Gorani: Qëllimi i Opozitës- armiqësimi me ndërkombëtarët, jo ndryshimi i pushtetit

12:59 | 21 Shtator 2015
Arbresh.info

Sociologu dhe publicisti, Dukagjin Gorani ka vlerësuar  se partitë opozitare, Frontin e përbashkët e kanë krijuar  për qëllime të caktuara, e jo ashtu siç paraqiten në publik. Lëvizja Vetëvendosje do ta shfrytëzojë  për t’u rritur, kurse partitë e tjera për të mbijetuar, sipas tij.

Në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic, ai e ka cilësuar si joefektiv, aksionin  për mbledhjen e peticioneve nga qytetarët, i cili u organizua nga Opozita për t’i kundërshtuar Marrëveshjet e Brukselit. Sipas tij, edhe në rast se Qeveria do të tërhiqej nga Marrëveshjet, kjo do të rezultonte vetëm me përkeqësim të raporteve me bashkësitë ndërkombëtare dhe aspak me përmirësimin e gjendjes ku ndodhemi, çka  siç mendon ai, ky edhe del të jetë qëllimi i partive opozitare.

“Ndryshimi i pushtetit politik dhe i gjendjes në shoqëri nuk qenka qëllim i opozitës, por pikërisht armiqësimi i pakuptimtë me aleatët ndërkombëtarë dhe mosndryshimi i pushtetit, në emër të kauzës kombëtare”, ka thënë Gorani.

Ai më pas ka folur edhe për Qeverinë aktuale, me ç’rast ka thënë se ndonëse përgjegjës mbetet Kryeministri Mustafa, Thaçi vazhdon akoma ta mbajë kontrollin.

Gorani, poashtu ka shtjelluar edhe çështjen e Asocioacionit Serb dhe atij Shqiptar, për të mirat e të këqijat që do t’i servojnë, si dhe për partinë e vetme, e cila i përbush kushtet për të qenë një parti politike në Kosovë, megjithëse edhe ajo punon në gati në ‘kundërshti’ me vetveten.

Vetëvendosje do ta përdorë Frontin për t’u rritur, AAK dhe NISMA për të mbijetuar

Gazeta Blic: Çfarë mendoni për Bllokun Opozitar, i cili u formua nga partitë opozitare? A do të arrijë ta rrëzojë Qeverinë apo të bëjë diçka të rëndësishme, sipas jush?

Dukagjin Gorani: Varet nga kauza. Fronti opozitar është nën hije të Vetëvendosjes, duke qenë subjekti më i madh dhe më i organizuar. Ajo do ta përdorë Frontin për t’u rritur tutje, kurse partnerët e tjerë për të mbijetuar në skenë. Me sa po shoh, nuk është larg dita kur do të fillojnë protestat për të cilat Vetëvendosja është e specializuar, si në kuptimin operacional ashtu edhe në atë organizativ. Ta shohim se si do t’i përshtaten AAK dhe NISMA këtij formati të padëgjueshmërisë qytetare. Uniteti apo përçarja mes tyre do të varet nga ajo se sa larg do të shkohet në radikalizim të veprimeve. Vetëvendosje nuk e ka problem që ta rrisë intensitetin e veprimeve radikale. Mbetet të shihet nëse AAK dhe NISMA janë të gatshme ta përcjellin tempon e diktuar nga ajo. Historia e Vetëvendosjes është ajo e veprimit transformues social përmes aksioneve, protestave dhe aktivizmit ideologjik. AAK dhe NISMA kanë logjikë tjetërfare: janë grupe të kufizuara të interesit ekonomik dhe synojnë përshtatje e përfshirje në strukturat formale të pushtetit. Janë pozicione goxha kundërthënëse këto. Ta shohim nëse do të përdoren për ta përplotësuar apo për ta përçarë njëra-tjetrën.

PDK-ja e mban kontrollin, LDK-ja veç përgjegjësinë

Gazeta Blic: Çfarë mendoni për qeverisjen aktuale të Qeverisë? E meriton të rrëzohet nga ky Front apo jo?

