Gratë gjakovare identifikojnë 500 serbë për dëmet që u shkaktuan në luftën

21:27 | 29 Tetor 2018
Arbresh.info

Gratë nga Gjakova kanë mbledhur argumente për dëmët që u shkaktuan në luftën e fundit

Sadete Nikoliqi ka ardhur në zyrën e bashkësisë lokale të Gjakovës për të deklaruar për dëmet që ka pasur gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998/1999.

Ajo ka sjellë me vete edhe dokumente që të argumentojë dëmët që iu bënë nga forcat serbe.

Por nuk është vetëm kjo grua që u drejtua te kjo zyrë që po mbledh dëshmi për të gjitha llojet e krimeve që kanë ndodhur në qytetin e Gjakovës gjatë viteve të luftës.

Mevlyde Mezini Saraçi, anëtare e grupit të shoqërisë civile për grumbullimin e dëshmive për krimet e luftës, tregon se qëllim është zbardhja e krimeve që janë kryer mbi qytetarët.

Këtë punë, Mezini – Saraçi e kryen zyrtarisht që nga prilli i vitit 2018, ndonëse që nga paslufta ajo po punon për grumbullimin e dëshmive për krimet e luftës.

Sipas saj, institucionet përkatës janë vonuar me punën e tyre.

Në këtë zyrë vullnetarisht punon edhe Shkendije Hoda. Për dy vite rresht që nga përfundimi i luftës ajo ka mbledhur fotografi që dëshmojnë për krimet e kryera në Gjakovë, por edhe për personat që i kryen ato.

Me punën e saj, por edhe të qytetarëve që kanë qenë viktima të krimeve të luftës, Hoda thotë se kanë arritur të identifikojnë rreth 500 persona që kanë kryer krime në Gjakovë.

Mirëpo, përkundër punës së tyre, kjo zyrë nuk ka arritur ende të nxjerrë statistika të sakta për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ndërkaq, Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovë njofton se kanë punuar në më shumë se gjysmën e lëndëve të këtij lloji.

Nga 98 gjithësej sa kanë arritur në Prokurori, nga janari deri në shtator janë zgjidhur 63 prej tyre.

Kjo zyrë më herët gjatë këtij viti ka dorëzuar në Prokurorinë speciale kallëzime penale për krimet e luftës që kanë ndodhur në Gjakovë, këtë gjë pritet ta bëjnë përsëri javët në vazhdim.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme