Skenës politike në Kosovë, nga mesi i këtij muaji pritet t’i shtohet edhe një parti e re e krahut socialdemokrat. Bëhet fjalë për grupin prej 12 deputetëve dhe ish-zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët tashmë kanë dhënë dorëheqje dhe funksionojnë si Grup i Pavarur.
Kjo parti, e cila pritet të regjistrohet me emrin Partia Socialdemokrate e Kosovës, do të formohet së shpejti. Deputeti Dukagjin Gorani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Partia Socialdemokrate e Kosovës, do të jetë parti e së nesërmes. Gorani ka përmendur se subjekti më i ri në vend, do të ketë shumë dallime me partitë ekzistuese në Kosovë, pa përjashtuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Gorani, kur pritet që spektrit politik në Kosovë t’i shtohet edhe një subjekt i ri politik. Po i referohemi Grupit të Deputetëve të Pavarur dhe zyrtarëve tjerë të larguar tashmë nga Vetëvendosje?
Dukagjin Gorani: Llogaritet që të jetë mesi i këtij muaji. Ndoshta java e tretë e majit. Por, në atë kohë, besoj që do të jemi të gatshëm që të shpalosim edhe programin edhe strukturën e organizatës, e cila është natyrisht në ndërtim e sipër. Ka marrë kohë mjaft deri sot, mirëpo jemi kah fundi. Kjo është faza përfundimtare edhe e caktimit të strukturave, por edhe e publikimit, realisht të shpalosjes.
Radio Evropa e Lirë: Cilat do të jenë pikat kryesore programore të këtij subjekti politik?
Dukagjin Gorani: Unë besoj që subjektin e ri, i cili ka shumë të ngjarë ta ketë emrin Partia Socialdemokrate e Kosovës, mendoj që ajo që do të na karakterizojë neve është mënyra se si e përkufizojmë qytetarin ose subjektin e republikës, e ajo që është që partitë si ne, janë parti që e vendosin theksin gjithmonë në përjetimin e shoqërisë, por edhe të qytetarit si kategori ekskluzivisht sociale edhe ekonomike.
Mendoj që kjo na dallon ose do të na dallojë prej subjekteve tjera për faktin që aspektet e trashëguara të interpretimit të shoqërisë ka prizma etnike kulturore, shpeshherë e ngarkuar ideologjikisht, nuk kanë ofruar ndonjë shteg për një bashkëjetesë edhe për një funksionalitet shoqëror pas përfundimit të proceseve të rëndësishme politike në rajon. Ajo që ne dëshirojmë të bëjmë, është të përpiqemi të themelojmë dhe të mirëmbajmë një subjekt politik për të nesërmen, për të ardhmen kur vendi ynë do të ballafaqohet me sfida, por të natyrës tjetër.
Radio Evropa e Lirë: Përmendet që kjo parti do të ketë dallime me partitë e tjera. Cili do të jetë dallimi i kësaj partie me Lëvizjen Vetëvendosje?
Dukagjin Gorani: Theksimi i një përjetimi social dhe ekonomik të shoqërisë tonë, ndoshta do të na dallojë më shumë nga Lëvizja Vetëvendosje, për faktin që aspekti programor dhe ideologjik, nuk do të jetë tepër i ngarkuar me interpretimet ideologjike dhe etno-kulturore. Mendoj që Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur të theksuar në masë të konsiderueshme atë që do të mund ta përkufizoja si politikë identitare. Ne do të përpiqemi që ky subjekt politik, të jetë sa më shumë i specializuar në një qasje zhvillimore, në aspektet sociale dhe ekonomike. Pra, mënyra se si institucioni ose aparati i shtetit e trajton qytetarin dhe mënyra se si shteti ishte dashur të ri-mendojë rolin e vet në një realitet të ri shoqëror dhe ekonomik. Këto do të jenë pikat, në të cilat do të përpiqemi ta vendosim një ekspertizë dhe do të përpiqemi që të ofrojmë një rrugëdalje.
Radio Evropa e Lirë: Aktualisht, jeni pjesë e opozitës. Ndërkohë, ka nisma që pushteti dhe opozita të ndërtojnë konsensus në lidhje me disa prej çështjeve të cilësuara si madhore, si bisedimet me Serbinë, formimin e ushtrisë apo reformat zgjedhore. Ku do të jetë në këtë mes grupimi i juaj politik – jeni të gatshëm për bashkëpunim me partitë tjera në pushtet dhe opozitë?
Dukagjin Gorani: Natyrisht që në kontekstin e përgjithshëm, partitë politike ekzistojnë që të mund të bashkëpunojnë, mirëpo parimet e bashkëpunimit duhet të negociohen. Nuk mendoj që mund të këtë bashkëpunim automatik. Nuk mendoj që automatikisht duhet në çfarëdo situate dhe për çfarëdo teksti ose platforme të krijohet përshtypja e gatishmërisë së bashkëpunimit.
Mendoj që grupi ynë është i gatshëm që të diskutojë, është i gatshëm që të vlerësojë dhe të analizojë dhe natyrisht të përpiqet të gjejë mënyra të bashkëpunimit edhe të ndihmesës që mund ta ofrojë në ndërtimin e një konsensusi absolutisht të nevojshëm karshi procesit politik dhe fazës së tij finale. Mirëpo, ajo çfarë kemi parë deri sot në platforma të ofruara, janë dokumente jo shumë të qarta. Të shkuara pa kujdes, për faktin që pjesërisht janë konstatime edhe pjesërisht janë imponime.
Radio Evropa e Lirë: A është përmendur ndonjë emër i mundshëm për kryetar që t’i prijë partisë që pritet të krijohet?
Dukagjin Gorani: Jo ende. Mendoj që së paku, ky grup, jo vetëm deputetët por edhe bashkëpunëtorët e këtij grupi, të cilët janë aktivistë politikë për një kohë të gjatë, mendoj që përbëhet prej një cilësie të konsiderueshme organizative, por edhe ideologjike edhe mendoj që është një numër relativisht i madh i njerëzve prej të cilëve mund të zgjidhet udhëheqësi, udhëheqja e re. Por, këto janë tash pjesë e procesit të diskutimeve brenda këtij entiteti edhe mendoj që një zgjidhje, e cila do të jetë konform edhe situatës brenda grupit, por edhe konform kërkesave të kohës.
Një zgjidhje e tillë, patjetër se do të gjendet dhe unë personalisht jam i bindur që do të jetë edhe një personalitet, por edhe një bashkëpunëtor, i cili do të jetë mendoj edhe i qëlluar, por edhe funksional në situatën politike aktuale, pasi është me rëndësi që në kohën, në të cilën funksionon, të gjendet dhe të përkrahet njeriu i duhur.
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik
Ancelotti: Jemi rikthyer, pas humbjes ndaj Milanit, folëm dh...
Kurti e Nagavci lansojnë nesër pilotimin e Programit të Kupo...
Policia e Kosovës sekuestron armë të ftohta në tregun e auto...
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...