Dukagjin Gorani: Qeverisja aktuale është e rëndë për partnerin e koalicionit i cili po synon ndryshime minimale në aparatin burokratik të shtetit – e ky është LDK. Sot, ky grup dhe kryeministri Mustafa po e shohin se sa vështirë është të bëhet çfarëdo ndryshimi në administratë shtetërore për shkak të pengesave nga PDK si partneri më i madh. PDK s’është e interesuar për ndryshim, por vetëm për mirëmbajtje të gjendjes ekzistuese. Strukturat e saj janë të rrënjosura thellë brenda sistemit dhe aty nuk ka vend për tjetrin. Lëshimet e vetme që PDK ia lejon LDK-së janë ato kozmetike, si plotësimi i bordeve të ndërmarrjeve publike me aktivistë partiakë. LDK e dëmtoi shumë veten duke hyrë në këtë koalicion ngase ajo e mbanë krejt përgjegjësinë kurse PDK e mbanë krejt kontrollin. Kësisoj, LDK dhe Mustafa po shfrytëzohen për prezantime publike e nënshkrime të marrëveshjeve problematike, derisa PDK vazhdon ta kontrollojë sistemin dhe administratën shtetërore. LDK po i merr përsipër fajet politike, kurse PDK i menaxhon asetet ekonomike. Ndarje goxha efikase e punëve, do të thoshim.

Qëllimi i Opozitës- Armiqësimi me aleatët ndërkombëtarë

Gazeta Blic: Peticioni i opozitës kundër ‘Zajednicës’ dhe ‘demarkacionit’ tashmë i ka mbledhur mbi 30,000 nënshkrime. S’mund të thuhet se nuk ka reagim serioz popullor ndaj këtyre çështjeve.

Dukagjin Gorani: Ky reagim shoqëror është i kuptueshëm, por edhe i padobishëm. Mbase, nesër mund të arrihen edhe 100,000 nënshkrime. Edhe? Çfarë mendoni se do të ndodhë? Për shembull, edhe nëse kryeministri Mustafa dhe mbarë qeveria e kuvendi heqin dorë nga ratifikimi i marrëveshjes për Asociacionin, e tëra që do të arrihet do të jetë armiqësimi me bashkësi ndërkombëtare dhe mosndryshimi i gjendjes në vend – e për veriun  të mos flasim. Madje, në një situatë të tillë, hipotetike, qeveria Mustafa-Thaçi do të armiqësohej me Bruksel porse do të shndërrohej në hero historik në sytë e peticionistëve dhe të opozitës së sotme. Me këtë vetëm sa do ta fuqizonte tutje pozicionin dhe pushtetin e vet. Absurde, apo jo? Sipas kësaj, del se ndryshimi i pushtetit politik dhe i gjendjes në shoqëri nuk qenka qëllim i opozitës – por pikërisht armiqësimi i pakuptimtë me aleatët ndërkombëtarë dhe mosndryshimi i pushtetit, ne emër të kauzës kombëtare.

Opozita ka të drejtë që kërkon ndryshim të pushtetit, mirëpo e ka nisur mbrapshtë fushatën e vet. Druaj se e tëra që do ta arrijë me këtë është zgjerimi i hendekut në shoqëri duke e degraduar debatin politik në nivel të tifozerisë: ose je me ne, ose je kundër nesh. Sot, ata që e përkrahin opozitën e bëjnë këtë pa marrë parasysh arsyeshmërinë e kërkesave. Në anën tjetër, ata që e përkrahin qeverinë veprojnë njëjtë – thuajse bëhet fjalë për ekipe të futbollit, ku simpatia nuk ndërlidhet me arsye. Fakti që unë nuk e përkrahi opozitën në këto kërkesa nuk nënkupton se e përkrahi qeverinë Mustafa-Thaçi. Po të isha përkrahës i kësaj qeverisjeje, do të isha ende pjesë e saj. Kjo logjikë e ‘tifozerisë’ është fëmijërore.

Gazeta Blic: A ekziston ndonjë parti e mirëfilltë politike në Kosovë aktualisht? Nëse jo, kush mund ta sjellë një të tillë në këtë vend?

