, sipas Instituti GAP, mbetet shumë e ulët në krahasim me burrat. Këto dallime janë më të shprehura sidomos në nivelin qendror.
Përveç në pozita drejtuese, në përgjithësi, shkalla e grave të punësuara mbetet më e ulët se e burrave. Përderisa shkalla e papunësisë te burrat, në vitin 2019 ishte 22.8 për qind, më e ulët se në vitin 2018, shkalla e papunësisë te gratë ishte 32.7 për qind, shifër më e lartë se në vitin 2018.
Përderisa papunësia te burrat ka shënuar rënie, te gratë ka ndodhur e kundërta. E në anën tjetër, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njëjtit nivel me atë të burrave.
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...
Ish-koloneli për armatimin: Banjska qe e përgatitur, aksione...
“Fëmijët nën 16 vjeç pa rrjete sociale!” Australia, gati nda...
Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ish...
Vengu: Shqipëria synon një fazë të re bashkëpunimi me Pentag...