Dukagjin Gorani: Mendoj se Vetëvendosja është organizata e vetme politike e cila plotëson kriteret funksionale, operacionale, organizative e ideologjike të një partie politike. Ka strukturë dinamike, entuziazëm aktivist, devotshmëri elektorale dhe debat të brendshëm. Është e vetmja e tillë në periudhën e pasluftës në Kosovë (e, para lufte as që pati parti politike). Për mua, ajo i thotë të gjitha gjërat e duhura – në mënyrë të gabuar. Këtu, mendoj se narrativi etnonacionalist i saj është në shpërputhje të ashpër me konceptin socialdemokrat që përpiqet ta proklamojë. Është ky një kombinim i rrezikshëm ideologjik meqë synimin për drejtësi sociale e sheh vetëm brenda kornizës etnike.

Subjektet e tjera në Kosovë nuk i konsideroj parti politike në kontekst të definicionit bashkëkohor të termit. Ato janë grupe të mbyllura të interesit, të formuara përmes logjikës klanore, familjare e rajonale. Janë organizime tradicionale bajraktarësh dhe logjika e tyre organizative modelohet në frymën e lëvizjeve kaçake. Mendoj se janë historikisht të tejkaluara për shoqërinë tonë, edhe pse zhdukja e tyre nga skena do të merr kohë. Janë grupe që krijohen dhe funksionojnë nëpër shoqëri të varfëra dhe represive andaj procesi i shpërbërjes së tyre varet nga zhvillimi ekonomik i vendit.

Në anën tjetër, po bindem se gjatë viteve të fundit segmente të caktuara të shoqërisë kosovare kanë krijuar vetëdije të avancuar mbi kategoritë qenësore politike: mbi drejtësinë, liritë, shtetin, ekonominë, kulturën, përgjegjësinë personale dhe publike. Individë dhe grupe të tilla mund t’i gjesh anekënd vendit, nëpër qytete e fshatra. Është kjo shtresë që kërkon përfaqësim të vet politik meqë ndjehet e avancuar, por e margjinalizuar. Ajo e sheh veten si pjesë aktive të botës, e jo vetëm të fshatit, qytetit dhe etnisë. Është shtresë e formësimit liberal demokrat, e brishtë dhe e vogël, por me ndikim në trendet shoqërore. Ajo duhet ta gjejë formatin me të cilin do të përfaqësohet në skenë politike.

Duhet të mirremi me Asociacionin, jo të shtiremi se mund ta zhbëjmë

Gazeta Blic: Çfarë mendoni për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë dhe çka për atë të Luginës? Ç’të mirë apo ç’të keqe do të sjellin?

Dukagjin Gorani: Janë të ngjashme me ujin e bekuar: as nuk bëjnë hajr, as dëm. Varet se si do të sillemi me to. Asociacioni i komunave serbe ishte, mes tjerash, kompromis ndërkombëtar të cilën e pranuam më 2013. Tash e tutje duhet të merremi me të – e jo të shtiremi se mund ta zhbëjmë. Në anën tjetër, Asociacioni i Komunave Shqiptare në Serbi ishte reagim lokal ndaj zhvillimeve në Kosovë. Edhe atje, funksionimi i tij do të varet nga kapaciteti i shqiptarëve për t’u organizuar dhe për t’u imponuar si faktor politik. Grupet shoqërore gjithnjë mund të organizohen politikisht: këtë nuk e ndalon kush në rajon. Mirëpo, themelimi në letër dhe ndikimi real politik janë dy gjëra të ndryshme. Krejt Ballkani është i famshëm për hiper-prodhim të ‘tigrave prej letre’: prej Bosnjës deri në Greqi ka një mori kushtetuta, sovranitete e ligje që nuk funksionuan kurrë. Në anën tjetër, ka vende si Britania, Kanada, Izraeli apo Zelanda e Re që kurrë nuk patën kushtetuta, por ja që funksionojnë. Apo, ka edhe shtete si Haiti i cili ratifikoi mbi 20 kushtetuta gjatë një shekulli: shihni se me çka përballet sot.

Për fatin tonë të keq, çdo ditë po e kuptojmë ngapak se sukseset e shoqërive po vareshin nga etika publike dhe vetëdija politike – e jo nga letrat. Shoqëritë e dobëta gjithnjë po i kishin ‘letrat e forta’ por që nuk po i vlenin as pesë pare. Po e përsëris: tash e sa javë po zhvillojmë debat të gabueshëm i cili vetëm sa po thellohet dhe po degjeneron. Problemi ynë më i madh është paaftësia jonë për ta zhvilluar veten duke u marrë me veten – e jo asociacionet e pakicave etnike.

Gazeta Blic: Mirëpo, përmes Asociacionit po mundësohet edhe ndikimi i drejtpërdrejtë i Serbisë në Kosovë. Kjo po shihet nga ana e opozitës si kërcënimi më i madh për vendin.

Dukagjin Gorani: Serbia gjithnjë do të përzihet në Kosovë meqë serbët janë komuniteti i dytë për nga madhësia. Ky ndikim nuk ndalet me peticione, protesta dhe armiqësim me aleatët ndërkombëtarë. Ai mund të zvogëlohet, por vetëm nëse serbët vendorë fillojnë ta shohin interesin e vet në shtetin e Kosovës. Marrëzia më e madhe e qeverisë së mëhershme ishte shkatërrimi i subjekteve politike të serbëve kosovarë që pranonin realitetin tonë shtetëror. Kjo filloi pas zgjedhjeve të vitit 2011 dhe përfundoi me zgjedhjet në 2014. Rrënimi i kësj strukture u bë kryekëput për interese ekonomike dhe elektorale, dhe nga padituria e madhe e udhëheqjes qeveritare asokohe. Tash po dëgjoj që edhe Nenad Rashiq nga Partia Progresiste Serbe iu paska bashkuar Listës Serbe që kontrollohet nga qeveria në Beograd. Rashiq ishte i fundit nga deputetët serbë vendorë i cili përpiqej t’i rezistonte varësisë nga Beogradi. Kyçja e tij në Listën Serbe është një lajm i pikëllueshëm për ne.

“Nëse nuk punon, nuk gabon”, motoja e LDK-së

Gazeta Blic: Ditë më herët, kryeministri Mustafa deklaroi se për 8 muaj Qeveria e tij nuk pati asnjë aferë korruptive. Si e komentoni këtë?

Dukagjin Gorani: Nëse nuk punon, nuk gabon. Ishte kjo motoja joformale e LDKsë gati prej themelimit të saj. Duke e përshkruar veten si ‘parti institucionaliste’, LDK dhe udhëheqja e saj gjithnjë u shquan për politika konformiste. Gjithnjë, për ta ka qenë më me rëndësi pozicioni brenda pushtetit se sa veprimi politik përmes tij. LDK dhe kjo qeveri e kryeministrit Mustafa është kryekëput byrokratike. Synimi kryesor i saj është mbetja në pushtet. Zhvatja e buxhetit mbase edhe do të zvogëlohet por s’do të ketë zhvillim: as që mund të flitet për këtë. Me këtë qasje pajtohet plotësisht edhe partneri i saj në koalicion, PDK. Gjatë viteve, PDK zaptoi krejt çka mund të zaptohej brenda sistemit shtetëror. Sot, pjesa më e madhe e udhëheqjes së saj është e integruar thellë në biznes privat: pushteti politik i nevojitet vetëm për siguri personale e klanore – jo më për zhvatje dhe abuzim. Madje, nuk dyshoj se kjo qeveri do të përpiqet të jetë sa më korrekte me buxhet të shtetit: me këtë vetëm sa ia zgjatë jetën vetes. Për LDK-në mjafton që është pjesë e sistemit meqë nuk është disenjuar të jetë parti politike, por vetëm trajtë e pushtetit. Për PDK-në sot mjafton mbikëqyrja e sistemit meqë kësisoj e mbanë veten larg llogaridhënies ligjore dhe e realizon legalizimin e zhvatjes së mëhershme.

Që të dyjat ia kanë lënë opozitës që të merret me kauza kombëtare e me fantazma historike. E, këto vetëm sa do t’ia hanë kokën asaj duke ia krijuar imazhin e përgjegjësit kryesor për krizën tonë politike. Në anën tjetër, fajtori real do të cilësohet ‘partner i besueshëm’ nga aleatë të shtetit tonë të cilët do të detyrohen të zgjedhin mes hajnisë dhe ekstremizmit. /Gazeta Blic

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme